Nxënësi/ja:
- përkufizon sinjalistikën rrugore si një sistem komunikimi që transmeton rregulla, paralajmërime dhe informacione;
- krahason llojet kryesore të sinjaleve rrugore;
- vlerëson rëndësinë e njohjes dhe të respektimit të sinjaleve rrugore për parandalimin e aksidenteve.
Fjalë kyçe:
sinjalistikë rrugore,
sinjale vertikale,
sinjale horizontale,
semafor.
A E DINI SE?
- Sinjalistika dhe vijëzimet nuk janë elemente zbukuruese. Kur janë të fshira ose mungojnë, shkaktohet rrëmujë dhe lindin konflikte në rrugë.
- Parkimi “vetëm dy minuta” shpesh bëhet shkak për rrezik më të madh.
A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.
Çfarë është sinjalistika rrugore dhe pse shërben?
Sinjalistika rrugore është sistemi përmes të cilit përcillen në rrugë rregulla, paralajmërime dhe informacione. Ajo u tregon përdoruesve të rrugës (këmbësorëve, çiklistëve, drejtuesve të mjeteve) si të sillen në situata të ndryshme: kur të ndalojnë, kur të ecin me kujdes, kur kanë përparësi dhe ku duhet të drejtohen. Qëllimi kryesor i sinjalistikës është të parandalojë konfliktet në trafik dhe të ulë aksidentet, sidomos në zona me lëvizje të dendur, si: pranë shkollave, kryqëzimeve dhe qendrave të banuara.
Cilat janë kategoritë e sinjaleve dhe çfarë na tregojnë?
Sinjalet vertikale janë sinjale që vendosen në lartësi (në shtylla anash ose mbi rrugë) dhe ndahen në këto kategori:

Sinjalistika vertikale.
Sinjalet e rrezikut paralajmërojnë praninë e rreziqeve, tregojnë natyrën e tyre dhe i detyrojnë drejtuesit e mjeteve të mbajnë një qëndrim të kujdesshëm, si p.sh.: kthesë e rrezikshme, kalim këmbësorësh.
Sinjalet urdhëruese bëjnë të ditur detyrimet, ndalimet dhe kufizimet, të cilave u nënshtrohen përdoruesit e rrugës. Ato përbëhen nga sinjalet e përparësisë; sinjalet e ndalimit dhe sinjalet e detyrimit, si p.sh.: ndalo, jep përparësi, shpejtësia maksimale. Ato ndahen në sinjale të përparësisë, të ndalimit dhe të detyrimit.
Sinjalet treguese u japin përdoruesve të rrugës informacionin e nevojshëm ose të dobishëm për t’i orientuar dhe për të gjetur zona të caktuara, itinerare, shërbime dhe impiante (drejtim, destinacion, shërbime, si: spitali, parkimi).
Një sinjal vertikal lexohet duke vëzhguar tri elemente bazë: fushën (sipërfaqen ku vendoset shenja), konturin (formën/bordurën) dhe simbolin (figurën ose numrin). Këto elemente lidhen së bashku: forma dhe paraqitja na orienton për llojin e mesazhit, ndërsa simboli jep kuptimin konkret. Për shembull, një shenjë me numër tregon kufizim shpejtësie; një shenjë me simbol këmbësori paralajmëron një zonë ku mund të kalojnë këmbësorët.
Sinjalet horizontale janë shenja të vizatuara në sipërfaqen e rrugës dhe shërbejnë për rregullimin e qarkullimit, për orientimin e përdoruesve dhe për të dhënë udhëzime të qarta për sjelljen që duhet mbajtur. Në sinjalet horizontale përfshihen: vijat gjatësore, vijat tërthore, vendkalimet e këmbësorëve dhe të biçikletave, shigjetat e drejtimit, sinjalizimet paralajmëruese për pengesa në karrexhatë, si dhe vijat kufizuese të stacioneve të transportit publik dhe sinjale të tjera të parashikuara nga aktet në zbatim.
Sinjalet e ndritshme ose semaforët që rregullojnë trafikun me drita. E gjelbra lejon lëvizjen sipas rregullave, e verdha paralajmëron ndryshim dhe kërkon kujdes, ndërsa e kuqja ndalon kalimin. Në shumë kryqëzime ka edhe semafor për këmbësorët, i cili tregon kur lejohet kalimi në mënyrë më të sigurt.
Sinjalet plotësuese janë tabela ndihmëse, të cilat vendosen poshtë një sinjali kryesor për të dhënë informacion shtesë për vlefshmërinë, për kohëzgjatjen, për distancën apo për përjashtimet. Një sinjal “Ndalim parkimi” mund të shoqërohet me një tabelë plotësuese, që tregon: “E hënë–e premte 08:00–16:00”, që do të thotë se ndalimi zbatohet vetëm në këtë interval.
Sinjalizimet e policit të trafikut kanë përparësi ndaj sinjalistikës vertikale, horizontale dhe semaforëve. Përdoren për të drejtuar qarkullimin në situata të zakonshme ose emergjente.
Hierarkia e sinjaleve
Në trafik mund të ndodhë që dy udhëzime të duken sikur bien në kundërshtim. Pikërisht për këtë ekziston hierarkia e sinjaleve, që na tregon cili udhëzim zbatohet i pari. Sinjalet e policit të trafikut kanë përparësi ndaj çfarëdolloj sinjali tjetër. Më pas vjen semafori, dhe vetëm pas tij zbatohen sinjalet vertikale dhe horizontale. Kjo do të thotë se, nëse polici urdhëron të ndalojmë, duhet të ndalojmë, edhe nëse semafori është i gjelbër; ndërsa, nëse semafori punon normalisht, ai na udhëzon edhe kur ka shumë sinjale të tjera rreth e rrotull.
Hierarkia e sinjaleve në rrugë
👮 Polici i trafikut (P)
⬇️
🚦 Semafori (S)
⬇️
🚫 Sinjalet vertikale (tabelat rrugore) (SV)
⬇️
🛣 Sinjalet horizontale (vijat në rrugë) (SH)
SITUATË RASTI
Në një kryqëzim të vogël brenda një qendre të banuar, në njërën nga rrugët është vendosur një sinjal vertikal “NDALO”. Në tokë, para këtij sinjali, është e vizatuar një vijë horizontale ndalimi. Pak metra më përpara ndodhet një vendkalim këmbësorësh.
Në një rrugë kryesore po lëviz një automjet, ndërsa një drejtues mjeti po afrohet drejt sinjalit “NDALO”. Në të njëjtën kohë, një këmbësor ndodhet në trotuar, pranë vijave të bardha, dhe pret të kalojë rrugën.
Pyetje për diskutim
– Kur drejtuesi i mjetit afrohet te sinjali “NDALO”, cila rregull zbatohet e para: sinjali vertikal apo vija horizontale? Pse?
– Ku duhet të ndalojë saktësisht mjeti: në vijat e bardha, në vijën e ndalimit apo para vijës së ndalimit?
– Ku duhet të kalojë këmbësori dhe kur është çasti i sigurt për të kaluar rrugën?

E vërtetë apo e gabuar?
□ Sinjalistika rrugore përcjell rregulla, paralajmërime dhe informacione.
□ Sinjalet vertikale kanë gjithmonë të njëjtin funksion.
□ Vijat ndarëse të korsive janë sinjale horizontale.
□ Shenjat vertikale dhe vijëzimet horizontale plotësojnë njëra-tjetrën.
Gjeni alternativën e saktë
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
- Jepni një shembull kur shenjat horizontale janë vendimtare për sigurinë (p.sh., vijat e bardha, vijë ndalimi).
- Pse policia e trafikut ka përparësi ndaj semaforit dhe shenjave të tjera?
- Si ju ndihmon hierarkia e sinjaleve që të mos ngatërroheni në një kryqëzim të ngarkuar?


