5.2. Përgjegjësia penale e të miturve dhe pasojat e saj

Nxënësi/ja:
  • analizon konceptin e përgjegjësisë penale dhe zbatimin e saj te të miturit;
  • njeh masat edukative dhe rolin e tyre në riedukimin
    dhe riintegrimin e të miturve;
  • kupton pasojat e veprimeve dhe rëndësinë e sjelljes së përgjegjshme.
Fjalë kyçe:

përgjegjësi penale,
i mitur,
masa edukative.

A E DINI SE?

  • Vendosja e moshës së përgjegjësisë penale në 14 vjeç është një kompromis i drejtë mes mbrojtjes së fëmijës dhe nevojës për përgjegjësi për veprimet e tij.
  • Të miturit duhet të trajtohen më butë nga ligji, sepse zhvillimi i trurit të tyre nuk është ende i plotë, sidomos në kontrollin e impulseve dhe në marrjen e vendimeve.
  • Riedukimi është më i dobishëm sesa ndëshkimi i ashpër kur bëhet fjalë për fëmijë dhe adoleshentë që kanë shkelur ligjin.

    A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Përgjegjësia penale është përgjegjësia që ka një person madhor kur shkel ligjin dhe kryen një vepër penale. Po kur një i mitur (person nën 18 vjeç) kryen një veprim të gabuar, si: dëmtimi i pronës, marrja e diçkaje që nuk i përket apo ushtrimi i dhunës ndaj dikujt, lindin pyetje të rëndësishme: “A dënohet njësoj si një i rritur? Si vepron ligji në këto raste?”
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, duhet të kuptojmë konceptin e përgjegjësisë penale të të miturve. Ky koncept shpjegon mënyrën se si sistemi i drejtësisë e vlerëson sjelljen e fëmijëve dhe të adoleshentëve që shkelin ligjin, duke marrë parasysh moshën, nivelin e pjekurisë dhe aftësinë për të kuptuar pasojat e veprimeve. Ndryshe nga të rriturit, të miturit nuk trajtohen vetëm me masa ndëshkuese, por kryesisht me masa edukative, riedukuese dhe mbështetëse, me qëllim që të mësojnë nga gabimi dhe të mos e përsëritin atë.
Për të qenë sa më i drejtë, sistemi i drejtësisë dallon tri nivele përgjegjësie, duke marrë parasysh moshën dhe nivelin e zhvillimit të individit.

1. Përgjegjësia e plotë penale (mbi 18 vjeç). Personat mbi 18 vjeç konsiderohen të rritur dhe mbajnë përgjegjësi të plotë për veprimet e tyre. Ata përgjigjen njësoj sipas ligjit, pa lehtësime të veçanta.
2. Përgjegjësia e pjesshme penale (mosha 14–18 vjeç). Adoleshentët nga 14 deri në 18 vjeç mund të përgjigjen për veprat penale që kryejnë, por jo si një i rritur. Ata kanë përgjegjësi të pjesshme, sepse:
• janë ende në fazë zhvillimi;
• nuk kanë pjekurinë e plotë emocionale ose mendore;
• kanë mundësi më të madhe për t’u riedukuar dhe për të ndryshuar sjelljen.
Për këtë arsye, ligji parashikon dënime më të buta, masa riedukimi dhe programe rehabilitimi.
3. Pa përgjegjësi penale (nën 14 vjeç).
Kur një fëmijë nën 14 vjeç kryen një veprim të paligjshëm, ai nuk dënohet penalisht. Përgje- gjësia për të bie mbi prindërit ose kujdestarët, ndërsa institucionet përkatëse ofrojnë mbështetje dhe masa edukative për të ndihmuar zhvillimin dhe riedukimin e tij.

Në Shqipëri përgjegjësia penale fillon në moshën 14-vjeçare.

Masat edukative për riedukimin dhe riintegrimin e të miturve

Masat edukative të parashikuara nga ligji për riintegrimin janë ndërhyrje ligjore dhe sociale që zbatohen ndaj të miturve që kanë shkelur ligjin, me qëllim edukimin, korrigjimin e sjelljes dhe rikthimin e tyre të suksesshëm në shoqëri
Disa nga këto masa edukative janë:
1. Këshillim dhe mbikëqyrje. I mituri takon rregullisht një psikolog ose punonjës social që e ndihmon të kuptojë gabimin dhe të korrigjojë sjelljen.
2. Detyrime ndaj komunitetit. I mituri kryen punë të dobishme për komunitetin (p.sh., pastrimi i mjedisit) për të reflektuar dhe për të ndrequr dëmin.
3. Programe riedukimi. Pjesëmarrje në aktivitete edukative ose trajnime që i mësojnë aftësi sociale për të shmangur përsëritjen e veprimit.
4. Shërbime psikosociale. Ndihmë profesionale nga psikologë dhe punonjës socialë për problemet sjellore emocionale, familjare ose sociale.
5. Qëndrimi në institucione të posaçme për të miturit. Në raste më të rënda, i mituri vendoset përkohësisht në një qendër riedukimi (jo në burg të rriturish), ku gjen mbështetje dhe ka disiplinë.

Gjatë gjithë procesit, psikologët, punonjësit socialë dhe specialistët e mbrojtjes së fëmijës luajnë një rol të madh, sepse përqendrohen te mirëqenia, te rehabilitimit dhe te mundësia e një fillimi të ri. Ligji e kupton që një i mitur mund të bëjë gabime nga presioni shoqëror, nga mungesa e maturisë ose nga pamundësia për t’i kuptuar plotësisht pasojat.

Riintegrimi i të miturve realizohet përmes këshillimit dhe aktiviteteve edukative.

Pasojat afatgjata në jetën e të miturve

Edhe pse ligji i trajton më butë të miturit, një vepër penale mund të ketë pasoja afatgjata. Për një adoleshent, pasojat mund të ndikojnë në:
• emrin dhe reputacionin e tij – njerëzit mund ta shikojnë ndryshe, nëse ka bërë diçka të gabuar;
• marrëdhëniet me familjen – prindërit mund të mërziten, të zhgënjehen ose të humbasin besimin;
• të ardhmen profesionale – disa profesione kërkojnë që individi të mos ketë pasur probleme me ligjin;
• udhëtimet në vende të tjera – disa shtete nuk lejojnë hyrjen e personave me shkelje penale;
• vetëbesimin dhe emocionet – mund të ndihet fajtor, i turpëruar ose i pasigurt;
• viktima – personi i dëmtuar mund të përjetojë pasoja fizike, emocionale dhe psikologjike, si frikë, ankth, dhimbje, pasiguri apo trauma afatgjata.
Kjo tregon se qoftë edhe një gabim mund të ndikojë në shumë fusha të jetës, ndaj është e rëndësishme të mendoheni mirë para se të veproni.
Ligji për të miturit nuk është për t’i trembur ata, por për t’i mbrojtur, për t’i edukuar dhe për t’i udhëzuar drejt një jete të sigurt dhe të drejtë

Fjalorth

Reputacion – vlerësimi dhe perceptimi që kanë të tjerët për një person bazuar në sjelljen, në veprimet dhe në mënyrën se si sillet ai me të tjerët.

SITUATË RASTI

“Telefoni”
Andi është 15 vjeç, nxënës i klasës së 9-të. Gjatë një pushimi në një qendër tregtare, ai sheh një telefon të lënë mbi tavolinë në një lokal. Pasi shikon përreth dhe mendon se askush nuk po e vëren, Andi e merr telefonin me qëllim dhe largohet. Më vonë ai përpiqet ta shesë telefonin për të fituar para.
Pronari i telefonit e kupton që e ka humbur telefonin dhe e raporton ngjarjen në polici. Kamerat e sigurisë tregojnë qartë veprimin e Andit. Policia gjyqësore e identifikon dhe e shoqëron së bashku me prindin e tij. Gjatë marrjes në pyetje, Andi pranon se e ka marrë telefonin me dashje, por thotë se nuk e kishte menduar se pasojat do të ishin të rënda. Ai flet i frikësuar dhe i penduar.

Pyetje për diskutim
– A ka përgjegjësi penale Andi si një i mitur 15-vjeçar?
– A është dëmi i shkaktuar me dashje apo nga pakujdesia?
– Cilat masa edukative ose penale mund të zbatohen ndaj tij?
– Çfarë pasojash mund të ketë ky veprim për të ardhmen e tij (shkollore, sociale, psikologjike)?

E vërtetë apo e gabuar?

☐ Të miturit nuk kanë kurrë pasoja nga veprat penale që kryejnë, sepse ligji i trajton më butë.
☐ Të miturit nga 14 deri në 18 vjeç kanë përgjegjësi të pjesshme penale.
☐ Problemet me ligjin gjatë adoleshencës mund të ndikojnë në zgjedhjen e profesionit në të ardhmen.
☐ Në raste më të rënda, i mituri mund të vendoset në institucione të posaçme për të miturit, jo në burg për të rriturit.
☐ Qëllimi i ligjit për të miturit është vetëm ndëshkimi i ashpër.

Plotësoni vendet boshe

(zhvillimi, 14, riedukimi, ligjit, edukative)
• Një i mitur fillon të mbajë përgjegjësi penale nga mosha ______ vjeç.
• Të miturit nuk trajtohen si të rritur, sepse janë ende në fazë ______.
• Qëllimi kryesor i sistemit për të miturit është ______ dhe jo vetëm ndëshkimi.
• Sjellja e të miturve vlerësohet nga sistemi i drejtësisë sipas ______.
• Masat ndaj të miturve janë kryesisht ______ dhe mbështetëse.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Pse mendoni se ligji i trajton të miturit më butë se të rriturit?
  2. A duhet që një adoleshent të mbajë përgjegjësi për gabimet e veta? Pse?
  3. Cilat pasoja mendoni se janë më të rënda: ato ligjore apo ato në jetën e përditshme?
  4. A mund të ndryshojë dikush sjelljen pas një programi riedukimi? Si?