5.4. Drejtësia restauruese dhe
parimi i barazisë para ligjit

Nxënësi/ja:
  • shpjegon se barazia para ligjit nuk nënkupton trajtim identik për të gjithë, por trajtim të barabartë, duke marrë parasysh rrethanat specifike;
  • analizon se si drejtësia restauruese mund të trajtojë pabarazitë ekzistuese në sistemin tradicional penal, si diskriminimi sistematik dhe stigmatizimi;
  • ndërgjegjësohet për aftësinë e drejtësisë restauruese për të trajtuar pabarazitë ekzistuese.
Fjalë kyçe:

barazi,
drejtësi reale,
margjinalizim,
pabarazi sistematike.

A E DINI SE?

  • Barazia para ligjit nuk do të thotë që të gjithë të trajtohen njësoj, por që secili të trajtohet në mënyrë të drejtë, duke marrë parasysh rrethanat dhe nevojat e tij.
  • Trajtimi i njëjtë për persona me rrethana shumë të ndryshme mund të krijojë padrejtësi edhe kur ligji zbatohet “njësoj” për të gjithë.

    A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Drejtësia restauruese, si qasje moderne dhe më njerëzore ndaj drejtësisë, nuk kufizohet vetëm në riparimin e një dëmi apo rikthimin e paqes midis viktimës dhe autorit. Ajo lidhet ngushtë edhe me një nga parimet themelore të çdo sistemi demokratik: barazinë para ligjit.
Sipas këtij parimi, çdo qytetar, pavarësisht nga prejardhja, gjinia, statusi ekonomik apo rrethanat personale, ka të njëjtin vlerësim dhe mbrojtje nga ligji. Por barazia para ligjit nuk do të thotë trajtim i njëjtë për të gjithë, do të thotë trajtim i drejtë, duke marrë parasysh rrethanat e secilit person.
Në drejtësinë tradicionale penale, shpeshherë fokusi është te vepra dhe dënimi; nuk merret parasysh historia e individit, konteksti social apo nevojat e viktimës. Kjo qasje, megjithëse është e rëndësishme për rendin dhe për sigurinë, shpesh shkakton pabarazi, veçanërisht për persona që vijnë nga grupe të margjinalizuara ose me mundësi më të pakta.
Drejtësia restauruese synon drejtësinë reale, jo vetëm atë të shkruar në ligj, pra jo vetëm drejtësinë formale. Kjo arrihet duke i dhënë secilës palë hapësirën dhe mbështetjen për të cilën ka nevojë.

Barazia është trajtimi i njëjtë për të gjithë, ndërsa drejtësia nënkupton trajtimin e drejtë dhe të përshtatur sipas rrethanave, nevojave dhe përgjegjësive të secilit.

SHEMBULL

“Trajtim i drejtë, jo ndëshkim i njëjtë”

Në një shkollë, dy nxënës shkelin të njëjtin rregull duke ofenduar një shok. Njëri e bën nga zemërimi i çastit dhe kërkon menjëherë falje, tjetri e bën me qëllim dhe e përsërit sjelljen. Sipas drejtësisë restauruese, të dy trajtohen me dinjitet, të barabartë, por jo njësoj:
– viktima dëgjohet dhe i kërkohet falje;
– nxënësi i parë ndihmohet që të kuptojë dhe të menaxhojë emocionet;
– nxënësi i dytë mban përgjegjësi më të madhe dhe angazhohet konkretisht për të mos e përsëritur sjelljen.
Kjo tregon se barazia para ligjit do të thotë trajtim i drejtë sipas rrethanave, jo ndëshkim i njëjtë për të gjithë.

Karakteristika të drejtësisë restauruese

Drejtësia restauruese përqendrohet te nevojat. Viktima dhe autori trajtohen si individë që kanë nevoja specifike. Viktima duhet të dëgjohet, të ndihet e sigurt, të tjerët ta kuptojnë dhimbjen që ka ndier dhe t’i riparohet dëmi. Autori duhet të kuptojë pasojat, të mbajë përgjegjësi dhe të ketë mundësinë të korrigjojë gabimin. Kjo e vë viktimën dhe autorin në një pozicion të barabartë pjesëmarrjeje, një barazi që shpesh mungon në drejtësinë tradicionale.
Drejtësia restauruese mbështetet në qasje të individualizuar. Kjo do të thotë se secili rast trajtohet ndryshe, duke analizuar rrethanat e personave të përfshirë: moshën, pjekurinë, historinë personale, gjendjen emocionale, ndikimin e familjes, rrethanat ekonomike dhe sociale etj. Trajtimi identik i të gjithëve do të ishte i padrejtë, sepse njerëzit nuk janë identikë. Drejtësia restauruese vlerëson secilin faktor që ndikon në sjelljen e një personi, duke krijuar një mjedis ku drejtësia nuk është e njëjtë për të gjithë, por është e drejtë për secilin.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm është pjesëmarrja e barabartë, ku viktima dhe autori marrin pjesë në proces me të drejta dhe hapësirë të barabartë për t’u shprehur. Në sistemin tradicional, viktima shpesh ndihet e anashkaluar, ndërsa autori përfshihet vetëm si subjekt i dënimit. Drejtësia restauruese e thyen këtë logjikë: viktima ka zë, autori mban përgjegjësi dhe komuniteti luan rol aktiv në kontrollimin e pabarazive dhe në mbështetjen e procesit.
Së fundi, drejtesia restauruese synon trajtimin e pabarazive sistematike, të cilat mund të shfaqen në drejtësinë tradicionale, si:
1. Diskriminimi ekonomik. Personat me të ardhura të ulëta shpesh marrin dënime më të rënda ose kanë më pak mundësi për t’u mbrojtur ligjërisht.
2. Stigmatizimi i të rinjve. Të rinjtë shpesh paragjykohen si problematikë dhe trajtohen më ashpër sesa rrethanat e tyre reale.
3. Vështirësitë e grupeve të margjinalizuara për të mbrojtur veten. Individët nga pakica ose grupe të pambrojtura kanë më pak akses në informacion, mbështetje dhe mekanizma mbrojtës.
4. Paragjykimet në dënime. Vendimet gjyqësore mund të ndikohen nga stereotipa, duke bërë që persona të ngjashëm të marrin dënime të ndryshme.
5. Vështirësitë në përfaqësim ligjor. Shumë njerëz nuk kanë mundësi të marrin avokatë cilësorë, gjë që ndikon drejtpërdrejt në drejtësinë e procesit gjyqësor.

Drejtësia restauruese e zvogëlon këtë pabarazi dhe i lejon palët të shihen jo si dosje, por si njerëz me histori dhe dinjitet. Ajo krijon një proces ku zëri i viktimës dëgjohet dhe respektohet, ku autori nuk emërtohet përgjithmonë “fajtor” dhe përfshin komunitetin për të parandaluar konflikte të reja.

Fjalorth

Margjinalizim – kur një person ose një grup njerëzish përjashtohen, anashkalohen ose trajtohen si më pak të rëndësishëm në shoqëri, në shkollë apo në punë, për shkak të gjinisë, moshës, fesë, origjinës, varfërisë, paaftësisë etj.
Bullizim – një sjellje e qëllimshme dhe e përsëritur, ku një individ ose një grup lëndon një person tjetër, duke e ditur se ai është më i dobët ose më i pambrojtur. Bullizimi mund të ndodhë me fjalë, me veprime fizike ose nëpërmjet internetit dhe synon ta bëjë tjetrin të ndihet i frikësuar, i poshtëruar ose i përjashtuar.
Pabarazitë sistematike – forma pabarazie që krijohen dhe mbahen nga vetë sistemi shoqëror (ligje, institucione, politika, norma shoqërore), duke bërë që disa grupe njerëzish të kenë vazhdimisht më pak mundësi, mbrojtje ose përfitime se të tjerët, edhe pa qenë gjithmonë rezultat i veprimeve individuale.

SITUATË RASTI

“Bullizmi përballë drejtësisë restauruese”
Në klasë, dy nxënës, Adi dhe Ina, bullizojnë një shoqe duke e tallur para të tjerëve dhe duke bërë komente ofenduese.
Të dy kanë shkelur rregullin, por:
Adi po kalon një periudhë shumë të vështirë në shtëpi. Prindërit e tij po divorcohen dhe ai po përjeton ankth e zemërim. Reagimi i tij ishte i shpejtë dhe i pamenduar.
Ina e ka bërë me qëllim, sepse ka xhelozi për shoqen dhe kërkon vëmendjen e grupit.

Diskutoni në grup dhe jepni përgjigjet tuaja për pyetjet e mëposhtme:
– A duhen trajtuar njësoj apo ndryshe Adi dhe Ina?
– Çfarë do të thotë barazi në këtë rast?
– Si do ta zgjidhte këtë situatë drejtësia restauruese?

Gjeni alternativën e saktë

Çfarë nënkupton barazia para ligjit?
a) Që të gjithë të trajtohen njësoj, pavarësisht nga rrethanat.
b) Që ligji të zbatohet vetëm për disa persona.
c) Që secili të trajtohet në mënyrë të drejtë, duke marrë parasysh rrethanat dhe nevojat e tij.
ç) Që ndëshkimi të jetë gjithmonë i njëjtë.

Cili është elementi thelbësor i drejtësisë restauruese?
a) Përqendrimi vetëm te dënimi i shkelësit.
b) Përjashtimi i viktimës nga procesi.
c) Pjesëmarrja aktive e viktimës, e autorit dhe e komunitetit në zgjidhjen e konfliktit.
ç) Vendosja e dënimeve të rënda dhe automatike.
Pse mund të jetë i padrejtë trajtimi i njëjtë për të gjithë?
a) Sepse ligjet janë gjithmonë të gabuara.
b) Sepse njerëzit janë identikë në sjellje.
c) Sepse nuk e lejon drejtësia restauruese.
ç) Sepse njerëzit kanë rrethana, nevoja dhe përgjegjësi të ndryshme për të gjithë.

Çfarë nënkupton margjinalizimi në shoqëri?
a) Trajtimin e barabartë të të gjithë individëve.
b) Përjashtimin ose anashkalimin e individëve apo grupeve duke i konsideruar më pak të rëndësishëm.
c) Respektimin e të drejtave të çdo personi.
ç) Përfshirjen aktive të të gjithëve në vendimmarrje.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. A është e drejtë që dy persona të trajtohen në mënyrë të ndryshme, nëse rrethanat e tyre janë të ndryshme? Pse?
  2. Si i ndihmon drejtësia restauruese viktimat që të ndihen të barabarta dhe të dëgjuara?
  3. A mendoni se trajtimi identik mund të jetë ndonjëherë i padrejtë? Jepni një shembull.
  4. Si mund të ndihmojë komuniteti (shkolla, klasa, familja) për të ruajtur barazinë në një konflikt?