6.5. Inteligjenca artificiale gjeneruese
Nxënësi/ja:
- përkufizon inteligjencën artificiale gjeneruese;
- identifikon rreziqet kryesore të përdorimit të papërgjegjshëm të IA-së gjeneruese;
- përdor inteligjencën artificiale në mënyrë etike dhe të ndershme, duke respektuar të drejtën e autorit.
Fjalë kyçe:
inteligjenca artificiale gjeneruese,
gjuhë urrejtjeje,
etikë digjitale.
A E DINI SE?
- Një video e rreme (deepfake) mund të krijohet brenda pak minutash dhe të mashtrojë edhe njerëz që mendojnë se “e dallojnë të vërtetën nga gënjeshtra”.
- Kur IA-ja mendon gjithmonë për ne, rrezikojmë të humbasim aftësinë për të menduar në mënyrë kritike, për të krijuar ide origjinale dhe për t’i zgjidhur vetë problemet.
A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.
Teknologjitë e Inteligjencës Artificiale (IA) gjeneruese, si: ChatGPT, Gemini, Copilot, programet që krijojnë fotografi, si Midjourney, apo video, si Sora, po ndryshojnë mënyrën se si mësojmë, si komunikojmë dhe si krijojmë ide të reja. Sot, këto mjete mund të na ndihmojnë të shkruajmë tekste, të bëjmë kërkime, të krijojmë art dhe t’i zgjidhim problemet shumë më shpejt.
Por, përveç mundësive që na krijojnë, ato na përballin edhe me rreziqe dhe sfida. IA-ja mund të shpërndajë lajme të rreme, të krijojë imazhe apo video të manipuluara dhe të përdoret për plagjiaturë ose për përmbajtje të dëmshme. Për këtë arsye, është e domosdoshme që të mësojmë si ta përdorim IA-në në mënyrë të sigurt, të përgjegjshme dhe duke respektuar të drejtat e autorit.
Çfarë është inteligjenca artificiale gjeneruese?
Inteligjenca artificiale gjeneruese (IA gjeneruese) është një lloj inteligjence artificiale që krijon përmbajtje të re, si: tekste, imazhe, video, muzikë ose kode kompjuterike.
Kjo përmbajtje krijohet duke u bazuar në shembujt dhe në të dhënat me të cilat sistemi është trajnuar më parë.
Shembuj të IA-së gjeneruese janë: ChatGPT, DALL·E, Midjourney dhe Gemini. Këto sisteme analizojnë miliona tekste, fotografi dhe materiale të ndryshme nga interneti për të kuptuar modelet e gjuhës, të imazhit dhe të kuptimit, dhe më pas krijojnë diçka të re që u ngjan atyre shembujve.

Inteligjenca artificiale mëson nga shumë të dhëna dhe i përdor ato për t’iu përgjigjur pyetjeve ose për të kryer detyra të ndryshme.
Rreziqet kryesore të përdorimit të papërgjegjshëm të IA-së
IA-ja gjeneruese sjell rreziqe, nëse përdoret pa kujdes:
Dezinformimi – fake news dhe deepfakes. Dezinformimi është një nga rreziqet më të mëdha të inteligjencës artificiale gjeneruese, sepse ajo mund të krijojë përmbajtje që duket si e vërtetë, por, në fakt, është e rreme. IA-ja mund të prodhojë lajme të sajuara që duken si artikuj profesionalë, foto të manipuluara që duken si të vërteta dhe video ku shfaqet një person duke thënë gjëra që nuk i ka thënë kurrë. Këto quhen “deepfakes”. Ajo mund të krijojë edhe deklarata, dokumente ose mesazhe të fabrikuara që mund t’i ngatërrojnë njerëzit.
Këto forma dezinformimi kanë pasoja serioze. Ato mund të përdoren për të manipuluar politikën, për të ndikuar tek opinioni publik, duke shkaktuar pështjellim ose duke përhapur panik, dhe mund të dëmtojnë rëndë reputacionin e individëve kur dikush paraqitet në mënyrë të rreme si autor i një deklarate, veprimi apo sjelljeje. Në këtë mënyrë, IA-ja mund të bëhet një mjet i fuqishëm manipulimi, nëse përdoret pa përgjegjësi.
Përmbajtja e paligjshme/e dëmshme. IA-ja mund të përdoret për të krijuar materiale fyese, diskriminuese, për të kopjuar zëra ose dokumente zyrtare; mund të gjenerojë udhëzime të rrezikshme (p.sh., përdorimi i kimikateve, i sulmeve kibernetike), të prodhojë imazhe të papërshtatshme, të ngjallë urrejtje ose bullizëm.
Mashtrimi akademik – plagjiatura. Kopjimi i teksteve të krijuara nga IA-ja dhe paraqitja e tyre si punë personale. Nxënësit dhe studentët mund ta përdorin IA-në për të kopjuar ese, për të krijuar projekte “gati për dorëzim”, pa mendim kritik, duke shmangur punën personale. Por plagjiatura mbetet vepër e ndëshkueshme dhe shumë universitete përdorin programe zbulimi të përmbajtjes së krijuar nga IA-ja.
ÇFARË DUHET TË KUPTOSH?
IA-ja gjeneruese nuk mendon, nuk kupton dhe nuk ka emocione si njeriu. Ajo nuk mban qëndrim moral dhe nuk dallon gjithmonë të vërtetën nga e pavërteta. Ajo thjesht llogarit se cila përgjigje është më e mundshme bazuar në të dhënat që ka.
Prandaj, përdorimi i saj kërkon kujdes, mendim kritik dhe përgjegjësi nga ana e përdoruesit.
ChatGPT – Program që krijon tekste dhe bisedon si njeri.
Gemini – IA e Google që punon me tekst, foto dhe video.
Copilot – Ndihmës i Microsoft-it që krijon tekste, prezantime dhe analiza në Word /Excel / PowerPoint.
Midjourney – Program që krijon imazhe nga përshkrimet me fjalë.
Sora – Teknologji që krijon video nga përshkrimet me tekst.
Ndikimi i inteligjencës artificiale në shoqëri
IA-ja ka fuqinë ta ndryshojë shoqërinë në mënyra pozitive, por në të njëjtën kohë e përball me sfida serioze. Në botën e informacionit lajmet qarkullojnë me shpejtësi të madhe. Kjo mund të jetë diçka e mirë kur informacioni është i saktë, por shumë e rrezikshme kur lajmet janë të pavërteta. Për shembull, një video e rreme e një personi publik mund të shkaktojë kaos në rrjete sociale; një lajm i pavërtetë mund të ngjallë panik në komunitet; një foto e manipuluar mund t’i dëmtojë reputacionin dikujt.
IA-ja po transformon edhe tregun e punës. Shumë profesione, si: disenjimi grafik, programimi, marketingu dhe shkrimi i teksteve, po ndikohen drejtpërdrejt nga automatizimi. Njerëzit duhet të mësojnë t’i përdorin mjetet digjitale në mënyrë krijuese dhe të përgjegjshme, përndryshe rrezikojnë të mbeten pas.
Ndikimi i inteligjencës artificiale në marrëdhëniet ndërpersonale
IA-ja ndikon edhe në mënyrën se si njerëzit lidhen, si komunikojnë dhe si bashkëpunojnë. Nëse përdoret pa kufi, mund të dobësojë aftësitë tona sociale dhe emocionale. Disa njerëz mbështeten tepër tek IA-ja për të marrë vendime personale, qoftë për detyrat e shkollës, për marrëdhëniet me shokët apo për zgjedhjet e përditshme. Në këto raste, IA-ja fillon të zëvendësojë komunikimin e drejtpërdrejtë me njerëzit dhe mendimin kritik.

Ndikimi i inteligjencës artificiale në shoqëri.
Ndikimi i inteligjencës artificiale në marrëdhëniet ndërpersonale
IA-ja ndikon edhe në mënyrën se si njerëzit lidhen, si komunikojnë dhe si bashkëpunojnë. Nëse përdoret pa kufi, mund të dobësojë aftësitë tona sociale dhe emocionale. Disa njerëz mbështeten tepër tek IA-ja për të marrë vendime personale, qoftë për detyrat e shkollës, për marrëdhëniet me shokët apo për zgjedhjet e përditshme. Në këto raste, IA-ja fillon të zëvendësojë komunikimin e drejtpërdrejtë me njerëzit dhe mendimin kritik.
Përdorimi i shpeshtë i IA-së mund të ndikojë edhe në anën krijuese të një individi. Kur një nxënës e lë IA-në të bëjë gjithçka për të, si: projektet, idetë, shpjegimet etj., ai e humbet aftësinë për të menduar vetë, për të krijuar ide të reja dhe për t’i zgjidhur problemet në mënyrë të pavarur.
Dilema ligjore e përdorimit të IA-së
Dilema ligjore lidhet me faktin se inteligjenca artificiale zhvillohet duke përdorur vepra të mbrojtura me të drejtën e autorit. Krijuesit, si: artistët, shkrimtarët dhe fotografët, pohojnë se puna e tyre po përdoret pa leje dhe pa pagesë, prandaj kërkojnë transparencë dhe mbrojtje të të drejtave të tyre. Sa i përket autorësisë, ligjet e shprehin qartë se vetëm njeriu mund të jetë autor; IA-ja nuk mund të ketë të drejtën e autorit. Edhe plagjiatura me ndihmën e IA-së mbetet e gabuar, sepse përmbajtja e krijuar nga IA-ja duhet cituar dhe nuk duhet paraqitur si punë personale. Qytetari digjital i përgjegjshëm e përdor IA-në me etikë, respekton të drejtën e autorit dhe shmang mashtrimet digjitale.

SITUATË RASTI
Dilema etike dhe ligjore të Inteligjencës Artificiale
Ndahuni në grupe dhe zgjidhni njërën nga situatat e mëposhtme. Analizojeni shkurt dhe jepni mendimin tuaj.
Situata 1: “Fotoja e manipuluar”
Në internet qarkullon një foto e krijuar ose e manipuluar me IA, ku një person publik paraqitet duke bërë diçka që nuk e ka bërë në të vërtetë.
Pyetje për diskutim
– Çfarë rreziku paraqet përhapja e një fotografie të tillë?
– Si mund të dëmtohet personi që shfaqet në foto?
– Si duhet të veprojë publiku kur has përmbajtje të tilla?
Situata 2: “Eseja e krijuar nga IA”
Një student dorëzon një ese të shkruar plotësisht me ndihmën e IA-së, pa e treguar dhe pa cituar burimin.
Pyetje për diskutim
– A mund të konsiderohet kjo plagjiaturë? Pse?
– Çfarë duhet të kishte bërë studenti për të vepruar drejt?
– Cilat mund të jenë pasojat etike dhe akademike të këtij veprimi?
Situata 3: “Arti i ndikuar nga IA”
Një artist zbulon se stili i tij është përdorur nga IA për të krijuar shumë imazhe të ngjashme me veprat e tij.
Pyetje për diskutim
– A mendoni se në këtë rast janë cenuar të drejtat e artistit? Pse?
– Cilat mund të jenë argumentet e artistit dhe cilat të kompanisë që zhvillon IA-në?
– Si do ta zgjidhnit ju këtë dilemë në mënyrë të drejtë?
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
- A mund të quhet krijim artistik një vepër e bërë nga IA-ja, apo është më shumë një imitim i veprave të krijuara nga njerëzit? Pse?
- A mendoni se nxënësit duhet të lejohen të përdorin IA-në në detyra shkollore, nëse e tregojnë dhe e citojnë qartë përdorimin e saj? Pse?
- A mendoni se IA-ja mund të zëvendësojë disa profesione krijuese? Cilat profesione rrezikohen më shumë?

