8.4. Punësimi informal dhe pasojat e tij

Nxënësi/ja:
  • identifikon institucionet kryesore ku mund të kërkohet ndihmë dhe këshillë ligjore në rast shkeljesh të të drejtave në punë;
  • analizon rreziqet dhe pasojat negative të punësimit informal për individin dhe për shoqërinë;
  • angazhohet në promovimin e praktikave të ndershme të punësimit.
Fjalë kyçe:

punësim informal,
“punë në të zezë”,
përfitime sociale.

A E DINI SE?

  • Puna pa kontratë mund të duket si një zgjidhje e shpejtë për të gjetur punë, sepse njerëzit duhet të mbijetojnë, por shpesh i lë punonjësit pa mbrojtje dhe pa të drejta.
    A jeni dakord me pohimin e mësipërm? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Çfarë është punësimi informal?

Punësim informal quhet çdo formë punësimi që zhvillohet jashtë kuadrit ligjor, kur një person punon pa kontratë të rregullt dhe pa u deklaruar pranë institucioneve shtetërore. Në gjuhën e përditshme kjo formë quhet shpesh “punë në të zezë”. Në këto raste, punëdhënësi nuk e informon shtetin për punësimin e punëtorit dhe shmang pagesën e taksave dhe të kontributeve të sigurimeve, ndërsa punëmarrësi merr pagë “në dorë”, pa dokumente dhe pa mbrojtje ligjore.
Sipas përkufizimit ligjor, punësimi informal është çdo marrëdhënie pune që nuk u nënshtrohet kërkesave të Kodit të Punës, si: kontrata e regjistruar, respektimi i orarit, i pushimeve dhe pagesa e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Punësimi informal përfshin edhe raste kur paga deklarohet vetëm pjesërisht ose kur një person vetëpunësohet pa e regjistruar aktivitetin e tij.

Pasojat e punësimit informal

Punësimi informal ka pasoja serioze negative si për individin, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi.
Për punëmarrësin, puna në të zezë do të thotë mungesë mbrojtjeje ligjore. Ai nuk ka sigurime shoqërore dhe shëndetësore, prandaj nuk përfiton pension në të ardhmen, nuk ka mbulim mjekësor, leje lindjeje apo përfitim papunësie. Po ashtu, nuk ka kontratë ku të mbështetet për orarin, për pushimet apo për pagën dhe mund të largohet nga puna pa paralajmërim dhe pa dëmshpërblim. Në rast aksidenti ose sëmundjeje, punonjësi informal mbetet shpesh i pambrojtur dhe pa ndihmë.
Për punëdhënësin, punësimi informal mund të duket si kursim afatshkurtër, por, në fakt, përbën shkelje ligjore dhe ka rrezik për gjoba dhe ndëshkime të rënda. Ndërkohë, shteti humbet të ardhura nga taksat dhe sigurimet, gjë që ndikon negativisht në shërbimet publike, ndërsa bizneset që punojnë ndershmërisht janë në disavantazh.
Punësimi informal haset më shpesh në sektorë me punë sezonale dhe paga të ulëta, si: bujqësia, ndërtimi, tregtia e vogël, baret dhe restorantet. Edhe shumë të rinj pranojnë punë verore pa kontratë, shpesh nga nevoja ekonomike ose nga mosnjohja e ligjit, pa menduar për pasojat afatgjata.

Njohja e kërkesave specifike ligjore

Njohja e kërkesave specifike ligjore, si: licensat, certifikimet dhe rregulloret e sigurisë, është një element thelbësor për ushtrimin e ligjshëm dhe të përgjegjshëm të profesioneve të caktuara. Shumë profesione nuk mund të ushtrohen vetëm mbi bazën e aftësive praktike, por kërkojnë edhe plotësimin e kushteve ligjore që garantojnë sigurinë, cilësinë e shërbimit dhe mbrojtjen e interesit publik.
Licensat dhe certifikimet shërbejnë si dëshmi se një person ka kualifikimin e nevojshëm profesional dhe përmbush standardet e përcaktuara nga ligji. Për shembull, profesionet në ndërtim, shëndetësi, transport apo shërbime teknike kërkojnë certifikime të posaçme për të garantuar që puna të kryhet në mënyrë të sigurt dhe profesionale. Pa këto dokumente, individi rrezikon jo vetëm penalitete ligjore, por edhe dëmtimin e shëndetit dhe të jetës së vet apo të të tjerëve.
Po aq të rëndësishme janë edhe rregulloret specifike të sigurisë, të cilat synojnë të parandalojnë aksidentet dhe sëmundjet profesionale. Respektimi i këtyre rregulloreve është detyrim ligjor, por edhe shenjë përgjegjshmërie profesionale. Njohja dhe zbatimi i tyre kontribuon për krijimin e një mjedisi të sigurt pune dhe për ruajtjen e shëndetit afatgjatë të punëmarrësit.

Kujt mund t’i drejtohemi për ndihmë?

Në rast shkeljesh të të drejtave në punë, punëmarrësit mund të kërkojnë ndihmë dhe këshilla ligjore pranë:
• Inspektoratit të Punës, i cili kontrollon zbatimin e ligjeve të punës dhe ndërhyn në rast shkeljesh;
• sindikatave, që mbrojnë interesat kolektivë të punonjësve dhe i përfaqësojnë ata ndaj punëdhënësit;
• gjykatave, ku punëmarrësit mund t’u drejtohen për zgjidhjen ligjore të konflikteve të punës;
• institucioneve të tjera mbrojtëse të të drejtave të punëmarrësve, si organizata që ofrojnë ndihmë dhe këshillim ligjor;
• avokatit, i cili ofron këshillim ligjor, përfaqëson punëmarrësin dhe e ndihmon të mbrojë të drejtat e tij në rrugë ligjore.
Këto institucione kanë për detyrë të mbrojnë punonjësit dhe të sigurojnë respektimin dhe zbatimin e ligjit në marrëdhëniet e punës.

Roli personal në luftën ndaj punësimit informal

Çdo individ ka një rol të rëndësishëm në refuzimin e punësimit informal. Duke kërkuar kontratë pune, sigurime dhe kushte të ligjshme, punëmarrësit mbrojnë veten dhe kontribuojnë për një treg pune më të drejtë. Informimi, ndërgjegjësimi dhe respektimi i ligjit janë hapa thelbësorë për promovimin e praktikave të ndershme të punësimit.

SITUATË RASTI

“Pasojat e punës në të zezë”
Iliri ka punuar si murator për rreth dhjetë vjet, shpesh pa kontratë dhe pa sigurime. Ai paguhej me ditë pune dhe mendonte se përfitonte, pasi merrte më shumë para në dorë.
Sot, në moshën 50 vjeç, Iliri ka probleme shëndetësore për shkak të punës së rëndë. Kur u interesua për pensionin, zbuloi se vetëm pak vite i ishin njohur si të siguruara, pasi pjesën më të madhe të kohës kishte punuar në të zezë.
Si pasojë, ai duhet të punojë më gjatë për të siguruar pension dhe përfitimet e tij do të jenë më të ulëta. Gjithashtu, ai has vështirësi për të përfituar ndihmë shëndetësore, pasi nuk ka qenë i siguruar rregullisht.
Kjo përvojë e bëri Ilirin të kuptojë se përfitimet afatshkurtra nuk mund të zëvendësojnë sigurinë dhe të drejtat afatgjata.
Pyetje reflektuese
– A ia vlen “më shumë para sot” kur humbet sigurinë nesër?
– Kush humbet më shumë nga puna në të zezë: punëtori, shteti apo të dy?
– Si ndikon puna informale në pensionin dhe në shëndetin e punëtorit?

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Çfarë rrezikojnë punëtorët kur punojnë pa kontratë dhe pa sigurime, veçanërisht në rast aksidenti ose sëmundjeje?
  2. Pse disa punëdhënës dhe punëtorë e pranojnë punësimin informal, edhe pse e dinë që është i paligjshëm? Përmendni dy arsye.
  3. Cila mendoni se është mënyra më e efektshme për të ulur punësimin informal: ndëshkimi me gjoba apo mbështetja dhe informimi? Pse?

DETYRË

Bëni një hulumtim në familjen apo në komunitetin tuaj. Pyetini prindërit, fqinjët apo të njohurit nëse kanë hasur raste të punësimit informal. Formuloni tri pyetje të shkurtra (p.sh.: “A keni punuar ndonjëherë pa kontratë?”, “Në cilin sektor ndodh më shpesh puna në të zezë sipas jush?”, “Cilat janë arsyet që njerëzit pranojnë të punojnë pa u siguruar?”). Mblidhni përgjigjet (minimalisht nga 5 persona) dhe ruajini të dhënat e mbledhura për orën e veprimtarisë praktike.