10.2. Qendra e banuar dhe qarkullimi brenda saj

Nxënësi/ja:
  • përkufizon çfarë është një qendër e banuar dhe elementet kryesore të saj, si banesat, rrugët, trotuaret, pedonalet, shkollat etj.;
  • shpjegon ndërvarësinë mes këtyre elementeve dhe rëndësinë e tyre për një qarkullim të sigurt;
  • vlerëson rëndësinë e rregullave të qarkullimit brenda një qendre të banuar.
Fjalë kyçe:

qendër e banuar,
zonë interurbane,
këmbësorë.

A E DINI SE?

  • Brenda një qendre të banuar kërkohet kujdes në një nivel më të lartë, sepse në të njëjtën rrugë lëvizin njëkohësisht makina, biçikleta dhe këmbësorë, veçanërisht fëmijë.

    A jeni dakord me pohimin e mësipërm? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Çfarë është një qendër e banuar?

Qendër e banuar quhet një zonë ku ka një grupim të vazhdueshëm ndërtesash, si: shtëpi, pallate, biznese, institucione dhe hapësira publike që lidhen me jetën e përditshme, si: rrugë, sheshe, lulishte dhe zona të tjera të përdorimit publik. Kjo zonë përcaktohet qartë në hyrje dhe në dalje të saj me sinjale rrugore që tregojnë fillimin dhe fundin e qendrës së banuar. Në qendrën e banuar ka hyrje dhe dalje të shpeshta në rrugë si për mjetet, ashtu edhe për këmbësorët.
Ndryshe nga zonat interurbane (jashtë qendrave të banuara), në qendrën e banuar qarkullimi është më i ndërprerë, sepse ka më shumë këmbësorë, kryqëzime, ndalesa, parkime dhe shërbime pranë rrugës (dyqane, shkolla, institucione). Ndërsa në zonat interurbane rrugët përdoren kryesisht për lidhjen midis vendbanimeve, prandaj qarkullimi është zakonisht më i rrjedhshëm, me më pak ndërprerje dhe me më pak ndërveprim me këmbësorët.

Elementet kryesore të një qendre të banuar

Një qendër e banuar përbëhet nga disa elemente që lidhen me njëri-tjetrin.
Banesat dhe rrugët krijojnë zonën e jetesës dhe të lëvizjes së përditshme; rrugët lidhin shtëpitë me shërbimet.
Trotuaret dhe sheshet janë hapësira publike ku lëvizin këmbësorët dhe ku njerëzit qëndrojnë, komunikojnë dhe kryejnë aktivitete.
Pedonalet dhe zonat për këmbësorë janë hapësira ku këmbësorët kanë përparësi (lëvizje më e sigurt, më pak konflikt me mjetet).
Shkollat dhe institucionet social-kulturore krijojnë pika me lëvizje të lartë (nxënës, prindër, staf), sidomos në orare të caktuara.
Parkimet ndikojnë drejtpërdrejt në rrjedhën e trafikut; parkimi i gabuar mund të bllokojë rrugën dhe të ulë dukshmërinë.

Si lidhen elementet e rrugës me njëri-tjetrin

Në një qendër të banuar rruga funksionon si një sistem, ku çdo element lidhet me tjetrin dhe ndikon drejtpërdrejt te siguria. Nëse trotuaret janë të zëna nga makina, tregtia ose janë të dëmtuara, këmbësorët detyrohen të ecin në karrexhatë, afrohen me mjetet dhe rritet rreziku i aksidenteve. Nëse parkimi nuk është i organizuar, mjetet ndalojnë ku të munden, bllokojnë korsitë, ulin shikueshmërinë në kryqëzime dhe sjellin pengesa për ambulancën, zjarrfikësen apo autobusët. Po ashtu, nëse pranë shkollave mungojnë sinjalizimet, kalimet e këmbësorëve dhe masat e ngadalësimit, fëmijët ekspozohen më shumë ndaj rrezikut, sepse lëvizjet e tyre janë të shpeshta dhe shpesh të paparashikueshme. Prandaj, një qendër e banuar bëhet e sigurt kur hapësirat (trotuar–karrexhatë–parkim) janë të ndara qartë dhe rregullat respektohen nga të gjithë përdoruesit e rrugës.

Rregullat e qarkullimit brenda një qendre të banuar

Në qendrat e banuara (qytete, fshatra, lagje) qarkullimi është më i ndërlikuar, sepse në të njëjtën hapësirë lëvizin njëkohësisht këmbësorë, automjete, biçikleta, mjete të transportit publik. Gjithashtu, ka shumë ndërprerje të rrjedhës së trafikut (kryqëzime, ndalesa autobusi, parkime, hyrje-dalje në banesa dhe në dyqane). Për këtë arsye, edhe një gabim i vogël (nxitimi, mungesa e vëmendjes, parkimi i gabuar) mund të kthehet në rrezik të vërtetë, sidomos pranë shkollave dhe vendkalimeve ku qarkullojnë fëmijët. Për të pasur një qarkullim të sigurt dhe funksional në një qendër të banuar, qytetarët duhet të kuptojnë dhe të zbatojnë disa rregulla praktike.
Pranë shkollave, këndeve të lojërave dhe zonave me shumë këmbësorë, drejtuesi duhet të lëvizë më ngadalë dhe me shumë kujdes, sepse fëmijët mund të dalin papritur në rrugë. Te vendkalimi i këmbësorëve, drejtuesi duhet të ngadalësojë dhe të ndalojë për t’i dhënë përparësi këmbësorit. Ndërsa këmbësori duhet të kalojë vetëm pasi të sigurohet që e kanë parë. Parkimi i gabuar pranë vijave të bardha, kryqëzimeve dhe kthesave bllokon pamjen dhe rrit rrezikun e aksidenteve.

SITUATË RASTI

“Trotuari i bllokuar përballë shkollës”
Në një qendër të banuar përballë një shkolle 9-vjeçare disa automjete kanë parkuar në trotuar gjatë orarit të hyrjes së nxënësve. Si pasojë, hapësira për këmbësorët është bllokuar dhe fëmijët janë të detyruar të zbresin nga trotuari dhe të ecin shumë pranë karrexhatës, ku qarkullojnë automjetet.
Në të njëjtën kohë, një autobus ndalet për të zbritur nxënësit, ndërsa një makinë tjetër përpiqet të kalojë pranë zonës së vijave të bardha. Dukshmëria në kryqëzim është e kufizuar për shkak të parkimit të gabuar dhe situata bëhet e rrezikshme, sidomos për fëmijët që mund të lëvizin papritur.

Pyetje për diskutim
– Cilat rregulla të qarkullimit janë shkelur në këtë situatë?
– Pse parkimi mbi trotuar përbën rrezik për këmbësorët?
– Si ndikon parkimi i gabuar në dukshmërinë pranë shkollës dhe vijave të bardha?
– Çfarë duhet të bëjnë drejtuesit e mjeteve në këtë zonë?
– Çfarë masash mund të merren për ta bërë më të sigurt këtë zonë?

E vërtetë apo e gabuar?

□ Qendra e banuar ka më shumë këmbësorë dhe kërkon kujdes në një nivel më të lartë në qarkullim.
□ Pedonalet janë hapësira të paracaktuara kryesisht për mjetet.
□ Parkimi i gabuar mund të pengojë qarkullimin dhe të rrezikojë këmbësorët.
□ Trotuaret nuk ndikojnë në sigurinë e qarkullimit.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Pse duhet kujdes në një nivel më të lartë në qarkullim pranë shkollave?
  2. Si ndihmojnë trotuaret dhe zonat për këmbësorë në uljen e aksidenteve?
  3. Jepni një shembull se si parkimi i gabuar i rrezikon këmbësorët në lagjen tuaj.