5.7. Parandalimi i viktimizimit të dytë te fëmijët

Nxënësi/ja:
  • shpjegon çfarë është dhe si shfaqet viktimizimi i dytë;
  • analizon ndikimin negativ të viktimizimit të dytë në shëndetin mendor dhe në mirëqenien e fëmijëve;
  • vlerëson rëndësinë e parandalimit dhe të viktimizimit të dytë.
Fjalë kyçe:

viktimizim i dytë,
besim,
mbrojtje emocionale.

A E DINI SE?

  • Mënyra se si reagojnë të rriturit pas një ngjarjeje traumatike mund të dëmtojë fëmijën po aq sa vetë ngjarja, nëse ai ndihet fajtor, i gjykuar ose i shpërfillur.
  • Detyrimi i fëmijës për ta treguar vazhdimisht të njëjtën histori mund të rritë frikën, ankthin dhe stresin traumatik, në vend që ta ndihmojë të shërohet.

    A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Viktimizimi i dytë i referohet dëmtimit të mëtejshëm emocional, psikologjik ose social që përjeton një individ pasi ka qenë viktimë e një ngjarjeje të parë, si dhuna, abuzimi apo bullizmi. Ky lloj viktimizimi nuk lidhet drejtpërdrejt me vetë ngjarjen fillestare, por me mënyrën se si reagojnë njerëzit dhe institucionet ndaj viktimës pas kësaj ngjarjeje.
Në shumë raste, viktima kërkon ndihmë me pritshmërinë për t’u mbështetur dhe për t’u kuptuar. Megjithatë, në vend të empatisë dhe mbështetjes, ajo mund të përballet me mosbesim, indiferencë apo edhe fajësim. Reagime të tilla, si “Pse nuk reagove më herët?” apo “Ndoshta e ke keqkuptuar situatën”, e bëjnë viktimën të ndihet edhe më e lënduar dhe e vetmuar. Në këtë mënyrë, përvoja e saj e dhimbshme jo vetëm që nuk lehtësohet, por thellohet më tej.
Viktimizimi i dytë mund të ndodhë në shumë kontekste të jetës së përditshme, si në familje, në shkollë, në komunitet apo në institucionet publike. Për shembull, një nxënës që raporton bullizëm dhe nuk merret seriozisht nga mësuesi, ose një fëmijë që përballet me reagime kritike nga familja, mund të përjetojë një ndjenjë refuzimi dhe mungese mbështetjeje. Po ashtu, procedurat e gjata dhe të ndërlikuara në institucione, që kërkojnë përsëritjen e vazhdueshme të ngjarjes, mund të rikthejnë emocionet e vështira dhe të rrisin stresin.

Përjashtimi social dhe izolimi emocional janë pasoja të shpeshta të viktimizimit të dytë.

Si shfaqet viktimizimi i dytë?

Zakonisht ndodh nëpërmjet:
• mosbesimit ndaj viktimës (“Ndoshta po e ekzagjeron…”);
• fajësimit të viktimës (“Pse ishe aty?”, “Pse nuk reagove?”);
• trajtimit të ftohtë ose jo empatik nga mësues, policë, punonjës social etj.;
• rikujtimit të vazhdueshëm të traumës (pyetje të përsëritura, procedura të gjata);
• stigmatizimit ose turpërimit nga komuniteti.

Pasojat e viktimizimit të dytë

Ky fenomen ka pasoja të rëndësishme për mirëqenien e individit, duke ndikuar si në aspektin emocional, ashtu edhe në atë social. Viktimizimi i dytë mund të rrisë ndjenjat e frikës, ankthit dhe turpit, të dëmtojë besimin ndaj institucioneve dhe të pengojë viktimën që të kërkojë ndihmë apo të raportojë raste të tjera në të ardhmen.
Pasojat psikologjike janë shpesh të thella dhe afatgjata, veçanërisht te fëmijët. Ata mund të përjetojnë ankth të vazhdueshëm, gjendje depresive, çrregullime të gjumit dhe të ushqyerit, si dhe simptoma të stresit post-traumatik. Përvoja e mosbesimit, fajësimit apo indiferencës nga të rriturit mund t’i bëjë ata të ndihen të pasigurt, të turpëruar, të padenjë apo të braktisur.
Si rezultat, fëmijët shpesh priren të tërhiqen në vetvete, të shmangin komunikimin dhe të mos kërkojnë ndihmë, duke rritur rrezikun për përkeqësim të gjendjes së tyre emocionale dhe sociale. Kjo e bën edhe më të domosdoshme ndërhyrjen e hershme dhe mbështetjen e ndjeshme nga të rriturit dhe institucionet përkatëse.

Parandalimi dhe trajtimi i viktimizimit të dytë

Ndihma nga institucionet
Trajtimi dhe parandalimi i viktimizimit të dytë fillon nga mënyra se si reagojnë institucionet ndaj viktimës. Shkolla, policia dhe shërbimet sociale duhet të krijojnë një mjedis të sigurt dhe mbështetës, ku viktima të ndihet e dëgjuar dhe e respektuar. Është e rëndësishme që profesionistët të dëgjojnë me kujdes, të mos paragjykojnë dhe të mos fajësojnë viktimën. Ata duhet të shmangin pyetjet e panevojshme dhe përsëritjen e vazhdueshme të rrëfimit, në mënyrë që të mos rikthejnë traumën. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve ndihmon që viktima të marrë mbështetje të plotë dhe të vazhdueshme.

Viktimizimi i dytë mund të dëmtojë besimin e individit ndaj institucioneve dhe profesionistëve.

Reagimet e familjes ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si viktima përjeton dhe përballon pasojat e viktimizimit të dytë.

Ndihma nga familja
Familja luan një rol shumë të rëndësishëm në mënyrën se si viktima e përjeton situatën dhe në procesin e rikuperimit. Kur prindërit dhe të afërmit reagojnë me durim, dashuri dhe mirëkuptim, viktima ndihet më e sigurt dhe më e gatshme të flasë për përvojën e saj. Është e rëndësishme që familja të mos e gjykojë apo fajësojë viktimën, por ta mbështesë emocionalisht dhe ta inkurajojë të kërkojë ndihmë kur është e nevojshme. Një ambient familjar i sigurt dhe i ngrohtë ndihmon në rikthimin e besimit dhe të qetësisë emocionale.

Ndihma psikosociale
Në shumë raste, viktima ka nevojë edhe për mbështetje profesionale. Psikologët dhe punonjësit socialë ndihmojnë viktimën të kuptojë dhe të përballojë përvojat e vështira dhe menaxhimin e emocioneve si frika, ankthi apo turpi. Përmes këshillimit dhe mbështetjes së vazhdueshme, viktima mëson mënyra për të përballuar situatat e vështira dhe për të rifituar besimin në vetvete dhe te të tjerët. Kjo ndihmë është thelbësore për rikthimin gradual në një jetë të qëndrueshme dhe të shëndetshme.

Fjalorth

Ankth – ndjesia kur je vazhdimisht i/e shqetësuar, ke frikë pa arsye të qartë ose të duket sikur do të ndodhë diçka e keqe.
Depresioni – gjendje e thellë trishtimi kur fëmija nuk ka energji, nuk ka dëshirë për aktivitete dhe ndihet i pashpresë për një kohë të gjatë.
Çrregullimet e gjumit – vështirësi për të fjetur, zgjime të shpeshta gjatë natës, makthe ose ndjesi frike kur vjen ora e gjumit.
Çrregullimet e të ngrënit – humbje oreksi ose ngrënie e tepërt për shkak të stresit; ndryshim i papritur i mënyrës së të ushqyerit.
PTSD (Stresi posttraumatik) – gjendje që ndodh pas një ngjarjeje shumë të frikshme kur fëmija përjeton rikthime të ngjarjes, frikë të fortë, nervozizëm, shmangie të vendeve ose të njerëzve që i kujtojnë atë që ka ndodhur.

SITUATË RASTI

“Arta dhe reagimi i të rriturve”
Arta, 14 vjeçe, prej disa javësh po përjetonte bullizëm në shkollë. Disa nxënës e tallnin vazhdimisht për mënyrën se si vishej dhe kishin filluar të shpërndanin edhe mesazhe fyese në rrjetet sociale. Pas shumë ngurrimesh, Arta vendosi t’i tregonte mësueses së saj.
Kur ajo foli, mësuesja i tha: “Mos i merr shumë seriozisht, këto janë gjëra që ndodhin mes adoleshentëve.” Arta u ndie e zhgënjyer dhe e pavlerësuar. Kur shkoi në shtëpi dhe u tregoi prindërve, ata i thanë: “Duhet të jesh më e fortë, mos u shqetëso për gjëra të vogla.”
Pas këtyre reagimeve, Arta vendosi të mos fliste më me askënd për atë që po kalonte. Ajo filloi të izolohej, të mos merrte pjesë në aktivitete dhe të ndihej gjithnjë e më e pasigurt dhe e trishtuar.
Ndahuni në grupe dhe diskutoni pyetjet:
– Cili është problemi kryesor që përjeton Arta?
– Cilat reagime të të rriturve përbëjnë viktimizim të dytë? Pse?
– Si ndikuan këto reagime në gjendjen emocionale dhe sjelljen e Artës?
– Si duhej të reagonin mësuesja dhe prindërit për ta mbështetur Artën?

E vërtetë apo e gabuar?

□ Viktimizimi i dytë ndodh vetëm gjatë ngjarjes së parë traumatike.
□ Trajtimi me respekt dhe mbështetje rrit besimin e fëmijës te sistemi i drejtësisë.
□ Detyrimi i fëmijës për ta treguar vazhdimisht historinë mund ta thellojë traumën.
□ Viktimizimi i dytë nuk ndikon në shëndetin mendor të fëmijës.
□ Mbrojtja e fëmijës nga viktimizimi i dytë ndihmon në riintegrimin social të tij.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Sipas mendimit tuaj, cilët ndikojnë më shumë në krijimin e viktimizimit të dytë: të rriturit apo bashkëmoshatarët? Pse?
  2. Çfarë ndikon më tepër te një fëmijë: vetë ngjarja që përjeton apo mënyra se si trajtohet nga të tjerët pas saj?
  3. Pse disa fëmijë zgjedhin të mos raportojnë dhunën pasi e kanë përjetuar atë? Çfarë i pengon ata?