Nxënësi/ja:
- përshkruan kategoritë kryesore të të drejtave të njeriut;
- argumenton pse të drejtat e brezit të tretë nuk i përkasin vetëm një individi;
- vlerëson rëndësinë e mbrojtjes ligjore të të drejtave të njeriut.
Fjalë kyçe:
të drejta negative,
të drejta pozitive,
të drejtat e brezit të tretë.
A E DINI SE?
- Liritë civile dhe politike, edhe pse thelbësore, nuk mjaftojnë gjithmonë për ta mbrojtur individin nga padrejtësitë, nëse nuk shoqërohen me mbështetje ekonomike dhe sociale.
- Mirëqenia e një personi nuk mund të arrihet pa garantimin e arsimit, të punës dhe të shëndetit.
- Një jetë dinjitoze vihet në rrezik kur zhvillimi ekonomik realizohet në dëm të mjedisit dhe të shëndetit të njerëzve.
A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.
Të drejtat e njeriut u konceptuan si të drejta morale, të bazuara në idenë se çdo qenie njerëzore lind me dinjitet dhe meriton respekt, pavarësisht nga statusi shoqëror, pushteti apo ligjet e kohës. Këto të drejta nuk ishin të shkruara në ligje, por mbështeteshin në parime etike, filozofike dhe fetare, si: drejtësia, barazia dhe respekti për jetën njerëzore. Ato shërbenin si standarde morale për të gjykuar sjelljen e shtetit dhe të shoqërisë edhe kur nuk kishin forcë detyruese.
Me kalimin e kohës, veçanërisht pas përvojave historike të padrejtësive, luftërave dhe shkeljeve masive të dinjitetit njerëzor, u bë e qartë se mbrojtja morale nuk ishte e mjaftueshme. Kjo çoi në institucionalizimin e të drejtave të njeriut, duke i kthyer ato në të drejta ligjore të sanksionuara në dokumente zyrtare. Fillimisht u përfshinë në deklarata dhe kushtetuta kombëtare, më pas në akte ndërkombëtare dhe rajonale, të cilat u japin shteteve detyrime konkrete për t’i respektuar, për t’i mbrojtur dhe për t’i garantuar këto të drejta.
Sot, të drejtat e njeriut përfaqësojnë një bashkim të dimensionit moral dhe ligjor: ato mbeten parime etike universale, por njëkohësisht janë norma juridike që mund të kërkohen dhe të mbrohen përmes institucioneve dhe gjykatave.

Pas Luftës së Dytë Botërore, të drejtat e njeriut morën një rëndësi të veçantë, si përgjigje ndaj shkeljeve të rënda që ndodhën gjatë saj.
Kategoritë e të drejtave të njeriut
Sipas një ndarjeje që pasqyrohet në dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ato zakonisht grupohen në tri kategori kryesore:
1. të drejta negative – civile dhe politike,
2. të drejta pozitive – ekonomike, sociale dhe kulturore,
3. të drejta të brezit të tretë – kolektive, duke përfshirë të drejtat e mjedisit dhe të zhvillimit.
1. Të drejtat civile dhe politike (të drejta të brezit të parë – të drejta negative)
Këto të drejta konsiderohen si liri themelore. Ato kërkojnë kryesisht mosndërhyrjen e shtetit. Quhen “negative” sepse shteti nuk duhet të ndërhyjë në realizimin e tyre.
SHEMBULL
- e drejta për jetën;
- liria e shprehjes;
- mbrojtja kundër torturës dhe trajtimit çnjerëzor;
- e drejta për proces të rregullt ligjor dhe gjykim të drejtë;
- prezumimi i pafajësisë;
- liria e fesë dhe e ndërgjegjes;
- e drejta për t’u organizuar dhe për të votuar.
Pse shteti nuk duhet të ndërhyjë në këtë të drejtë?
2. Të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore (të drejta të brezit të dytë – të drejta pozitive)
Këto të drejta synojnë të sigurojnë mirëqenie dhe barazi për të gjithë anëtarët e shoqërisë. Ato kërkojnë veprim aktiv të shtetit përmes politikave publike dhe shërbimeve sociale. Quhen “pozitive” sepse kërkojnë veprim dhe investim nga shteti.
SHEMBULL
- e drejta për punë dhe kushte të drejta pune;
- e drejta për arsim;
- e drejta për shëndetësi;
- e drejta për strehim;
- sigurimet shoqërore;
- e drejta për pjesëmarrje në jetën kulturore.
Çfarë duhet të bëjë shteti që kjo e drejtë të realizohet? A mund ta gëzojë individi këtë të drejtë pa ndihmën e institucioneve?
3. Të drejtat e brezit të tretë (të drejta kolektive – solidariteti, mjedisi dhe zhvillimi)
Të drejtat e brezit të tretë lidhen me konceptin e vëllazërisë dhe të solidaritetit. Ato nuk i përkasin vetëm individit, por grupeve, komuniteteve dhe shoqërisë në tërësi.
E drejta për mjedis të shëndetshëm dhe e drejta për zhvillim përfshihen në kategorinë e të drejtave të brezit të tretë, të njohura edhe si të drejta kolektive ose të solidaritetit. Këto të drejta dallohen nga brezi i parë dhe brezi i dytë për faktin që nuk i përkasin vetëm individit, por realizohen dhe gëzohen në mënyrë kolektive, duke përfshirë komunitetet, shoqëritë dhe brezat e ardhshëm.
E drejta për mjedis të shëndetshëm përfshin një sërë elementesh thelbësore:
• cilësi të pranueshme të ajrit, ujit dhe tokës;
• ruajtjen e ekuilibrave natyrorë dhe biodiversitetit;
• parandalimin e ndotjes industriale dhe urbane;
• menaxhimin e përgjegjshëm të burimeve natyrore;
• mbrojtjen e individëve dhe të komuniteteve nga rreziqet mjedisore.
E drejta për zhvillim është konceptuar si e drejta e individëve dhe e popujve për të marrë pjesë aktive në zhvillimin ekonomik, social, kulturor dhe politik dhe për të përfituar nga ai. Në teori, kjo e drejtë shkon përtej rritjes ekonomike dhe përqendrohet në zhvillimin e njeriut në tërësi.
Këto të drejta theksojnë se shkatërrimi i mjedisit, varfëria ekstreme apo konfliktet nuk janë vetëm çështje politike, por edhe shkelje të të drejtave të njeriut.
SHEMBULL
• e drejta për vetëvendosje;
• e drejta për zhvillim ekonomik dhe social;
• e drejta për sovranitet mbi burimet natyrore;
• e drejta për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm;
• e drejta për zhvillim të qëndrueshëm;
• e drejta për paqe;
• e drejta për të gëzuar trashëgiminë e përbashkët të njerëzimit.
Pse kjo e drejtë nuk i përket vetëm një individi? Si ndikon shkatërrimi i mjedisit në shëndetin dhe jetën e njerëzve?
Fjalorth
Prezumimi i pafajësisë – e drejta e gjithkujt për t’u quajtur i pafajshëm, përderisa nuk është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
- Pse mendoni se mbrojtja morale e të drejtave të njeriut nuk ishte e mjaftueshme?
- Cilat janë kategoritë e të drejtave të njeriut dhe pse është i rëndësishëm ky klasifikim?
- Pse të drejtat e brezit të tretë nuk i përkasin vetëm një individi? Si ndikon, për shembull, shkatërrimi i mjedisit në shëndetin dhe në jetën e njerëzve?
DETYRË
Për çdo shembull, shkruani në kolonën e fundit një nga kategoritë:
• të drejta negative (civile dhe politike);
• të drejta pozitive (ekonomike, sociale dhe kulturore);
• të drejta të brezit të tretë (kolektive).






