Nxënësi/ja:
- përshkruan hapat e procesit restaurues;
- analizon rëndësinë e parandalimit të viktimizimit të dytë;
- propozon zgjidhje restauruese në raste konkrete.
Në këtë temë do të përsëriten konceptet kryesore që lidhen me drejtësinë penale për të miturit, drejtësinë restauruese, parandalimin e viktimizimit të dytë dhe do të theksohet zbatimi i tyre praktik në zgjidhjen e konflikteve.
Konceptet kryesore
• Kodi Penal është ligji që përcakton cilat veprime konsiderohen vepra penale dhe çfarë dënimesh jepen për to. Qëllimi i tij është që të mbrojë shoqërinë, rendin dhe sigurinë.
• Vepra penale është çdo veprim ose mosveprim që dëmton shoqërinë dhe ndalohet me ligj. Për shembull, dëmtimi i pronës, dhuna, mashtrimi etj.
• Autori është personi që kryen drejtpërdrejt veprën penale. Bashkëpunëtori është ai që ndihmon, nxit, këshillon ose kontribuon për kryerjen e veprës.
• Veprimi me dashje ndodh kur personi e ka qëllimin dhe e dëshiron pasojën.
Veprimi nga pakujdesia ndodh kur pasoja shkaktohet pa qëllim, por për shkak të mungesës së kujdesit. Veprat me dashje dënohen më rëndë.
• Askush nuk mund të dënohet për një veprim që nuk është i ndaluar qartë nga ligji. Ligji duhet të jetë i shkruar, i njohur dhe i zbatueshëm në mënyrë të barabartë për të gjithë.
• Përgjegjësia penale fillon në moshën 14-vjeçare. Të miturit trajtohen ndryshe nga të rriturit, duke pasur në qendër jo dënimin, por ndërgjegjësimin dhe riedukimin.
• Të miturit që kryejnë vepra penale nuk dërgohen në të njëjtat institucione si të rriturit. Masat përfshijnë: këshillim psikologjik, mbikëqyrje, shërbime në komunitet, programe riedukimi ose qendra të posaçme.
• Drejtësia restauruese synon riparimin e dëmit dhe jo thjesht ndëshkimin. Përfshin autorin, viktimën dhe komunitetin, duke përdorur dialogun, marrëveshjen dhe shërbimet në komunitet.
• Viktimizimi i dytë ndodh kur viktima dëmtohet sërish gjatë hetimit ose trajtimit, p.sh. kur pyetet në mënyrë fyese ose kur nuk merret seriozisht. Qëllimi është ta mbrojmë viktimën dhe ta trajtojmë me respekt.
Plotësoni vendet boshe
(autor, përgjegjës, me dashje, nga pakujdesia)
• Kur një person ka kryer një vepër penale sipas ligjit, themi se është ________.
• Një person mund të marrë dënim nga gjykata vetëm nëse konsiderohet ________, pra nëse ligji lejon që ai të mbajë përgjegjësi penale.
• Një veprim i bërë qëllimisht quhet vepër ________.
• Një veprim që ka sjellë pasoja sepse s’është treguar kujdesi i nevojshëm quhet ________.
E vërtetë apo e gabuar?
□ Një 13-vjeçar mund të dënohet nga gjykata.
□ Veprat me dashje janë më të rënda se veprat nga pakujdesia.
□ Ndërtimi i një profili të rremë online për të tallur dikë mund të konsiderohet vepër penale.
□ Dënimet për të miturit janë më të buta, sepse ata kanë mundësi më të madhe për t’u riedukuar.
Situatë rasti
“Erioni dhe biçikleta e fqinjit”
Erioni, 16 vjeç, dhe dy shokë të tij, vendosin të bëjnë një video për një sfidë në rrjetet sociale. Ata shohin një biçikletë të lënë në oborrin e një fqinji dhe vendosin ta marrin pa kërkuar leje, vetëm për të bërë një xhiro në lagje dhe për ta filmuar videon.
Gjatë xhiros, Erioni rrëzohet dhe biçikleta dëmtohet. Kur kthehen, fqinjit i bie në sy që biçikleta është e dëmtuar. Ai kërkon shpjegim dhe më pas njofton policinë.
Policia identifikon Erionin dhe shokët e tij. Sipas ligjit, veprimi mund të konsiderohet kundërvajtje penale, sepse ata kanë marrë pasurinë e dikujt pa leje dhe kanë shkaktuar dëmtim të saj.
Erioni pranon se ka gabuar dhe thotë se nuk kishte ndër mend ta vidhte biçikletën, por vetëm ta përdorte për video.
Autoritetet kanë dy mënyra për ta trajtuar rastin:
1. Procedurë penale klasike
Rasti mund të shkojë në gjykatën për të mitur. Gjykata mund të vendosë një masë ndëshkuese ose një paralajmërim zyrtar.
2. Drejtësi restauruese
Organizohet një takim ndërmjet Erionit, prindërve të tij dhe fqinjit.
Në këtë takim:
Erioni kërkon falje për veprimin e tij.
Ai pranon të paguajë ose të ndihmojë për riparimin e biçikletës.
Ai pranon gjithashtu të ndihmojë fqinjin për disa ditë në punët e oborrit.
Qëllimi është që dëmi të riparohet dhe Erioni të kuptojë pasojat e veprimeve të tij.
Pyetje për diskutim
– Cila mënyrë mendoni se është më e drejtë për këtë rast: procedura penale apo drejtësia restauruese?
– Pse mendoni se ligji i trajton ndryshe të miturit nga të rriturit?
– Cila nga këto mënyra do ta ndihmonte më shumë Erionin që të mos e përsëritë gabimin?

