4.3. Noteria dhe zgjidhja jashtëgjyqësore e konflikteve

Nxënësi/ja:
  • shpjegon rolin e noterit në jetën e përditshme;
  • analizon rolin e opinionit publik;
  • vlerëson rëndësinë e ndërmjetësimit si mënyrë paqësore për zgjidhjen e konflikteve.
Fjalë kyçe:

noteri,
ndërmjetësim,
zgjidhje jashtëgjyqësore.

A E DINI SE?

  • Jo çdo konflikt duhet të zgjidhet në gjykatë; ndonjëherë dialogu dhe ndërmjetësimi japin zgjidhje më të qëndrueshme.
  • Ndërmjetësimi përdoret edhe në shkolla për të zgjidhur konfliktet midis nxënësve dhe shpesh nxënësit vetëtrajnohen si “ndërmjetësues”.

    A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme

Në jetën tonë të përditshme, njerëzit bëjnë marrëveshje të ndryshme: shesin e blejnë prona, marrin kredi, dhurojnë pasuri, japin autorizime apo shkruajnë testamente. Që këto veprime të jenë të qarta dhe të vlefshme ligjërisht, duhet një person i specializuar që ta kontrollojë dokumentin dhe të sigurojë që çdo gjë të bëhet në mënyrë të drejtë. Ky person është noteri.

Çfarë është noteri?

Noteri është një profesionist i ligjit që qëndron neutral, pra nuk mban anën e asnjë pale. Ai ka një mision shumë të rëndësishëm: të sigurojë që dokumentet të jenë: të sakta; të kuptueshme; të ligjshme; dhe të vlefshme përpara shtetit.
Noteri është si një “gardian” i drejtësisë në marrëveshjet mes njerëzve. Nëpërmjet vulës së tij ai konfirmon se dokumenti është i vërtetë. Pa noterin, shumë veprime juridike, si: kontratat, dhuratat, testamentet, blerja dhe shitja, nuk do të kishin fuqi ligjore.

Ndërmjetësimi

Por çfarë ndodh kur dy persona konfliktohen dhe nuk merren vesh? A duhet të shkojnë gjithmonë në gjykatë? Jo domosdoshmërisht. Shpesh, konfliktet mund të zgjidhen më thjesht dhe më shpejt përmes zgjidhjes jashtëgjyqësore.
Kjo është mënyra kur palët përpiqen të bisedojnë, të arrijnë marrëveshje ose të përdorin një ndërmjetës të paanshëm, pa hyrë në proceset e gjata gjyqësore.Një nga mënyrat më të njohura të zgjidhjes jashtë gjykatës është ndërmjetësimi. Ndërmjetësi është një person neutral, i cili nuk mban anën e askujt. Detyra e tij është t’i ndihmojë palët të flasin me qetësi, të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe të gjejnë një zgjidhje që të dy e pranojnë vullnetarisht.
Ndërmjetësimi përdoret për shumë lloje konfliktesh: për çështje prone, borxhe, mosmarrëveshje familjare, probleme me kontrata, madje edhe konflikte të vogla të jetës së përditshme mes fqinjëve ose shokëve të shkollës. Përfitimi më i madh është se ky proces është më i shpejtë, më pak i kushtueshëm dhe i ruan marrëdhëniet, sepse askush nuk “fiton” me detyrim, zgjidhja gjendet bashkërisht.
Noteria, ndërmjetësimi dhe gjykata janë mekanizma të ndryshëm, por plotësues të drejtësisë. Noteria parandalon konfliktet duke garantuar dokumente të qarta dhe të ligjshme; ndërmjetësimi ndihmon në zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve; ndërsa gjykata ndërhyn kur konfliktet nuk mund të zgjidhen me marrëveshje. Së bashku, ato e bëjnë drejtësinë më të aksesueshme, më humane dhe më të efektshme për qytetarët.

SHEMBULL NGA JETA E PËRDITSHME

  • Shitja dhe blerja e një apartamenti. Noteri verifikon kontratën që çdo detaj të jetë i qartë.
  • Shkrimi i një testamenti. Noteri siguron që personi e ka shkruar me vullnet të lirë dhe pa presion.
  • Dhurata e një prone. Noteri kontrollon dokumentet dhe mbron të dyja palët nga mashtrimet.

    Pa noterizim, shumë nga këto dokumente nuk do të kishin fuqi ligjore.

Opinioni publik

Opinioni publik dhe ndërgjegjësimi qytetar janë të rëndësishëm për funksionimin e drejtësisë në një shoqëri demokratike. Opinioni publik tregon sa besim kanë qytetarët te sistemi i drejtësisë, ndërsa ndërgjegjësimi lidhet me njohjen e ligjit, të drejtave dhe detyrimeve të çdo individi. Qytetarët e informuar e kuptojnë më mirë rolin e institucioneve të drejtësisë dhe marrin vendime më të përgjegjshme.
Media luan një rol të rëndësishëm në informimin e publikut, por ndikimi i saj mund të jetë si pozitiv, ashtu edhe negativ. Për këtë arsye, kërkohet transparencë nga institucionet, përgjegjësi nga mediet dhe mendim kritik nga qytetarët, në mënyrë që drejtësia të perceptohet dhe të funksionojë në mënyrë të drejtë.

SITUATË RASTI

“Vendi i parapëlqyer”
Në shkollë, dy nxënës, Klea dhe Klausi, grinden për një vend të parapëlqyer ku të ulen në klasë, pasi të dy pretendojnë se “është i tyre”.
Ndahuni në tri grupe sipas roleve të mëposhtme për ta zgjidhur konfliktin.
Noteri kontrollon “dokumentet” e shkollës, si rregulloren e shkollës dhe të klasës, apo dëshmitë që ka secili nxënës.
Ndërmjetësi përpiqet t’i dëgjojë palët dhe të gjejë një marrëveshje të drejtë.
Opinioni publik diskuton si do ta shihnin nxënësit e tjerë sjelljen e secilës palë dhe çfarë rregullash do të ndihmonin për të shmangur situata të ngjashme.
– Cili nga rolet (noteri, ndërmjetësi apo opinioni publik) mendoni se ndihmon më shumë në zgjidhjen e drejtë të konfliktit dhe pse?

E vërtetë apo e gabuar?

□ Opinioni publik tregon se si qytetarët e perceptojnë dhe e vlerësojnë sistemin e drejtësisë.
□ Media informon gjithmonë në mënyrë të saktë dhe nuk ndikon në mendimin e qytetarëve.
□ Qytetarët e informuar për ligjin kontribuojnë për uljen e konflikteve në shoqëri.

Plotësoni vendet boshe

• Opinioni publik lidhet me nivelin e __________ që qytetarët kanë te drejtësia.
• Ndërgjegjësimi qytetar nënkupton njohjen e __________, të drejtave dhe detyrimeve.
• Transparenca e institucioneve rrit __________ e qytetarëve dhe shmang keqkuptimet.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Pse mendoni se disa konflikte zgjidhen më mirë me ndërmjetësim sesa në gjykatë?
  2. A është më e rëndësishme të fitosh konfliktin apo të ruash marrëdhëniet? Pse?
  3. Si ndikon opinioni publik në ndjenjën e drejtësisë në një komunitet?