8.3. Kontrata e punës dhe elementet e saj

Nxënësi/ja:
  • përshkruan kontratën me shkrim të punës dhe elementet e saj kryesore, si paga, orari, pozicioni, pushimet;
  • analizon detyrimet e punëdhënësit lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë;
  • vlerëson rëndësinë e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të ardhmen.
Fjalë kyçe:

kontratë pune,
kushte pune,
kontribute shoqërore dhe shëndetësore.

A E DINI SE?

  • Paga nuk është vetëm shuma në para që merr punonjësi, por duhet të mjaftojë për të siguruar një jetë me dinjitet.
  • Punonjësit që nuk marrin pushime rrezikojnë shëndetin dhe mirëqenien e tyre, edhe kur mendojnë se po punojnë më shumë për të fituar më tepër.

    A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Marrëdhënia e punës është një marrëdhënie ligjore që krijohet midis punëmarrësit e punëdhënësit dhe ka si qëllim kryerjen e një pune kundrejt një pagese. Për të qenë e drejtë, e qartë dhe e mbrojtur me ligj, kjo marrëdhënie duhet të rregullohet me kontratë pune me shkrim. Kontrata e punës, së bashku me respektimin e të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin prej saj, garanton siguri, dinjitet dhe stabilitet për çdo punëmarrës.

Funksionet e ligjit

Ligji hartohet për të na siguruar rregulla në shoqëri, në bazë të të cilave drejtohen veprimet dhe marrëdhëniet midis individëve, institucioneve dhe qeverisë. Shoqëria nuk mund të funksionojë pa rregulla. Ashtu siç nuk mund të zhvillohet mësimi në një klasë pa rregulla, nuk mund të ketë bashkëjetesë në një familje pa rregulla, as një shoqëri nuk mund të jetojë në harmoni pa to.
Ligji ka disa funksione kryesore.
• Funksioni social: siguron bashkëjetesë paqësore, respekt të ndërsjellë dhe marrëdhënie të qarta në shoqëri.
• Funksioni politik: përcakton mënyrën se si organizohet shteti, ndarjen e pushteteve dhe kufizimin e autoritetit për të parandaluar abuzimet.
• Funksioni ekonomik: rregullon tregjet, kontratat, punësimin dhe i mbron konsumatorët nga mashtrimet.
• Funksioni juridik: përcakton normat dhe procedurat që sigurojnë zbatimin e drejtësisë.
• Funksioni mbrojtës: i mbron qytetarët nga rreziqet, dhuna, diskriminimi dhe padrejtësia.

Të gjitha këto tregojnë se ligji është i domosdoshëm jo vetëm në teori, por edhe në praktikë, duke ndikuar në çdo aspekt të jetës sonë të përditshme.

Kontrata e punës garanton të drejta dhe përgjegjësi për të dyja palët.

Kontrata e punës me shkrim dhe rëndësia e saj

Kontrata e punës është një marrëveshje ligjore e lidhur me shkrim ndërmjet punëmarrësit dhe punëdhënësit, në të cilën përcaktohen qartë të drejtat dhe detyrimet e secilës palë.
Kontrata e punës me shkrim ka rëndësi, sepse ajo siguron qartësi dhe transparencë në marrëdhënien e punës. Përmes saj përcaktohen kushtet e punës, paga, orari, pushimet dhe përgjegjësitë dhe shmangen keqkuptimet dhe paqartësitë që mund të lindin gjatë ushtrimit të punës.
Kontrata e shkruar e mbron punëmarrësin nga abuzimet e mundshme, pasi shërben si provë ligjore në rast shkeljesh. Ajo ndihmon, gjithashtu, në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve duke u mbështetur në marrëveshjen e dokumentuar. Për më tepër, kontrata me shkrim kontribuon për respektimin e ligjit, garanton zbatimin e të drejtave të punës dhe forcon sigurinë e drejtësinë në marrëdhëniet e punës.

Një kontratë pune duhet të përmbajë disa elemente bazë, pa të cilat ajo nuk mund të konsiderohet e plotë:
• të dhënat e palëve (punëdhënësi dhe punëmarrësi);
• pozicioni i punës dhe përshkrimi i detyrave;
• orari i punës;
• paga dhe mënyra e pagesës;
• pushimet (ditore, javore, vjetore);
• kohëzgjatja e kontratës (afat i caktuar ose i pacaktuar);
• kushtet e ndërprerjes së kontratës.
Pa kontratë të shkruar, punëmarrësi mbetet i pambrojtur ligjërisht dhe rrezikon të humbasë të drejtat e tij.

Të drejtat e pagës dhe pushimet

Në marrëdhëniet e punës, paga dhe pushimet nuk janë thjesht përfitime, por të drejta themelore që garantojnë jetesën, shëndetin dhe dinjitetin e punëmarrësit. Kodi i Punës parashikon që çdo punonjës duhet të marrë të paktën pagën minimale, e cila vendoset nga shteti për të siguruar që puna të shpërblehet në mënyrë të drejtë dhe të mjaftueshme për mbulimin e nevojave bazë të jetesës. Pagesa nën këtë nivel përbën shkelje ligjore dhe formë shfrytëzimi.
Po aq e rëndësishme është marrja e pagës në kohë. Punëmarrësi ka të drejtë të paguhet rregullisht dhe pa vonesa, sepse paga është burimi kryesor i jetesës së tij dhe i familjes.
Për të garantuar transparencën, ligji parashikon edhe të drejtën për fletëpagesën, ku pasqyrohen qartë paga, zbritjet ligjore dhe shuma neto që përfiton punonjësi. Kjo i jep atij siguri dhe mundësi që të mbrojë të drejtat e veta.
Pushimet janë po aq të rëndësishme sa paga, sepse lidhen drejtpërdrejt me shëndetin dhe me mirëqenien e punonjësit. Ligji parashikon pushim ditor dhe javor, pushim vjetor të paguar për të paktën katër javë dhe pushim gjatë festave zyrtare. Pushimet ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit fizik e mendor dhe në parandalimin e lodhjes së tepërt.

Siguria dhe shëndeti në punë

Punëdhënësi ka detyrimin ligjor të sigurojë kushte të sigurta dhe të shëndetshme pune përmes pajisjeve mbrojtëse, informimit për rreziqet dhe trajnimit të punonjësve. Siguria në punë nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që lidhet drejtpërdrejt me jetën dhe me shëndetin e punëmarrësit. Në rast aksidenti në punë, elementi i parë që shqyrtohet nga organet kompetente është plotësimi i këtyre kushteve nga punëdhënësi.

Forma të diskriminimit dhe të ngacmimit në punë

Punëdhënësi duhet të kujdeset që punonjësi të punojë në kushte sa më të denja. Çdo punëmarrës ka të drejtë për trajtim të barabartë dhe respekt në vendin e punës. Diskriminimi në punë ndodh kur një person trajtohet ndryshe nga të tjerët pa arsye të drejtë, për shkak të gjinisë, moshës, prejardhjes etnike, fesë, aftësisë së kufizuar apo përkatësive të tjera personale. Ky trajtim i pabarabartë nuk lidhet me aftësitë profesionale, por me paragjykime dhe stereotipa, dhe si i tillë cenon dinjitetin njerëzor. Diskriminimi krijon pabarazi, pasiguri dhe padrejtësi në vendin e punës, prandaj është i ndaluar me ligj dhe duhet të parandalohet në çdo formë.
Ngacmimi në punë është një shkelje tjetër serioze e së drejtës për respekt dhe dinjitet. Ai përfshin sjellje të padëshiruara, ofenduese ose kërcënuese, të cilat e bëjnë mjedisin e punës të pakëndshëm dhe armiqësor për personin që i përjeton. Ngacmimi mund të shfaqet në forma të ndryshme, si: fjalë fyese, tallje, presion psikologjik apo sjellje me përmbajtje seksuale, dhe shpesh shoqërohet me frikë, stres dhe ulje të vetëvlerësimit. Njohja e këtyre të drejtave i ndihmon punëmarrësit të mbrojnë veten dhe të kërkojnë ndihmë kur përballen me sjellje të padrejta, gjithashtu kontribuon për ndërtimin e një kulture pune më të drejtë dhe më njerëzore.

SHEMBULL

“Puna pa kontratë, rrezik real”
Elsa, 18 vjeçe, filloi punë në një kafene gjatë verës. Pronari i tha se nuk kishte nevojë për kontratë, sepse puna ishte e përkohshme. Elsa pranoi dhe punoi çdo ditë për disa javë.
Në fund të muajit, pronari i dha më pak para nga sa kishin rënë dakord. Kur Elsa kërkoi pagesën e plotë, pronari mohoi se kishin rënë dakord për atë pagesë. Meqenëse Elsa nuk kishte kontratë ose dokument që ta provonte punën e saj, ishte e vështirë të kërkonte të drejtën.
Ky rast tregon se puna pa kontratë mund të rrezikojë të drejtat e punonjësit, sepse pa një marrëveshje të shkruar është e vështirë të provosh të drejtat e tua.

Rëndësia e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore

Pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore është një element shumë i rëndësishëm i marrëdhënies së punës dhe lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe të ardhmen e punëmarrësit. Përmes këtyre kontributeve, punonjësi siguron mbrojtje sociale gjatë gjithë jetës së tij profesionale por edhe pas përfundimit të saj.
Kontributet e sigurimeve shoqërore bëjnë të mundur përfitimin e pensionit në pleqëri, duke garantuar të ardhura edhe pasi personi nuk është më aktiv në tregun e punës. Ndërkohë, kontributet e sigurimeve shëndetësore sigurojnë akses në shërbime mjekësore dhe kujdes shëndetësor, të cilat janë të domosdoshme për ruajtjen e shëndetit dhe të mirëqenies.
Gjithashtu, kontributet ofrojnë mbrojtje në rast sëmundjeje, aksidenti ose paaftësie për punë, duke e ndihmuar punëmarrësin të përballojë situata të vështira pa humbur plotësisht të ardhurat. Për këtë arsye, pagesa e sigurimeve nuk është thjesht një detyrim ligjor, por një garanci për sigurinë ekonomike dhe sociale të individit.
Punësimi pa sigurime e dëmton drejtpërdrejt punëmarrësin, sepse e lë atë pa mbrojtje shëndetësore dhe pa të drejta për pension në të ardhmen.

SITUATË RASTI

“Kontrata formale, të drejta të pambrojtura”
Besniku është 22 vjeç dhe prej disa muajsh punon në sektorin e ndërtimit. Para fillimit të punës ai ka firmosur një kontratë pune, por pa marrë kohë për ta lexuar me kujdes dhe pa kërkuar shpjegime për përmbajtjen e saj. Me kalimin e kohës ai vëren se në kontratë nuk është e përcaktuar qartë paga mujore, nuk përmenden pushimet e paguara dhe nuk ka informacion për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
Gjatë punës së përditshme, Besniku përballet me kushte të rrezikshme: punon në lartësi, përdor mjete të rënda dhe nuk pajiset me helmetë, doreza apo mjete të tjera mbrojtëse. Ai nuk ka bërë asnjëherë trajnim për sigurinë në punë, edhe pse natyra e punës e kërkon këtë.
Një ditë, Besniku dëmton lehtë dorën gjatë punës. Kur përpiqet të marrë ndihmë mjekësore, zbulon se nuk është i siguruar, pasi punëdhënësi nuk ia ka paguar kontributet e sigurimeve. Në këtë moment ai kupton se, pavarësisht se ka një kontratë të firmosur, të drejtat e tij si punëmarrës nuk janë respektuar dhe se situata e tij është e pasigurt si nga ana ligjore, ashtu edhe nga ana shëndetësore.
Ky rast e vë Besnikun përballë nevojës për të kuptuar më mirë të drejtat dhe detyrimet në marrëdhëniet e punës, si dhe për të ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen e vetes.
Ndahuni në grupe dhe diskutoni
– Cilat elemente thelbësore mungojnë ose janë të paqarta në kontratën e Besnikut?
– Cilat detyrime të punëdhënësit, për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk janë respektuar?
– Pse pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore është e rëndësishme në këtë rast?
– Çfarë hapash konkretë duhet të ndërmarrë Besniku për të mbrojtur të drejtat e tij? (P.sh., kujt mund t’i drejtohet?)

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Pse kontrata e punës me shkrim është e domosdoshme për mbrojtjen e punëmarrësit?
  2. Si ndikon mosrespektimi i pushimeve dhe i orarit të punës në shëndetin dhe në dinjitetin e punonjësit?
  3. Pse diskriminimi dhe ngacmimi në punë nuk janë vetëm probleme personale, por shkelje ligjore dhe shoqërore?