6.3. Pasojat financiare, sociale dhe psikologjike të dëmtimit të pronës publike

Nxënësi/ja:
  • shpjegon se dëmtimi i pronës publike ka kosto financiare, që bien mbi komunitetin dhe taksapaguesit;
  • analizon pasojat sociale dhe psikologjike të dëmtimit të pronës publike;
  • argumenton se dëmtimi i pronës publike është një akt kundër
    komunitetit dhe dëmton shërbimet që i përdorin të gjithë.
Fjalë kyçe:

përkatësi komunitare,
ndikim social,
efekti “Dritaret e thyera”.

A E DINI SE?

  • Një mjedis i dëmtuar i mëson njerëzit të mos kujdesen për asgjë.
  • Fëmijët mësojnë më shumë nga ajo që shohin rreth tyre sesa nga ajo që u thuhet.

    A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Prona publike është pasuria e përbashkët e të gjithë qytetarëve. Sikurse e kemi përmendur dhe në temat e mëparshme, në këtë kategori hyjnë: shkollat, parqet, stolat, rrugët, bibliotekat dhe çdo shërbim apo hapësirë që përdoret nga komuniteti. Dëmtimi i pronës publike nuk është thjesht një sjellje e papërgjegjshme, por ka pasoja të drejtpërdrejta financiare, sociale dhe psikologjike për të gjithë shoqërinë.

Pasojat financiare

Çdo dëm i shkaktuar në pronën publike ka kosto ekonomike. Riparimi ose zëvendësimi i një objekti të dëmtuar paguhet nga taksat e qytetarëve, pra nga vetë komuniteti.
Dëmtimi i një stoli, thyerja e një dritareje në shkollë, shkrimi i grafiteve në mure apo shkatërrimi i pajisjeve në një park shkakton kosto reale financiare, të cilat paguhen nga taksat e qytetarëve. Kjo do të thotë se paratë që mund të ishin përdorur për libra, laboratorë, shërbime më të mira apo hapësira të reja rekreative shkojnë për riparime.
Prandaj, dëmtimi i pronës publike dëmton drejtpërdrejt cilësinë e shërbimeve që i përdorim të gjithë.

Dëmtimi i stolave i mureve të shkollës dëmton mjedisin e të gjithëve. Ky lloj vandalizmi ul cilësinë e jetës dhe ndjenjën e përkatësisë.

Pasojat sociale dhe psikologjike të dëmtimit të pronës publike

Dëmtimi i pronës publike, përveç kostove ekonomike, ka pasoja të rënda sociale dhe psikologjike. Më poshtë shpjegohen ndikimet kryesore.

Pasojat sociale

Ulja e sigurisë në komunitet. Kur parqet, shkollat apo rrugët dëmtohen, njerëzit fillojnë të ndihen më pak të sigurt në zonën ku jetojnë. Për shembull, nëse stolat në park thyhen shpesh ose ka grafite fyese në mure, familjet mund ta shmangin zonën, sepse u duket e pasigurt.
Rënia e kujdesit për hapësirat e përbashkëta. Një mjedis i dëmtuar i bën njerëzit të mendojnë se “pronat publike nuk janë të askujt”, prandaj edhe nuk ia vlen të kujdesesh për to. Për shembull, nxënësit që shohin muret e shkollës të vizatuara pa leje mund të fillojnë ta pranojnë vandalizmin si diçka normale.
Dobësimi i besimit tek institucionet. Kur prona publike dëmtohet vazhdimisht dhe nuk riparohet, qytetarët mund të humbasin besimin te shkolla, bashkia ose institucionet përgjegjëse. Për shembull, nëse ndriçimi publik prishet dhe nuk rregullohet për një kohë të gjatë, banorët mendojnë se askush nuk kujdeset për zonën e tyre.

Pasojat psikologjike

Rritja e stresit dhe e shqetësimit. Mjediset e dëmtuara mund të krijojnë ndjenjë tensioni, pasigurie dhe shqetësimi te njerëzit. Për shembull, një nxënës mund të ndihet më i shqetësuar në një shkollë me dyer të thyera, mure të dëmtuara dhe ambiente të ndotura.
Normalizimi i sjelljeve negative. Kur vandalizmi shihet shpesh, disa të rinj mund të fillojnë ta konsiderojnë si diçka të zakonshme. Për shembull, nëse dëmtimi i bankave ose i mureve ndodh shpesh, nxënësit mund të humbasin ndjeshmërinë ndaj gabimit.
Ulja e krenarisë dhe e përgjegjësisë qytetare. Një mjedis i dëmtuar mund të dobësojë ndjenjën e kujdesit dhe të përgjegjësisë ndaj hapësirës së përbashkët. Për shembull, kur një lagje duket e lënë pas dore, banorët mund të ndihen më pak krenarë për vendin ku jetojnë.
Ulja e motivimit dhe e dëshirës për të mbajtur rregull. Mjedisi i shkatërruar ndikon negativisht në humor, në disiplinë dhe në sjellje. Për shembull, nxënësit kanë më pak dëshirë të shkojnë në një shkollë me klasa të dëmtuara e oborr të shkatërruar dhe mund të humbasin motivimin për të ruajtur pastërtinë.
Dobësimi i lidhjes me komunitetin ose me shkollën. Kur hapësira publike është e prishur, njerëzit ndihen më pak të lidhur emocionalisht me vendin ku jetojnë ose ku mësojnë. Për shembull, një shkollë e dëmtuar ul ndjenjën e krenarisë dhe të përkatësisë te nxënësit, duke ndikuar në sjelljen dhe në pjesëmarrjen e tyre.

Hapësirat e neglizhuara dobësojnë përgjegjësinë dhe krenarinë qytetare.

Efekti “Dritaret e thyera” – Pse një dritare e thyer sjell më shumë dëme?
Efekti “Dritaret e thyera” është një teori e zhvilluar nga studiuesit Xhejms Uillson dhe Xhorxh Kelling. Sipas kësaj teorie, kur në një mjedis shfaqet një shenjë e vogël dëmtimi ose neglizhimi, si një dritare e thyer, një mur i mbuluar me grafite ose një stol i dëmtuar dhe askush nuk e riparon, kjo i dërgon komunitetit një mesazh të qartë: “Askush nuk kujdeset për këtë vend.” Si rezultat i këtij mesazhi të heshtur:
• disa persona ndihen më të lirë të bëjnë dëme të tjera;
• rritet vandalizmi;
• ulet ndjenja e sigurisë;
• komuniteti fillon ta shohë hapësirën si të lënë pas dore;
• shfaqen sjellje antisociale, që ndoshta nuk do të ndodhnin në një mjedis të pastër e të mirëruajtur.
Një dritare e thyer nuk është më vetëm një problem, por bëhet shenjë e dukshme se rregulli nuk zbatohet. Kjo i shtyn disa njerëz të mendojnë se dëmtimi i hapësirës është i pranueshëm.

Plotësoni vendet boshe

(taksat, sigurisë, shoqërisë, vandalizmi, përkatësisë, pronës publike)
• Shkollat, parqet dhe rrugët janë pjesë e __________________.
• Riparimi i pronës së dëmtuar publike paguhet nga __________________ e qytetarëve.
• __________________ është dëmtimi i qëllimshëm i pronës publike ose i pronës private.
• Dëmtimi i pronës publike ul ndjenjën e __________________ në komunitet.
• Kur mjediset publike janë të dëmtuara, dobësohet ndjenja e __________________ me shkollën ose me lagjen.
• Prona publike i përket gjithë __________________ dhe duhet të ruhet nga të gjithë.

E vërtetë apo e gabuar?

□ Riparimi i pronës publike nuk ka kosto për qytetarët.
□ Dëmtimi i pronës publike ndikon vetëm te shteti dhe jo te komuniteti.
□ Një mjedis i dëmtuar mund të ulë ndjenjën e sigurisë te njerëzit.
□ Sipas efektit “Dritaret e thyera”, dëmtimet e vogla të pariparuara mund të çojnë në dëmtime më të mëdha.
□ Kur pronat publike dëmtohen, kjo nuk ndikon në cilësinë e jetës së nxënësve.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. A mendoni se mjedisi i dëmtuar i shkollës ndikon në sjelljen e nxënësve? Si
  2. Kush dëmtohet më shumë nga vandalizmi: shteti apo komuniteti? Pse?
  3. A mendoni se dëmtimi i pronës publike lidhet me mungesën e përgjegjësisë personale apo me mungesën e kontrollit nga institucionet?
  4. A keni parë ndonjëherë vandalizëm në lagje ose në shkollë? Si reagon komuniteti?

DETYRË

Shkruani një ese me temë “Oborri i shkollës: përgjegjësi e përbashkët”, duke u bazuar në situatën e mëposhtme.
Imagjinoni sikur një mëngjes shkoni në shkollë dhe vini re se dikush ka dëmtuar oborrin e shkollës, ka thyer stolat dhe ka shkarravitur muret.
Në ese përshkruani:
• Si do të ndiheshit personalisht në një situatë të tillë?
• Çfarë ndikimi social dhe psikologjik do të kishte ky veprim për komunitetin e shkollës, nëse dëmi nuk riparohet?
• Çfarë mund të bëjë secili nxënës për të parandaluar që situata të tilla të mos ndodhin përsëri dhe për të mbrojtur pronën e përbashkët?
Eseja duhet të jetë e qartë, e argumentuar dhe të pasqyrojë mendimin tuaj personal.