1.3. Llojet e ligjeve

Nxënësi/ja:
  • identifikon karakteristikat bazë të ligjit;
  • përshkruan llojet kryesore të ligjeve;
  • ilustron me shembuj funksionin e ligjeve të veçanta.
Fjalë kyçe:

ligje organike,
ligjet kushtetuese,
ligjet e jashtëzakonshme.

A E DINI SE?

  • Qytetarët duhet t’i njohin dhe t’i respektojnë të gjitha ligjet që miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë.
  • Mosnjohja e ligjit nuk është justifikim për të mos e respektuar atë.

    A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Shkolla, familja, komuniteti, tregu, institucionet dhe çdo formë ndërveprimi midis njerëzve krijojnë një rrjet të gjerë marrëdhëniesh shoqërore. Në këto marrëdhënie njerëzit veprojnë, bashkëpunojnë, kanë konflikte, bëjnë marrëveshje, shkëmbejnë shërbime dhe marrin vendime që ndikojnë te njëri-tjetri. Por jo të gjitha këto marrëdhënie janë të organizuara në të njëjtën mënyrë.
Pjesa më e madhe e tyre funksionon përmes normave sociale, traditave, zakoneve dhe pritshmërive morale, ndërsa pjesa tjetër kërkon ndërhyrjen e shtetit për të garantuar rregullin, drejtësinë dhe barazinë.
Këtu hyn roli i ligjit: ai shërben si rregullator i marrëdhënieve juridike, duke përcaktuar se si duhen zgjidhur mosmarrëveshjet, cilat janë detyrimet e individëve dhe si mbrohen të drejtat e tyre. Ndryshe nga marrëdhëniet shoqërore, të cilat varen nga zgjedhja dhe sjellja e njerëzve, marrëdhëniet juridike janë të formalizuara, të mbështetura në rregulla të detyrueshme dhe të garantuara nga shteti.
Sistemi juridik është i përbërë nga pjesë të ndryshme që lidhen ngushtë me njëra-tjetrën: ligjet krijohen dhe miratohen nga parlamenti, zbatohen nga institucionet ekzekutive dhe interpretohen nga gjykatat. Këto elemente funksionojnë së bashku për të garantuar që shoqëria të ketë rregull, siguri dhe drejtësi. Çdo pjesë e sistemit ndikon tek të tjerat: një ligj i qartë e ndihmon administratën ta zbatojë më lehtë atë dhe u jep gjykatave mundësinë të marrin vendime të drejta, ndërsa një ligj i paqartë krijon pështjellim, vonesa dhe padrejtësi.

SHEMBULL

“Nga konflikti te zgjidhja ligjore”

Mosmarrëveshja për një pronë mund të fillojë si një konflikt shoqëror midis dy fqinjëve që nuk bien dakord për kufirin e tokës.Në fillim ata mund të përpiqen ta zgjidhin vetë duke biseduar, duke u kërkuar ndihmë të afërmve apo me ndërmjetësimin e komunitetit. Deri në këtë pikë kemi të bëjmë me një marrëdhënie shoqërore. Por, kur mosmarrëveshja nuk zgjidhet dhe palët kërkojnë ndërhyrjen e autoritetit shtetëror, çështja shndërrohet në një marrëdhënie juridike. Në këtë rast, gjykata interpreton dhe zbaton ligjin për të vendosur se kujt i takon prona dhe cili ka të drejtë.

Ky shembull tregon qartë se si një situatë shoqërore kalon në një proces juridik. Është pikërisht ligji ai që i jep zgjidhjes një formë të detyrueshme, të paanshme dhe të vlefshme për të gjitha palët.

Karakteristikat bazë të ligjit

Për të realizuar qëllimin e tij, ligji duhet të ketë disa karakteristika të rëndësishme që në momentin e daljes deri në momentin e shfuqizimit. Ai duhet:
• të bazohet te parimi i drejtësisë. Një ligj është i drejtë kur u përgjigjet interesave të shtetasve të tij si në përmbajtje, ashtu dhe në formë.
• të jetë i thjeshtë dhe i kuptueshëm. Ligji duhet të ketë një nivel mesatar kuptueshmërie dhe thjeshtësie për të mos i lënë vend moskuptimit dhe keqkuptimit.
• të bëhet publik dhe të njihet gjerësisht. Ligji duhet të njihet nga shtetasit. Kërkesa e shtetit për të zbatuar ligjin vjen vetëm pasi ligji është publikuar dhe ka hyrë në fuqi.
• të zbatohet dhe të respektohet. Nxjerrja e ligjeve dhe zbatimi i tyre nuk është njësoj. Ka shumë shtete në të cilat nuk mungojnë ligjet “e mira”, por zbatimi i tyre nuk është po aq i mirë. Përvoja ka treguar se shoqëritë më të zhvilluara janë ato ku ligji zbatohet me përpikëri.

Llojet e ligjeve

Në një shoqëri ligjet janë të llojeve të ndryshme dhe kanë fusha të ndryshme veprimi, sepse ato rregullojnë marrëdhëniet e ndryshme të jetës shoqërore.
Ligjet kushtetuese përcaktojnë organizimin e pushtetit shtetëror, vendosin parimet themelore të rendit shoqëror dhe shtetëror. Zakonisht, ligjet kushtetuese zënë një vend të posaçëm në sistemin e së drejtës, duke përcaktuar përmbajtjen e të gjitha ligjeve të tjera. Asnjë ligj, si rregull, nuk duhet të jetë në kundërshtim me ligjet kushtetuese. Ligji kushtetues në Shqipëri është Kushtetuta e Shqipërisë.
Ligjet organike përcaktojnë organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të veçanta shtetërore, si: kuvendi, gjykatat etj. (për shembull, ligji për organizimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë). Miratohen me shumicë të cilësuar në Kuvend.
Ligjet e zakonshme rregullojnë fusha të ndryshme të jetës shoqërore, si: arsimi, mjedisi, sigurimet shoqërore etj. Ato miratohen për të mbrojtur interesin publik dhe për të rregulluar sjellje, marrëdhënie dhe situata të përditshme. Miratohen me shumicë të thjeshtë votash në Kuvend.
Kodet janë ligje, që përmbledhin dhe rregullojnë në mënyrë të plotë një fushë të caktuar të jetës shoqërore, si: puna, familja, marrëdhëniet civile apo penale.
Disa prej tyre janë veçanërisht të rëndësishme si:
• Kodi Penal përcakton veprat penale dhe dënimet për to.
• Kodi i Punës rregullon marrëdhëniet e punës midis punëmarrësve dhe punëdhënësve, si: pagat, orari i punës, pushimet, siguria në punë dhe të drejtat e detyrimet e palëve.
• Kodi i Familjes rregullon marrëdhëniet familjare, si: martesa, prindërimi dhe birësimi, si dhe rolin e shtetit në mbështetjen e familjes.
• Kodi Civil rregullon marrëdhëniet civile mes qytetarëve me njëri-tjetrin ose me shtetin, në çështje të përditshme si prona, kontratat, detyrimet dhe përgjegjësitë civile.

Ligjet e jashtëzakonshme nxirren vetëm në situata të pazakonta, si: kriza, fatkeqësi natyrore apo emergjenca shëndetësore. Janë të përkohshme dhe shërbejnë për të menaxhuar situata të veçanta. Për shembull, gjatë pandemisë COVID-19 u miratuan masa dhe akte normative të përkohshme, si: kufizimi i lëvizjes, mbyllja e institucioneve dhe rregulla të veçanta për shëndetin publik, me qëllim që të mbrohej jeta e qytetarëve.

COVID-19 kufizoi lëvizjen, kontaktet shoqërore dhe shumë aktivitete të përditshme.

Fjalorth

Shfuqizimi i ligjit – procesi juridik nëpërmjet të cilit një ligj ose një pjesë e tij hiqet nga fuqia juridike dhe nuk zbatohet më, sepse zëvendësohet me një ligj të ri ose konsiderohet si i papërshtatshëm për kushtet aktuale shoqërore, politike apo ekonomike. Shfuqizimi bëhet nga organi kompetent ligjvënës sipas procedurave të parashikuara me ligj.

SITUATË RASTI

Rasti 1. Hëna dhe Genta janë kolege. Hëna i mori hua Gentës 100 000 lekë dhe ranë dakord që Hëna t’ia kthente pas tre muajsh. Ka kaluar një vit dhe ajo nuk ia ka kthyer paratë.
Pyetje për diskutim
– Cilat janë mënyrat për ta zgjidhur këtë situatë?
– A përbën kjo shkelje ligjore?
– Cili ligj mund të zbatohet në këtë rast?
– Ku mund të zgjidhet kjo mosmarrëveshje?
Rasti 2. Prindërit e Ilirit u divorcuan dhe gjykata ia la nënës kujdestarinë e fëmijës, duke përcaktuar edhe detyrimin ushqimor të babait. Babai refuzon ta paguajë këtë detyrim.
Pyetje për diskutim
– A po shkelet ligji në këtë rast?
– Cilat janë të drejtat e fëmijës?
– Cili ligj e rregullon këtë situatë?
– Cilat institucione mund të ndërhyjnë?

Plotësoni vendet boshe

(zakonet, drejtësisë, qartë, miratuar, zbatohet, traditat, shoqërisë, kuptueshëm, hyrë, respektohet, rendin, ligjit)

• Në disa situata të jetës së përditshme, rregullat shoqërore, si _________ dhe _________ nuk mjaftojnë për të garantuar _________, prandaj është i nevojshëm zbatimi i _________.
• Një ligj duhet të frymëzohet nga parimi i _________, në mënyrë që t’u përgjigjet interesave të _________.
• Që të shmangen keqkuptimet, ligji duhet të jetë i __________ dhe i __________.
• Ligji mund të kërkojë zbatim nga qytetarët vetëm pasi të jetë _________ dhe të ketë _________ në fuqi.
• Shoqëritë më të zhvilluara janë ato në të cilat ligji _________ dhe _________ me përpikëri.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

1. Mendoni një situatë nga jeta e përditshme ku zakonet dhe traditat shoqërore nuk mjaftojnë për të rregulluar sjelljen e individëve dhe është e nevojshme ndërhyrja e ligjit. Përshkruani situatën dhe shpjegoni pse, sipas jush, është i domosdoshëm zbatimi i ligjit.
2. A mendoni se çdo mosmarrëveshje midis njerëzve duhet të zgjidhet në gjykatë? Shpjegoni në cilat raste është e nevojshme ndërhyrja e gjykatës dhe në cilat raste mund të zgjidhen konfliktet pa shkuar në gjykatë.
3. Pse mendoni se shteti duhet të miratojë ligje të jashtëzakonshme vetëm në situata të veçanta? Shpjegoni arsyen dhe sillni një shembull nga Shqipëria kur ka ndodhur kjo.