> Kapitulli 4

Sistemi gjyqësor dhe organet që lidhen me të

Në këtë kapitull do të mësoni si funksionon sistemi i drejtësisë në Shqipëri dhe pse ai është i domosdoshëm për një shoqëri të drejtë dhe demokratike. Ju do të njiheni me rolin e gjykatave, me tri shkallët e tyre dhe do të kuptoni se si çdo çështje shqyrtohet me kujdes dhe kontroll në disa nivele. Do të mësoni pse pavarësia e gjykatave është shumë e rëndësishme; ajo mbron çdo qytetar nga vendime të padrejta dhe nga ndikime të jashtme.
Gjithashtu, do të kuptoni rolin e prokurorisë, të policisë gjyqësore dhe të avokatit, si aktorë që punojnë së bashku për të zbuluar të vërtetën dhe për të garantuar një proces të drejtë. Do të mësoni se jo çdo konflikt duhet të zgjidhet në gjykatë dhe se noteria, ndërmjetësimi dhe marrëveshjet jashtëgjyqësore janë mënyra të përgjegjshme për të shmangur përplasjet dhe për të ruajtur marrëdhëniet. Përmes aktiviteteve praktike do të reflektoni për situata nga përditshmëria juaj dhe do të kuptoni se ligji nuk është vetëm teori, por ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën tuaj.