9.3. Praktikat tregtare dhe rreziqet
Nxënësi/ja:
- identifikon praktikat e pandershme tregtare dhe shpjegon ndikimin e tyre te konsumatorët;
- analizon rreziqet e blerjeve online;
- vlerëson rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave gjatë blerjeve online.
Fjalë kyçe:
reklamim mashtrues,
produkte të falsifikuara,
mashtrim kibernetik.
A E DINI SE?
- Reklamat nuk informojnë vetëm konsumatorin, por shpesh manipulojnë zgjedhjet e tij.
A jeni dakord me pohimin e mësipërm? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.
Çfarë kuptojmë me praktika të pandershme tregtare?
Praktikat e pandershme tregtare janë veprime ose sjellje të bizneseve që mashtrojnë, çorientojnë ose ushtrojnë ndikim të padrejtë mbi konsumatorët, duke ndikuar në vendimet e tyre. Këto praktika cenojnë parimet e tregtimit të ndershëm dhe mirëbesimit dhe mund të dëmtojnë interesat ekonomikë, sigurinë dhe besimin e konsumatorëve në treg.
Format kryesore të praktikave të pandershme tregtare
Reklamimi mashtrues
Reklamimi mashtrues ndodh kur një produkt ose shërbim paraqitet në mënyrë të pasaktë, të ekzagjeruar ose të rremë me qëllim tërheqjen e konsumatorëve. Kjo mund të përfshijë informacione të pavërteta për cilësinë, përbërjen, funksionet ose përfitimet e produktit.
Një reklamë e tillë e çorienton konsumatorin dhe e bën atë të marrë një vendim që, nëse do të kishte informacion të saktë, nuk do ta merrte. Kjo cenon të drejtën për informim dhe autonominë e konsumatorit për të zgjedhur në mënyrë të lirë dhe të ndërgjegjshme.
Për shembull, një produkt kozmetik reklamohet si “100% natyral”, ndërkohë që përmban përbërës kimikë.
Klauzolat abuzive në kontrata
Klauzolat abuzive janë kushte të vendosura në kontrata që krijojnë pabarazi midis tregtarit dhe konsumatorit, duke favorizuar vetëm biznesin. Këto klauzola mund të kufizojnë të drejtat e konsumatorit, të fshehin detaje të rëndësishme ose të vendosin detyrime të padrejta.
Ato cenojnë të drejtën për mbrojtjen e interesave ekonomikë dhe të drejtën për drejtësi, pasi konsumatori mund të detyrohet të pranojë kushte që nuk janë në favorin e tij.
Për shembull, një kontratë mund të kufizojë të drejtën e konsumatorit për të kthyer një produkt ose për të paraqitur një ankesë.
Produktet e falsifikuara
Produktet e falsifikuara janë produkte që imitojnë markat e njohura, por nuk përmbushin standardet e cilësisë dhe të sigurisë. Ato shpesh prodhohen pa kontroll dhe mund të jenë të rrezikshme për shëndetin dhe sigurinë e konsumatorit.
Këto produkte cenojnë të drejtën për siguri dhe mbrojtjen e shëndetit, si dhe dëmtojnë besimin në treg dhe konkurrencën e ndershme.
Për shembull, një pajisje elektrike e falsifikuar që mund të shkaktojë rrezik zjarri.
Praktikat e pandershme tregtare ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e konsumatorëve, duke kufizuar lirinë e tyre të zgjedhjes, duke rritur rrezikun e mashtrimit dhe duke dëmtuar interesat ekonomikë dhe shëndetin e tyre. Për këtë arsye, ligji i ndalon këto praktika dhe synon të garantojë një treg të drejtë, të sigurt dhe transparent për të gjithë.
Rreziqet e blerjeve online
Zhvillimi i tregtisë elektronike ka krijuar mundësi të reja për konsumatorët, duke u ofruar atyre akses më të lehtë në produkte dhe në shërbime nga vende të ndryshme. Shpesh me çmime më konkurruese dhe me komoditetin e blerjes nga shtëpia. Megjithatë, krahas këtyre përfitimeve, tregtia online sjell edhe rreziqe që lidhen me sigurinë, mashtrimet dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Për këtë arsye, konsumatorët duhet të jenë të informuar dhe të kujdesshëm gjatë blerjeve në internet.
Mashtrimet kibernetike
Mashtrimet online ndodhin kur individë ose kompani të rreme krijojnë faqe interneti, reklama ose profile në rrjete sociale për të shitur produkte që nuk ekzistojnë ose që nuk përputhen me përshkrimin dhe me cilësinë e premtuar. Në disa raste, konsumatori paguan për një produkt, por nuk e merr kurrë atë. Në raste të tjera, produkti mund të vijë i dëmtuar, me cilësi shumë të ulët ose krejtësisht ndryshe nga ai që ka porositur konsumatori. Mashtrimet mund të ndodhin edhe përmes mesazheve ose lidhjeve të rreme, që duken si oferta tërheqëse, por që synojnë të vjedhin para ose të dhëna personale.
Privatësia e të dhënave
Gjatë blerjeve online konsumatorët shpesh japin të dhëna personale, si: emri, adresa, numri i telefonit, adresa e email-it dhe informacioni bankar. Nëse këto të dhëna nuk mbrohen siç duhet, ato mund të keqpërdoren nga persona të paautorizuar, duke shkaktuar humbje financiare, vjedhje identiteti ose shqetësime të tjera personale.

Blerjet online sjellin komoditet, por edhe rreziqe që lidhen me mashtrimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Kujdes! – Blerjet online dhe siguria e të dhënave
Para se të bëni një blerje online, sigurohuni për elementet e mëposhtme.
√ Faqja duhet të fillojë me https:// (tregon lidhje të sigurt).
√ Kontrolloni që domeni të jetë zyrtar dhe pa gabime (jo imitime të markave).
√ Verifikoni nëse faqja ka të dhëna reale të biznesit (adresë, kontakt).
√ Kujdes nga ofertat shumë të lira – shpesh janë mashtruese.
√ Mos ndani të dhëna personale në faqe të panjohura ose të dyshimta.
√ Kontrolloni komentet dhe vlerësimet reale të përdoruesve.
√ Shmangni klikimin në linke të dyshimta nga email-e ose rrjete sociale.
E drejta e tërheqjes në blerjet në distancë
Një mbrojtje e rëndësishme për konsumatorët në tregtinë online është e drejta e tërheqjes. Kjo e drejtë i jep konsumatorit mundësinë të kthejë një produkt të blerë pa dhënë arsye. Në Shqipëri, sipas ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, konsumatori mund të tërhiqet nga blerja brenda 14 ditëve kalendarike nga momenti i marrjes së produktit, dhe duhet të njoftojë tregtarin brenda këtij afati. Megjithatë, kjo e drejtë nuk zbatohet për disa produkte të veçanta, si: produktet e personalizuara, produktet higjienike të hapura, produktet që prishen shpejt.
Kjo e drejtë është shumë e rëndësishme, sepse:
• mbron konsumatorin nga vendimet e nxituara,
• i jep mundësi të verifikojë produktin pas marrjes,
• siguron që produkti të përputhet me përshkrimin.
SITUATË RASTI
Arta blen online një orë inteligjente (smartwatch) në një faqe interneti që e reklamon produktin si “origjinal”, “cilësi shumë e lartë” dhe me “bateri që zgjat shtatë ditë”. Reklama shoqërohet me foto profesionale dhe komente pozitive në rrjetet sociale. Arta e porosit produktin duke vendosur të dhënat personale dhe bankare.
Pas disa ditësh ora mbërrin, por rezulton që është produkt i falsifikuar, me cilësi të dobët dhe bateri që zgjat vetëm disa orë. Kur Arta përpiqet të kontaktojë shitësin për ta kthyer produktin, vëren se në faqen e internetit ekziston një klauzolë kontraktuese, në të cilën thuhet se “produktet e shitura nuk kthehen”. Për më tepër, pas blerjes Arta fillon të marrë mesazhe të dyshimta e reklama dhe dyshon se të dhënat personale janë shpërndarë pa pëlqimin e saj.
Pyetje për analizë
– Cilat praktika të pandershme tregtare janë përdorur në këtë rast?
– Cilat të drejta të konsumatorit janë shkelur?
– A ka të drejtë Arta të tërhiqet nga blerja? Pse?
– Çfarë veprimesh duhet të ndërmarrë Arta për të mbrojtur të drejtat e saj?
– Çfarë mësimi mund të nxjerrin konsumatorët nga kjo situatë për blerjet online?
Diskutoni në klasë situatën e mësipërme.
E vërtetë apo e gabuar?
□ Reklamimi mashtrues ndikon në vendimet e konsumatorëve.
□ Produktet e falsifikuara gjithmonë të sigurta për përdorim.
□ Blerjet online mund të paraqesin rreziqe për të dhënat personale.
□ Konsumatori ka të drejtë ta kthejë produktin e blerë online brenda afatit ligjor.
Gjeni alternativën e saktë
E drejta e tërheqjes lidhet me:
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
- Pse reklamimi mashtrues mund t’i dëmtojë konsumatorët?
- Pse është e rëndësishme mbrojtja e të dhënave personale gjatë blerjeve online?
- Pse konsumatori duhet të ndjekë procedurat e ankesës?
DETYRË
Gjeni një reklamë që ju duket e besueshme dhe një reklamë që ju duket mashtruese (TV, rrjete sociale, faqe interneti, poster etj.). Sillni shembuj në klasë dhe diskutoni duke u bazuar në pyetjet e mëposhtme:
1. Cili informacion në reklamë është fakt dhe cili është i ekzagjeruar ose i paqartë?
2. A premton reklama diçka që nuk e vërteton me fakte? Jepni një shembull.
3. Si mund të ndikojë kjo reklamë në vendimin e konsumatorit?
4. Cilën të drejtë të konsumatorit mund të shkelë një reklamë mashtruese?


