Nxënësi/ja:
- identifikon ligjet kryesore kombëtare që synojnë parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit në shoqëri;
- njeh institucionet kryesore kundër korrupsionit dhe kupton rolin e secilit prej tyre;
- vlerëson disa nga marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare kundër korrupsionit si pjesë e përpjekjeve globale.
Fjalë kyçe:
SPAK,
GJKKO,
KLSH,
ILDKPKI,
UNCAC.
A E DINI SE?
- Deklarimi i pasurisë është i detyrueshëm për zyrtarët, por kjo nuk do të thotë gjithmonë se pasuritë e pajustifikuara zbulohen ose ndëshkohen.
A jeni dakord me pohimin e mësipërm? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.
Korrupsioni është një nga sfidat më të mëdha të shoqërisë moderne. Për këtë arsye, çdo shtet ka krijuar një kuadër ligjor dhe një rrjet institucionesh që synojnë ta parandalojnë dhe ta ndëshkojnë korrupsionin.
Kuadri ligjor kundër korrupsionit
Lufta kundër korrupsionit mbështetet te ligjet. Në Shqipëri, ligji më i rëndësishëm në këtë fushë është Kodi Penal, i cili parashikon dënime për vepra si korrupsioni aktiv, korrupsioni pasiv dhe shpërdorimi i detyrës. Kjo do të thotë se ligji ndëshkon si ata që japin përfitime të padrejta, ashtu edhe ata që i kërkojnë ose i pranojnë ato.
Përveç dënimeve, ka edhe ligje që synojnë parandalimin e korrupsionit. Një prej tyre është ligji për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, i cili kërkon që disa zyrtarë publikë të deklarojnë pasurinë dhe detyrimet e tyre financiare. Kjo ndihmon në rritjen e transparencës dhe në kontrollin e pasurimeve të pajustifikuara.
Një ligj tjetër i rëndësishëm është ai për parandalimin e konfliktit të interesit. Ky ligj synon të shmangë rastet kur një zyrtar merr vendime që mund t’i sjellin atij ose familjes së tij përfitime personale. Në këtë mënyrë mbrohet paanshmëria e detyrës publike.
Po ashtu, ligji për prokurimin publik vendos rregulla për mënyrën se si përdoren fondet e shtetit dhe si jepen tenderat publikë. Qëllimi është që këto procese të jenë të hapura, të drejta dhe transparente.
Pra, ligjet kundër korrupsionit shërbejnë jo vetëm për të ndëshkuar shkeljet, por edhe për të parandaluar abuzimin me detyrën dhe për të forcuar besimin e qytetarëve tek institucionet publike.
Informacion më të thelluar mund ta gjeni në linket përkatëse:
Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë (ligji penal që përfshin vepra korruptive – https://www.pp.gov.al/Legjislacioni/Legjislacioni_Penal/Kodi_Penal/)
Kodi Penal parashikon sanksione për korrupsionin aktiv, korrupsionin pasiv, abuzimin me detyrën dhe vepra të tjera që lidhen me keqpërdorimin e detyrës.
Ligji nr. 9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive” – https://www.pp.gov.al/rc/doc/ligj_deklarimi_i_pasurive_25.pdf)
Ky ligj i detyron zyrtarët publikë të deklarojnë pasuritë e tyre për të shmangur pasurimet e pajustifikuara dhe kontrollon se si janë përfitimet e deklaruara.
Ligji nr. 162, datë 23.12.2020 “Për prokurimin publik” (me ndryshime) – https://app.gov.al/legjislacioni/prokurimi-publik/ligji/)
Rregullon mënyrën se si bëhen prokurimet dhe tenderat publikë për të siguruar transparencën dhe konkurrencën e drejtë, duke ngushtuar hapësirat për abuzime dhe korrupsion.
Ligji nr. 9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesit”
Synon të parandalojë situatat kur vendimet e një zyrtari ndikohen nga interesat privatë, duke ruajtur ndarjen mes detyrës publike dhe interesave personalë.
Institucionet kryesore që luftojnë korrupsionin
Ligjet nuk janë të mjaftueshme, nëse nuk zbatohen. Për këtë arsye, Shqipëria ka ngritur institucione të posaçme që përqendrohen vetëm te parandalimi dhe hetimi i korrupsionit.
SPAK – Struktura e Posaçme Antikorrupsion
SPAK-u është institucioni më i ri dhe më i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Ai heton zyrtarë të lartë, gjyqtarë dhe prokurorë, tendera të mëdhenj, abuzime të mëdha financiare dhe lidhje mes korrupsionit dhe krimit të organizuar. SPAK-u është krijuar për të qenë i pavarur dhe për të punuar pa ndikime politike.
GJKKO – Gjykata Kundër Korrupsionit
dhe Krimit të Organizuar
Çështjet që i heton SPAK-u i gjykon GJKKO-ja. Kjo gjykatë është e specializuar vetëm për çështjet e korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Qëllimi i saj është të japë vendime të drejta dhe të paanshme, duke shmangur presionet që shpesh shfaqen në sistemin e drejtësisë.
KLSH – Kontrolli i Lartë i Shtetit
KLSH-ja ka detyrën të kontrollojë mënyrën si përdoren paratë publike. Ai auditon ministritë, bashkitë, institucionet publike dhe zbulon abuzime me fondet, shpenzime të pajustifikuara, shkelje të procedurave të prokurimit. Gjetjet e tij shpesh shërbejnë si bazë për hetime të mëtejshme.
ILDKPKI – Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave
Ky institucion kontrollon deklaratat e pasurive të mijëra zyrtarëve. Nëse një zyrtar pasurohet në mënyrë të pashpjegueshme, ILDKPKI-ja e denoncon rastin për hetim. Kjo rrit transparencën dhe ul mundësinë që një funksionar të abuzojë me detyrën.
Shqipëria dhe përpjekjet ndërkombëtare kundër korrupsionit
Korrupsioni është një problem që prek shumë vende të botës, ndaj lufta kundër tij kërkon edhe bashkëpunim ndërkombëtar. Shqipëria është pjesë e disa konventave të rëndësishme që ndihmojnë në forcimin e ligjeve dhe institucioneve kundër korrupsionit.
Një nga dokumentet më të rëndësishme është Konventa e Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit (UNCAC), e cila vendos standarde për parandalimin e korrupsionit, ndëshkimin e tij, luftën kundër pastrimit të parave dhe kthimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Shqipëria ka ratifikuar edhe Konventën Penale të Këshillit të Europës Kundër Korrupsionit, e cila kërkon nga shtetet të ndëshkojnë format e korrupsionit dhe të përmirësojnë mekanizmat e mbrojtjes dhe të kontrollit. Po ashtu, Shqipëria monitorohet edhe nga GRECO, një mekanizëm i Këshillit të Europës që jep rekomandime për përmirësimin e transparencës dhe integritetit në institucionet publike.
Këto angazhime ndërkombëtare e ndihmojnë Shqipërinë të përmirësojë sistemin e drejtësisë, të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe të afrohet me standardet europiane të shtetit të së drejtës.
SITUATË RASTI
Zyrtari i një bashkie dyshohet se ka përfituar para dhe pasuri të pajustifikuara. Sipas një auditimi të KLSH-së, gjatë një tenderi janë shpenzuar 200 000 euro më shumë sesa duhej. ILDKPKI-ja ka zbuluar se pasuria e zyrtarit është rritur, por nuk justifikohet me rrogën e tij. Rasti i është dërguar SPAK-ut për hetim.
Punë në grup
Ndahuni në katër grupe.
Secili grup përfaqëson një institucion:
Grupi 1 – SPAK-u
Grupi 2 – GJKKO-ja
Grupi 3 – KLSH-ja
Grupi 4 – ILDKPKI-ja
Secili grup, pas një bashkëbisedimi të shkurtër, bën një përshkrim të institucionit të vet dhe u përgjigjet pyetjeve:
– Çfarë do të bënte institucioni juaj në këtë rast?
– Si do të hetonte?
– Çfarë dokumentesh ose provash do t’i duheshin?
– Me cilin institucion do të bashkëpunonte?
Gjeni alternativën e saktë
E vërtetë apo e gabuar?
☐ ILDKPKI-ja heton dhe dënon penalisht zyrtarët.
☐ KLSH-ja kontrollon mënyrën si shpenzohen paratë e shtetit.
☐ SPAK-u heton vetëm korrupsionin e vogël.
☐ UNCAC-ja është një marrëveshje ndërkombëtare kundër korrupsionit.
☐ Ligjet janë të mjaftueshme edhe pa institucione që i zbatojnë.
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
- Cili institucion mendoni se ka rolin më të madh në luftën kundër korrupsionit: SPAK-u, GJKKO-ja, KLSH-ja apo ILDKPKI-ja? Pse?
- Mendoni se deklarimi i pasurisë së zyrtarëve është i efektshëm? Si mund të përmirësohet?
- A është e rëndësishme që qytetarët t’i njohin ligjet kundër korrupsionit? Si i ndihmon kjo ata në jetën e përditshme?






