Nxënësi/ja:
- përshkruan sfidat sociale dhe ato psikologjike të adoleshentëve;
- shpjegon se si ndikojnë këta faktorë në vendimmarrje dhe në sjellje;
- reflekton për rëndësinë e mbështetjes së familjes, të shkollës dhe të shoqërisë.
Fjalë kyçe:
traumë,
empati,
riedukim,
mendësi mbijetese.
A E DINI SE?
- Sjelljet agresive te fëmijët dhe tek adoleshentët janë shpesh shenja alarmi, jo shenja ligësie. Ato tregojnë reagim ndaj frikës, traumës ose pasigurisë në familje, në shkollë apo në mjedisin shoqëror.
- Adoleshentët zakonisht i njohin rregullat, por jo gjithmonë arrijnë t’i kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre, sepse zhvillimi i plotë i trurit ndodh vetëm në moshë madhore.
- Mungesa e pendesës nuk do të thotë domosdoshmërisht mungesë empatie, por mund të jetë një formë mbrojtjeje emocionale ndaj turpit, frikës ose fajit.
A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.
Kur flasim për fëmijë dhe adoleshentë që shfaqin sjellje problematike ose që kryejnë edhe vepra penale, është e rëndësishme të kuptojmë se ata nuk mund të trajtohen si “të rritur më të vegjël”. Fëmijëria dhe adoleshenca janë faza vendimtare të zhvillimit, ku individi formon identitetin, emocionet, mënyrën e të menduarit dhe marrëdhëniet me të tjerët.
Truri i adoleshentëve është ende në zhvillim, veçanërisht pjesët që ndihmojnë në kontrollin e impulseve dhe parashikimin e pasojave. Kjo i bën ata më impulsivë dhe më të ndikuar nga emocionet dhe nga shokët.
Si pasojë, sjelljet problematike të fëmijëve dhe të adoleshentëve nuk duhen parë vetëm si shkelje të rregullave, por edhe si tregues të vështirësive që mund të kalojnë ata, si: mungesa e sigurisë emocionale, konfliktet familjare, traumat ose vështirësitë sociale. Njohja e këtyre shkaqeve është e domosdoshme për të nxitur reagime edukative dhe mbështetëse, të cilat synojnë rritjen, riedukimin dhe integrimin e të miturve në shoqëri.
Sfidat psikologjike
Shumë të mitur që shfaqin sjellje agresive rriten në mjedise ku mungon siguria ose ekziston dhuna në familje, varfëria, në të cilat ka konflikte të vazhdueshme, ku kanë përjetuar neglizhencën emocionale apo përvojën e humbjes. Këto përvoja mund të shkaktojnë traumë të pashëruar, e cila ndikon në mënyrën se si fëmija mendon, reagon dhe i krijon marrëdhëniet me të tjerët.
Në raste të tilla, fëmija nuk ndihet i mbrojtur, prandaj krijon një mendësi mbijetese: “Duhet të mbrohem vetë, përndryshe njerëzit do të më dëmtojnë.” Kjo mendësi nuk është qëllim i keq, por një mekanizëm mbrojtës që lind nga frika dhe nga pasiguria.
Nga ana neurologjike, truri i adoleshentit nuk është ende i pjekur. Pjesa që kontrollon arsyetimin, marrjen e vendimeve, kontrollin e impulseve, parashikimin e pasojave është ende duke u formuar. Kjo i bën më impulsivë, më emocionalë dhe më të ndjeshëm ndaj presionit shoqëror. Kështu, mungesa e pendesës nuk është gjithmonë mungesë empatie, shpesh është mbrojtje emocionale, ndalim nga frika ose mënyrë për të mos treguar dobësi.
Trajtimi i të miturve që shfaqin sjellje problematike nuk mund të mbështetet vetëm në masa të shpejta ose ndëshkuese. Ai kërkon qasje të qëndrueshme, të koordinuara dhe të ndjeshme ndaj moshës dhe rrethanave të fëmijës. Strategjitë mbështetëse nuk synojnë vetëm korrigjimin e sjelljes, por edhe ndërtimin e një rruge të re zhvillimi për të miturin.
• Së pari, krijimi i një marrëdhënieje besimi është baza e çdo ndërhyrjeje të suksesshme. Kur i mituri ndihet i dëgjuar, i respektuar dhe i pranuar pa u paragjykuar, ai ka më shumë mundësi të flasë hapur për vështirësitë që po kalon dhe të reflektojë për sjelljen e tij. Besimi ndihmon në uljen e rezistencës për t’u shprehur dhe hap rrugën për ndryshim pozitiv.
• Së dyti, trajtimi i shkaqeve rrënjësore të sjelljes është thelbësor. Sjelljet problematike shpesh lidhen me traumën, ankthin, dhunën në familje, mungesën e mbështetjes emocionale ose pasigurinë sociale. Pa i njohur këto shkaqe, ndërhyrjet mbeten sipërfaqësore. Këshillimi psikologjik dhe mbështetja profesionale e ndihmojnë të miturin të kuptojë emocionet e veta, t’i shprehë ato në mënyrë të shëndetshme dhe të zhvillojë vetëkontrollin.
• Së treti, përfshirja e familjes dhe e komunitetit ka rol vendimtar në riedukim dhe riintegrim. Bashkëpunimi mes familjes, shkollës dhe komunitetit ndihmon në krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe mbështetës. Një i mitur që ndihet i mbështetur dhe pjesë e një komuniteti pozitiv ka më shumë gjasë të zhvillojë sjellje të shëndetshme, aftësi sociale dhe ndjenjë përgjegjësie.

Sjellja agresive shpesh lind nga frika, pasiguria dhe trauma.

Trauma emocionale te fëmijët dhe tek adoleshentët mund të shfaqet përmes izolimit, bllokimit emocional dhe sjelljeve mbrojtëse.

Dialogu, përgjegjësia dhe mbështetja sjellin një ndryshim afatgjatë.
Sfidat sociale
Gjatë adoleshencës, përkatësia në grupin e bashkëmoshatarëve bëhet shumë e rëndësishme. Në këtë moshë, shokët dhe grupi shoqëror luajnë rolin kryesor në jetën e adoleshentit, shpesh më të rëndësishëm se prindërit ose mësuesit. Nëse një i ri nuk ndihet i pranuar, nuk gjen mbështetje dhe siguri në një grup të shëndetshëm, ai mund ta kërkojë këtë ndjenjë te grupe problematike vetëm për t’u ndier pjesë e diçkaje.
Të rinjtë që rriten në varfëri ose në kushte të vështira shpesh kanë më pak mundësi për të zhvilluar aftësi të shëndetshme sociale. Ata mund të etiketohen nga të tjerët si “problematikë”, gjë që krijon një identitet negativ. Kur një i mitur ndihet i etiketuar, ai shpesh fillon të sillet sipas këtij etiketimi. Për këtë arsye, faktorët socialë kanë ndikim të madh në sjelljet e rrezikshme ose kriminale të fëmijëve dhe të adoleshentëve.
Përfitimi i menjëhershëm dhe mungesa e perspektivës
afatgjatë në sjelljen e të miturve
Shumë fëmijë dhe adoleshentë që shfaqin sjellje problematike ose kriminale përqendrohen te përfitimi i menjëhershëm, pa menduar për pasojat afatgjata të veprimeve të tyre. Kjo ndodh sepse aftësia për të menduar për të ardhmen, për të planifikuar dhe për të parashikuar pasojat është ende në zhvillim në këtë moshë. Si pasojë, vendimet merren shpesh nën ndikimin e emocioneve, të presionit të grupit ose të dëshirës për t’u ndier të pranuar dhe për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve.
Mungesa e perspektivës afatgjatë bën që i mituri ta shohë veprimin e tij si një zgjidhje të momentit. Për shembull, dëmtimi i pronës, vjedhja ose dhuna mund të duken si mënyra të shpejta për të fituar respektin e të tjerëve, për të fshehur ndjenjën e dobësisë ose për të përballuar zemërimin. Në këto raste, sjellja kriminale nuk është gjithmonë qëllim në vetvete, por një reagim i çastit ndaj rrethanave personale dhe sociale.

Presioni i grupit si faktor social në sjelljet e rrezikshme.
Fjalorth
Traumë e pashëruar – një përvojë e dhimbshme ose e frikshme e përjetuar në të kaluarën, e cila vazhdon të ndikojë edhe sot, sepse nuk është përballuar, kuptuar ose trajtuar në mënyrën e duhur.
Mendësia e mbijetesës – një mënyrë mbrojtëse të menduari kur fëmija mendon se duhet të mbrohet vetë sepse nuk ndihet i sigurt.
Empati – të kuptosh si ndihet një person tjetër, sikur të ishe për pak çaste në vendin e tij.
Strategjitë mbështetëse – mënyra veprimi që synojnë të ndihmojnë dhe të mbështesin një individ, veçanërisht një fëmijë ose adoleshent, për të përballuar vështirësitë dhe për të ndryshuar sjelljen në mënyrë pozitive.
Presioni i grupit – kur një adoleshent ndihet i detyruar të sillet si grupi edhe kur nuk është dakord, nga frika se mos përjashtohet, të tjerët e tallin ose humb statusin në sy të shokëve.
Gjeni alternativën e saktë
Mendësia e mbijetesës
te një i mitur është:
a) qëllim për të dëmtuar të tjerët;
b) mekanizëm mbrojtës ndaj frikës dhe pasigurisë;
c) mungesë e edukimit ligjor;
ç) sjellje e qëllimshme për të fituar pushtet dhe kontroll mbi të tjerët.
Trauma e pashëruar është:
a) një përvojë e vështirë që është harruar plotësisht;
b) një përvojë e dhimbshme nga e kaluara që vazhdon të ndikojë në sjelljen dhe ndjenjat e një personi;
c) një konflikt i vogël mes shokëve;
ç) një sjellje e qëllimshme për të dëmtuar të tjerët.
Empati do të thotë:
a) të gjykosh sjelljen e të tjerëve;
b) të përpiqesh të kuptosh ndjenjat dhe përvojën e një personi tjetër;
c) të shmangësh komunikimin me të tjerët;
ç) të imponosh mendimin tënd tek të tjerët.
Plotësoni vendet boshe
(traumës, përgjegjësia, zhvillimi)
• Sjelljet problematike te të miturit janë shpesh pasojë e __________ së pashëruar.
• Mungesa e pendesës nuk do të thotë gjithmonë mungesë __________, por mund të jetë mbrojtje emocionale.
• Kontrolli i impulseve lidhet me __________ e trurit, i cili nuk është ende i pjekur.
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
- Pse disa fëmijë nuk ndihen fajtorë menjëherë? Çfarë tregon kjo?
- A është i mituri produkt i zgjedhjeve të tij apo i rrethanave?
- Mendoni për një situatë konflikti që keni parë ose keni përjetuar në shkollë.
Çfarë do të kishte ndodhur ndryshe, nëse palët do të ishin dëgjuar dhe ndihmuar, në vend që të ndëshkoheshin menjëherë?


