Nxënësi/ja:
- shpjegon konceptin e drejtësisë restauruese dhe rolin e saj në riparimin e dëmit dhe në zgjidhjen e konflikteve;
- reflekton për rëndësinë e përgjegjësisë dhe rolit të komunitetit në zgjidhjen e konflikteve;
- kupton procesin e drejtësisë restauruese, duke përshkruar hapat kryesorë.
Fjalë kyçe:
drejtësi restauruese,
ndërmjetësim,
viktimë, komunitet.
A E DINI SE?
- Studimet dhe praktika shkollore tregojnë se viktimat e bullizmit ndihen më të mbështetura kur u jepet hapësirë të shprehin përvojën, ndjenjat dhe nevojat e tyre përballë autorit dhe komunitetit shkollor.
- Viktimat ndihen më të sigurta dhe më të dëgjuara kur kanë mundësi të shprehin ndjenjat dhe nevojat e tyre, jo vetëm kur zbulojnë që autori është ndëshkuar.
A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.
Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur përfaqëson një qasje më të butë dhe më humane në trajtimin e fëmijëve në konflikt apo kontakt me ligjin. Ky Kod i jep përparësi përdorimit të masave alternative që shmangin ndëshkimin, duke u mbështetur në idenë se rishoqërizimi, rehabilitimi dhe parandalimi i përsëritjes së sjelljeve të paligjshme janë më efektive se ndëshkimi.
Masat alternative të shmangies nga ndjekja penale synojnë të ndihmojnë të miturin të kuptojë pasojat e veprimeve të tij, të marrë përgjegjësi dhe të riparojë dëmin e shkaktuar, pa kaluar domosdoshmërisht nëpër një proces gjyqësor. Kjo qasje i ofron atij mundësi për reflektim dhe ndryshim.
Ndër format më të rëndësishme të këtyre masave përfshihen programet e drejtësisë restauruese dhe ndërmjetësimi.
Çfarë është drejtësia restauruese?
Drejtësi restauruese synon të riparojë dëmin dhe të rikthejë marrëdhëniet dhe jo vetëm të ndëshkojë. Nëpërmjet një procesi vullnetar, që mbështetet në dialog, negocim dhe që përqendrohet në zgjidhjen e problemit, drejtësia restauruese ka si qëllim të rehabilitojë dhe të riintegrojë individët që kanë kryer kundërvajtje penale. Por dhe ata që janë përfshirë në konflikte dhe mosmarrëveshje të natyrës civile, kjo qasje i ndihmon të harmonizojnë qëndrimet dhe sjelljet e tyre me anëtarët e tjerë të komunitetit.
Ndërmjetësimi është një proces vullnetar, ku palët në konflikt, me ndihmën e një ndërmjetësi të paanshëm, dialogojnë dhe kërkojnë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.

Drejtësia restauruese nuk synon vetëm më pak ndëshkime, por ndihmon në kuptimin e pasojave të veprimeve.
Viktima
Në drejtësinë restauruese, viktima ka një rol qendror. Viktima ka mundësi të tregojë se çfarë i ka ndodhur, si është ndier dhe çfarë ka humbur. Drejtësia tradicionale shpesh i lë viktimat jashtë procesit, duke i trajtuar si dëshmitarë të thjeshtë. Ndërsa drejtësia restauruese i jep viktimës hapësirë të shprehet dhe të kërkojë atë për të cilën ka nevojë për t’u ndier më mirë, qoftë një falje e sinqertë, rregullimi i dëmit material a thjesht pranimi i asaj që ka përjetuar.
Autori
Autori i veprës nuk shihet thjesht si një njeri që duhet ndëshkuar, por si dikush që duhet të mbajë përgjegjësi për veprimin e tij. Kjo nuk nënkupton vetëm pranimin e fajit, por edhe reflektimin për pasojat dhe për gatishmërinë për të rregulluar dëmin. Drejtësia restauruese e ndihmon autorin që të kuptojë ndikimin real të veprimit që ka pasur te viktima, gjë që shpesh sjell ndryshime të mëdha në sjelljen e tij. Shumë studime tregojnë se njerëzit kanë më pak gjasë t’i përsëritin gabimet kur e kuptojnë në mënyrë të thellë pasojën që i kanë shkaktuar dikujt tjetër.
Si përfshihet komuniteti në procesin restaurues?
Komuniteti përfshihet në mënyrë aktive dhe të drejtpërdrejtë në procesin restaurues, duke u bërë pjesë e zgjidhjes së konfliktit dhe jo thjesht një vëzhgues i tij. Anëtarë të komunitetit, si mësues, prindër, shokë klase, punonjës socialë apo përfaqësues të lagjes, marrin pjesë në takimet restauruese për të mbështetur procesin dhe për të ndihmuar në rivendosjen e marrëdhënieve.
Gjatë këtyre takimeve, komuniteti kontribuon duke shprehur se si ngjarja ka ndikuar jo vetëm te viktima, por edhe te grupi më i gjerë. Kjo e ndihmon autorin të kuptojë më mirë pasojat e veprimit të tij dhe të marrë përgjegjësi reale për atë që ka ndodhur. Në të njëjtën kohë, komuniteti ndihmon në krijimin e një atmosfere dialogu dhe respekti, ku të gjitha palët ndihen të dëgjuara.
Komuniteti gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në gjetjen e zgjidhjeve konkrete për riparimin e dëmit. Ai mund të propozojë mënyra të përshtatshme për të kompensuar dëmin e shkaktuar dhe për të parandaluar përsëritjen e konfliktit. Pas arritjes së marrëveshjes, komuniteti ndihmon në mbikëqyrjen dhe mbështetjen e zbatimit të saj, duke siguruar që angazhimet e marra të respektohen. Në këtë mënyrë, komuniteti kontribuon jo vetëm në zgjidhjen e konfliktit, por edhe në forcimin e besimit, përmirësimin e marrëdhënieve dhe ndërtimin e një mjedisi më të sigurt dhe bashkëpunues për të gjithë.
SHEMBULL
“Zgjidhja e konfliktit përmes drejtësisë restauruese”
Dy nxënës të klasës së 10-të, Arlindi dhe Besiani, përfshihen në një konflikt fizik gjatë pushimit të madh në shkollë. Gjatë debatit, Arlindi e shtyn fort Besianin, i cili rrëzohet dhe lëndon krahun. Besiani ndihet i frikësuar, i turpëruar para shokëve dhe nuk dëshiron të qëndrojë më pranë Arlindit gjatë pushimit. Atmosfera në klasë bëhet e tensionuar dhe nxënësit ndihen të pasigurt.
Në vend që të zbatohet menjëherë ndëshkimi, shkolla vendos të përdorë drejtësinë restauruese dhe organizon një takim restaurues në praninë e një ndërmjetësi, mësuesit dhe përfaqësuesve të klasës.
– Viktima (Besiani) shpjegon se u ndie i frikësuar, pati dhimbje fizike dhe u turpërua para klasës. Ai shpreh nevojën për t’u ndier i sigurt dhe kërkon që ngjarja të mos përsëritet.
– Autori (Arlindi) e pranon përgjegjësinë për veprimin e tij. Ai shpjegon se reagoi në atë mënyrë ngaqë ishte i nevrikosur dhe se e kupton që ka vepruar gabim. Arlindi kërkon falje dhe angazhohet që të mos e përdorë më dhunën për t’i zgjidhur konfliktet.
– Komuniteti (klasa dhe mësuesi) shpreh shqetësimin për klimën e pasigurt që u krijua dhe diskuton mënyrat për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Marrëveshja restauruese
Në përfundim të takimit palët bien dakord për këto masa:
– Arlindi kërkon falje publike para Besianit dhe klasës.
– Ai angazhohet të ndihmojë Besianin për pastrimin e klasës në javët në vazhdim.
– Klasa vendos rregulla të qarta për menaxhimin e konflikteve dhe i vë ato në një vend të dukshëm në mjediset e klasës.
– Vendoset një “kuti ” në shkollë, ku nxënësit mund të raportojnë probleme në mënyrë të sigurt.
Rezultati
Pas këtij procesi ulet tensioni në klasë. Besiani ndihet më i sigurt dhe Arlindi fillon të ketë sjellje më të qeta. Drejtësia restauruese ndihmon jo vetëm në zgjidhjen e konfliktit, por edhe në forcimin e marrëdhënieve dhe të klimës së klasës dhe të shkollës.
Si funksionon procesi restaurues?
Procesi restaurues nis kur autori i veprës e pranon përgjegjësinë për veprimin dhe për pasojat e tij, pasi procesi nuk mund të zhvillohet pa këtë hap. Më pas, të gjitha palët e përfshira (viktima, autori dhe, kur është e nevojshme, familjarë apo stafi psiko-social) marrin pjesë në mënyrë vullnetare. Në vijim organizohet takimi restaurues, i drejtuar nga një ndërmjetës i trajnuar, ku viktima shpreh dëmin dhe ndjenjat, ndërsa autori dëgjon, reflekton dhe kupton pasojat e veprës. Përmes dialogut të sigurt dhe të respektueshëm, palët arrijnë në një marrëveshje restauruese, ku përcaktohen mënyrat e riparimit të dëmit dhe hapat për të shmangur përsëritjen e veprës. Në fund, marrëveshja zbatohet dhe ndiqet nga institucionet përkatëse, si shkolla apo shërbimet komunitare.
Drejtësia restauruese mëson tolerancën, dialogun, bashkëpunimin dhe përgjegjësinë. Ajo i ndihmon viktimat të krijojnë bindjen që janë dëgjuar, autorët të korrigjojnë sjelljen dhe komunitetin të ruajë ekuilibrin. Në vend që të ngjallë frikë dhe konflikt, drejtësia restauruese ndërton ura komunikimi dhe sjell paqe afatgjatë.
SITUATË RASTI
Dy nxënës debatojnë dhe gjatë konfliktit njëri i gris fletoren tjetrit. Situata përshkallëzohet dhe të dy refuzojnë të komunikojnë. Klasa vendos ta trajtojë konfliktin përmes qasjes së drejtësisë restauruese.
Nxënësit ndahen në tri grupe dhe luajnë në role:
• Viktima
Shpjegon dëmin e pësuar (material dhe emocional) dhe tregon çfarë i nevojitet për t’u ndier më mirë dhe për ta konsideruar konfliktin të zgjidhur.
• Autori
Pranon përgjegjësinë për veprimin e tij dhe propozon mënyra konkrete për riparimin e dëmit (falje, zëvendësim i fletores, ndihmë etj.).
• Komuniteti (klasa)
Sugjeron zgjidhje që ndihmojnë në rikthimin e qetësisë, të respektit dhe të marrëdhënieve pozitive mes nxënësve.
Në fund, çdo grup paraqet zgjidhjen restauruese duke treguar si u riparua dëmi dhe si u rivendosën marrëdhëniet.
Plotësoni vendet boshe
(riparimi, marrëdhënieve, shpreh, përgjegjësi, riparojë)
• Drejtësia restauruese e vë theksin te __________ i dëmit dhe te rindërtimi i __________ që janë prishur.
• Në qasjen restauruese viktima ka mundësi të __________ përvojën dhe ndjenjat e saj.
• Autori i veprës mban __________ për veprimet e tij dhe angazhohet të __________ dëmin.
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
- A e zgjidh gjithmonë ndëshkimi një konflikt? Pse po ose pse jo?
- Në cilat situata në jetën e përditshme mendoni se drejtësia restauruese mund të funksionojë më mirë se ndëshkimi?


