Ky libër është hartuar për të ndihmuar nxënësit të kuptojnë konceptet themelore të edukimit juridik dhe qytetar, duke i lidhur ato në mënyrë të drejtpërdrejtë me situata konkrete nga jeta e përditshme. Libri synon jo vetëm përvetësimin e njohurive, por edhe zhvillimin e mendimit kritik, të aftësive analitike dhe të një ndërgjegjeje të përgjegjshme qytetare, e cila është thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike. Përmbajtja është e organizuar në kapituj tematikë, të cilët trajtojnë çështje të rëndësishme si ligji, kushtetuta, të drejtat e njeriut, sistemi i drejtësisë, e drejta penale për të miturit, prona, korrupsioni, të drejtat e punës, mbrojtja e konsumatorit dhe siguria rrugore. Çdo kapitull është ndërtuar sipas një strukture të qartë didaktike, e cila lehtëson procesin e të nxënit dhe e bën materialin më të kuptueshëm, më të organizuar dhe më të zbatueshëm në praktikë.
Në fillim të çdo kapitulli paraqitet një hyrje orientuese, e cila shpjegon përmbajtjen, rëndësinë e saj dhe lidhjen me jetën reale. Në çdo temë mësimore jepen fjalët kyçe, të cilat përfaqësojnë konceptet kryesore dhe ndihmojnë në ndërtimin hap pas hapi të një fjalori juridik dhe qytetar, duke e bërë më të lehtë kuptimin dhe përdorimin e termave specifikë.
Një element i rëndësishëm i strukturës së librit është rubrika “A e dini se?”, e cila përmban pohime, fakte interesante ose ide reflektuese. Kjo rubrikë synon të zgjojë kureshtjen, të nxisë reflektimin dhe të hapë diskutime për çështje të rëndësishme shoqërore, duke e bërë nxënësin pjesë aktive të procesit të të nxënit.
Përmbajtja teorike paraqitet në mënyrë të qartë dhe të thjeshtë, e shoqëruar me shembuj praktikë dhe situata nga realiteti, në mënyrë që nxënësit të kuptojnë jo vetëm konceptet, por edhe zbatimin konkret të tyre në jetën e përditshme. Kjo qasje ndihmon në lidhjen e teorisë me praktikën dhe e bën mësimin më të kuptueshëm dhe më të dobishëm.
Situatat e rastit, të cilat jepen pas përfundimit të përmbajtjes teorike, synojnë t’u japin mundësi nxënësve të analizojnë raste reale, të identifikojnë problemet, të vlerësojnë pasojat dhe të propozojnë zgjidhje. Në këtë mënyrë, nxënësit zhvillojnë aftësi për zbatim praktik, arsyetim dhe vendimmarrje të përgjegjshme.
Në fund të çdo teme mësimore ka ushtrime që matin njohuritë në nivele të ndryshme të të nxënit. Këto ushtrime përfshijnë: pyetje me alternativa, që ndihmojnë në identifikimin e përgjigjes së saktë dhe në përforcimin e koncepteve bazë; plotësimin e vendeve boshe, që nxitin rikujtimin dhe përdorimin e saktë të terminologjisë; pohime “e vërtetë apo e gabuar”, që zhvillojnë aftësinë për të analizuar dhe për të gjykuar informacionin. Këto forma ushtrimesh synojnë jo vetëm kontrollin e njohurive, por edhe përforcimin dhe thellimin e tyre.
Çdo temë mësimore përmbyllet me rubrikën “Çështje për diskutim”, e cila nxit reflektimin personal, argumentimin dhe shkëmbimin e mendimeve në klasë. Kjo rubrikë i ndihmon nxënësit të zhvillojnë aftësi komunikimi dhe të ndërtojnë qëndrime të argumentuara për çështje të ndryshme shoqërore.
Krahas temave mësimore realizohen edhe veprimtari praktike, të cilat së bashku bëjnë që ky tekst të ndihmojë në zhvillimin e njohurive, të aftësive dhe të qëndrimeve të nxënësit.


