Nxënësi/ja:
- njeh nga afër fenomenin e punësimit informal;
- analizon pasojat sociale dhe ato ekonomike të punës në të zezë;
- propozon zgjidhje konkrete për parandalimin e punësimit informal, duke menduar si qytetar/e aktiv/e dhe i/e përgjegjshëm/me.
Qëllimi i kësaj veprimtarie është t’u japë nxënësve mundësinë të njohin nga afër dukurinë e punësimit informal duke u nisur nga realiteti i komunitetit të tyre. Përmes vëzhgimit dhe komunikimit me familjarë, fqinjë apo të njohur, nxënësit ndërgjegjësohen se puna në të zezë nuk është vetëm një koncept teorik, por një dukuri që prek jetën e shumë individëve.
Veprimtaria synon gjithashtu të zhvillojë aftësitë hulumtuese dhe komunikuese të nxënësve, duke i nxitur ata të formulojnë pyetje, të mbledhin informacione dhe t’i analizojnë ato në mënyrë kritike. Ky proces i ndihmon nxënësit të shprehin mendimet e tyre, të dëgjojnë perspektiva të ndryshme dhe të punojnë në grup.
Një tjetër qëllim i rëndësishëm është që nxënësit të kuptojnë pasojat sociale dhe ekonomike të punës në të zezë, si: mungesa e sigurimeve shoqërore, pasiguria në punë, vështirësitë për pension dhe ndikimi negativ në mirëqenien individuale dhe shoqërore. Përmes reflektimit, ata kuptojnë se përfitimet afatshkurtra nuk e kompensojnë humbjen e sigurisë afatgjatë.
Në përfundim, veprimtaria i nxit nxënësit të propozojnë zgjidhje konkrete për parandalimin e punësimit informal, duke menduar si qytetarë aktivë dhe të përgjegjshëm. Ata reflektojnë për rolin e ligjit, të institucioneve dhe të vetë individit në krijimin e një tregu pune të drejtë dhe të sigurt.
Hapi 1 Nxënësit ndahen në grupe pune.
Hapi 2 Çdo grup përpunon të dhënat e mbledhura nga anketat e realizuara si detyrë në një nga mësimet e mëparshme.
Nxënësit:
• llogaritin përqindjen e përgjigjedhënësve që kanë punuar të paktën një herë në mënyrë informale;
• zbulojnë se në cilin sektor është më e përhapur puna në të zezë;
• vënë në dukje arsyet kryesore të punësimit informal (p.sh.: nevoja ekonomike, mungesa e inspektimeve, mosnjohja e ligjit).
Hapi 3 Diskutohet dhe reflektohet.
• A përputhen rezultatet me pritshmëritë tuaja?
• Cila arsye u përmend më shpesh?
• Çfarë pasojash ka puna në të zezë për individin dhe për shoqërinë?
Hapi 4 Propozohen zgjidhje konkrete.
Së bashku me mësuesin/en, nxënësit tregojnë mënyra për të luftuar punësimin informal, si:
• rritja e kontrolleve nga inspektorati i punës;
• ndëshkime më të ashpra për shkelësit;
• informimi dhe edukimi i publikut;
• nxitja e punësimit formal dhe e kontratave të rregullta.
Hapi 5 Çdo grup prezanton përfundimet kryesore nga hulumtimi.

