1.2. Ligji dhe vlerat: një lidhje thelbësore

Nxënësi/ja:
  • identifikon lidhjen midis ligjit dhe vlerave themelore të një shoqërie;
  • dallon normat ligjore nga normat morale dhe ato shoqërore;
  • analizon se si vlerat morale, ekonomike, politike dhe shoqërore pasqyrohen në ligje.
Fjalë kyçe:

vlera morale,
vlera shoqërore,
vlera politike.

A E DINI SE?

• Ligjet nuk shërbejnë vetëm për të ndëshkuar, por edhe për të mbrojtur dhe për të garantuar bashkëjetesën në shoqëri.
• Parimi i barazisë para ligjit nënkupton që askush nuk ka më shumë të drejta apo më pak përgjegjësi se të tjerët.
• Ligjet nuk janë të pandryshueshme: ato përshtaten me ndryshimet shoqërore, ekonomike dhe kulturore.

A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Ligji dhe kultura

Ligjet burojnë nga vlerat morale, shoqërore, ekonomike dhe politike që mbizotërojnë në një shoqëri në periudha të caktuara kohore. Kur ndryshojnë këto vlera, ndryshojnë edhe nevojat e shoqërisë, si pasojë mund të ndryshojë edhe ligji. Për këtë arsye, ligjet nuk janë të pandryshueshme, por zhvillohen dhe përshtaten nën ndikimin e faktorëve shoqërorë, moralë dhe politikë.
Po ashtu, ligjet ndryshojnë nga një vend në tjetrin, sepse çdo shoqëri ka kulturën, traditat dhe problemet e veta. Prandaj, një rregull që është i nevojshëm në një shtet, mund të mos jetë i domosdoshëm në një tjetër.
Për shembull, shoqëritë që kanë kaluar periudha të gjata nën regjime diktatoriale mund të kenë më shumë nevojë për ligje që mbrojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve, si e drejta për informim apo e drejta për shprehje të lirë.

Në Republikën e Shqipërisë ligjet miratohen nga Kuvendi

Në Republikën e Shqipërisë ligjet miratohen nga Kuvendi

SHEMBULL

1. Në vitin 2010 Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”. Deri në atë kohë nuk kishte pasur një ligj të veçantë për mbrojtjen e fëmijëve. Pas shumë ndryshimeve sociale dhe politike në Shqipëri ndryshoi dhe mendësia shoqërore se fëmija është i prindërve dhe atë e mbrojnë vetëm prindërit, sepse ata janë përgjegjës për të. U zhvillua një kuptim i ri për mbrojtjen e fëmijës si një detyrë, së pari e prindërve, por edhe e institucioneve dhe shoqërisë, që solli miratimin e ligjit dhe ngritjen e disa institucioneve që duhet të ndihmojnë fëmijën në rast se dhunohet apo neglizhohet në familje.

2. Në vitin 1998 Kuvendi i Shqipërisë miratoi Kushtetutën e Shqipërisë. Ajo ishte një kushtetutë e re, që bazohej në vlerat e shtetit të së drejtës, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Kushtetuta e vjetër, e vitit 1976, që ishte në fuqi deri në vitin 1991, bazohej në vlerën e diktaturës, ndarjes së shoqërisë në klasa, ekzistencës së vetëm një partie, mosrespektimit të besimit fetar etj. Ajo kushtetutë nuk mund të qëndronte më në fuqi, sepse shoqëria shqiptare ndryshoi shumë në aspektin shoqëror, politik dhe ekonomik.

Nga ana tjetër, në disa shtete ku feja dhe vlerat fetare kanë një rol të rëndësishëm në jetën publike dhe në qeverisje, ligjet mund të ndikohen më shumë nga normat fetare. Në këto raste, mund të jetë më e vështirë të zbatohet një sistem plotësisht laik.
Ndërkohë, shtetet që karakterizohen nga vlera demokratike dhe nga një larmi kulturash dhe komunitetesh, si për shembull Gjermania apo Mbretëria e Bashkuar, priren të krijojnë ligje që respektojnë këtë diversitet dhe që synojnë të garantojnë bashkëjetesë dhe barazi për të gjithë.

Ligjet nuk janë vetëm rregulla formale që drejtojnë sjelljen e individëve, por pasqyrojnë vlerat themelore mbi të cilat funksionon një shoqëri. Ato shprehin bindje morale, orientime politike, marrëdhënie sociale dhe parime ekonomike, që konsiderohen si thelbësore për rendin dhe bashkëjetesën shoqërore. Në këtë mënyrë, ligji dhe kultura janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën: ligjet ndikojnë në mënyrën se si jetojnë njerëzit, ndërsa kultura dhe vlerat e shoqërisë ndikojnë në mënyrën se si krijohen ligjet.

Vlerat dhe rëndësia e tyre

Funksionet e ligjit

Vlerat morale bazohen në ndarjen e së mirës dhe së drejtës nga e keqja. Vlerat morale janë më shumë individuale sesa shoqërore, kjo do të thotë se secili nga ne mund të ketë vlera të ndryshme morale. Ato na mësohen nga familja, feja dhe më pak nga shoqëria. Për shembull, dikush mund të ketë vlerë morale të jetë shumë i/e përkushtuar në familje, ndërsa dikush tjetër mund të ketë mësuar se vlerë morale do të thotë të jesh i pavarur nga familja. Disa vlera morale janë: drejtësia, ndershmëria, besueshmëria, trajtimi i të tjerëve në mënyrën se si do të doje të të trajtonin ty, përkushtimi, mirësia, toleranca, përgjegjshmëria etj.

Vlerat morale formohen nga familja, besimi dhe ndërgjegjja personale.

 Vlerat morale formohen nga familja, besimi dhe ndërgjegjja personale.

Vlerat shoqërore

Vlerat shoqërore janë të rëndësishme për bashkëjetesën tonë në komunitet dhe në shoqëri. Ato synojnë të krijojnë mirëqenie dhe mundësi për të gjithë në një shoqëri apo komunitet të caktuar. Disa nga vlerat shoqërore janë: respekti, drejtësia, ndershmëria, ndihma që u japim të tjerëve, përgjegjshmëria, respekti për familjen, për komunitetin etj.

Bashkëjetesa dhe mirëqenia varen nga vlerat shoqërore.

Bashkëjetesa dhe mirëqenia varen nga vlerat shoqërore.

Vlerat politike

Vlerat politike janë ato vlera që respektojnë njeriun dhe të drejtat e liritë themelore të tij. Demokracia, organizimi në parti politike apo organizata shoqërore, pjesëmarrja në tubime paqësore dhe në vendimmarrje janë disa nga vlerat politike të shoqërisë sonë.

Demokracia dhe pjesëmarrja qytetare si vlera politike.

Demokracia dhe pjesëmarrja qytetare si vlera politike.

Vlerat ekonomike

Vlerat ekonomike, si: zhvillimi i qëndrueshëm, shpërndarja e drejtë e pasurisë, barazia ekonomike apo mbrojtja e burimeve natyrore nuk mbeten thjesht ide teorike. Ato pasqyrohen dhe konkretizohen në ligje përmes një procesi institucional dhe shoqëror të strukturuar.

Vlerat ekonomike udhëheqin krijimin dhe shpërndarjen e pasurisë në shoqëri.

Vlerat ekonomike udhëheqin krijimin dhe shpërndarjen e pasurisë në shoqëri.

SHEMBULL

Në Shqipëri, paga minimale tregon se si një vlerë shoqërore dhe ekonomike kthehet në ligj. Përballë pagave të ulëta dhe rritjes së kostos së jetesës, shoqëria kërkon që puna të sigurojë dinjitetin dhe minimumin e jetesës. Kjo kërkesë përkthehet nga shteti në politikë publike dhe formalizohet në akt ligjor detyrues për të gjithë punëdhënësit, duke e shndërruar drejtësinë ekonomike nga parim abstrakt në rregull konkret, që ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të punonjësve.

SITUATË RASTI

“Kush ka të drejtë?
Le të mbajmë një qëndrim”

Albi dhe Genta duhet të përgatitin një prezantim për ligjin “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj ka si qëllim të përcaktojë ndihmën dhe shërbimet shoqërore për individët dhe grupet në nevojë, të cilët nuk mund të sigurojnë plotësimin e nevojave bazë jetike. Të dy mendojnë që ky është një ligj shumë i rëndësishëm, por Genta mendon se nuk mund të jetohet gjithë jetën me ndihmë ekonomike. Ajo thotë: “Njerëzit duhet të punojnë që të sigurojnë jetesën.”
– Çfarë mendoni ju për këtë ligj?
– A është i nevojshëm?
– Në cilat vlera është bazuar hartimi i tij?
– A ka individë apo familje që mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë me ndihmë ekonomike, apo kjo mund të jetë një zgjidhje e përkohshme?

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

Cilat janë burimet e ligjit?
2. Mund të sillni në klasë shembuj të vlerave morale, shoqërore apo politike të shoqërisë sonë?
3. Pse mund të ndryshojnë ligjet, nëse ndryshojnë këto vlera?

Detyrë

Lexoni ligjin “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve” në: https://www.drejtesia.gov.al/wp content/uploads/2017/11/04_Ligj_18_2017_23.02.2017_Per_te_drejtat_dhe_mbrojtjen_e_femijes.pdf. Pasi të keni lexuar me vëmendje pjesën “Parime të përgjithshme”, gjeni se cilat janë vlerat morale, sociale, ekonomike dhe politike ku është bazuar hartimi i këtij ligji. Diskutoni nëse do të ndryshonit ndonjë gjë nga ligji duke u bazuar në vlera për të cilat ju mendoni se janë të rëndësishme dhe që nuk janë pasqyruar në ligj.