7.4. Roli i qytetarëve në luftën kundër korrupsionit

Nxënësi/ja:
  • identifikon mënyrat se si mund të kontribuojnë qytetarët në luftën kundër korrupsionit;
  • shpjegon rëndësinë e integritetit personal dhe të etikës në parandalimin e korrupsionit;
  • reflekton për situata që paraqesin dilema etike.
Fjalë kyçe:

përgjegjësi qytetare,
kultura e ndershmërisë,
integritet,
dilema etike.

A E DINI SE?

  • Jo çdo favor ose dhuratë e vogël mund të quhet korrupsion.

    A jeni dakord me pohimin e mësipërm? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Në një shoqëri demokratike lufta kundër korrupsionit nuk varet vetëm nga shteti. Çdo qytetar ka rolin e vet madje të rinjtë janë të rëndësishëm, sepse krijojnë kulturën e së ardhmes edhe në shkollë, edhe në marrëdhëniet e përditshme me shokët. Ata mund të ndihmojnë duke denoncuar padrejtësitë, duke refuzuar ryshfetin edhe në gjërat e vogla, duke kërkuar transparencë për vendimet publike dhe duke përhapur një kulturë ndershmërie në shkollë e në komunitet. Sa më shumë që qytetarët të kërkojnë drejtësi, aq më pak hapësirë ka për sjellje të padrejta.
Qytetarët nuk janë vetëm përfitues të shërbimeve publike, por edhe mbrojtës të drejtësisë, të ndershmërisë dhe të interesit të përbashkët. Ata mund të kontribuojnë në disa mënyra.
Duke denoncuar sjelljet e padrejta. Kur një qytetar sheh ryshfet, favore të fshehta ose trajtim të pabarabartë, ai ka të drejtë dhe përgjegjësi ta raportojë. Denoncimi ndihmon që institucionet të jenë më të përgjegjshme dhe më transparente.
Duke refuzuar ryshfetin dhe favoret e padrejta. Edhe veprimet që duken të vogla, si dhuratat apo nderet për të marrë një përfitim, dëmtojnë drejtësinë dhe barazinë. Refuzimi i tyre është një qëndrim i rëndësishëm qytetar.
Duke kërkuar transparencë. Qytetarët kanë të drejtë të dinë si përdoren fondet publike, si merren vendimet dhe si funksionojnë institucionet. Sa më shumë informacion kërkohet, aq më pak hapësirë mbetet për abuzim.
Duke përhapur kulturën e përgjegjshmërisë. Çdo qytetar mund të ndikojë në familje, në shkollë, në punë dhe në komunitet duke mbështetur ndershmërinë, barazinë dhe respektin për ligjin.
Që të kemi qytetarë të përgjegjshëm, është e domosdoshme që të kultivohen vlera si integriteti dhe etika. Integriteti i nxit individët të bëjnë veprimin e duhur edhe kur nuk ka kontroll, ndërsa etika i udhëheq ata të sillen sipas vlerave morale dhe rregullave të drejtësisë. Të gjitha këto elemente së bashku ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie të ndershme, të drejtë dhe demokratike.

Korrupsioni mund të nisë edhe në situata të zakonshme shkollore.

Integriteti është zgjedhje personale edhe kur je vetëm.

Presioni i grupit dhe mungesa e shpresës si nxitës të korrupsionit

Korrupsioni nuk lind gjithmonë vetëm nga interesi personal apo nga dëshira për përfitim. Ndonjëherë ai ushqehet edhe nga presioni i grupit, nga dëshira për t’u pranuar dhe nga bindja se “kështu veprojnë të gjithë”. Sidomos në moshën e adoleshencës, shumë të rinj mund të ndihen të shtyrë të ndjekin sjelljet e grupit shoqëror, edhe kur e kuptojnë se ato nuk janë të drejta. Frika se mos mbeten jashtë grupit, se mos duken ndryshe ose se mos paragjykohen, mund t’i bëjë të heshtin përballë padrejtësisë ose edhe të marrin pjesë në të.
Kësaj i shtohet edhe mungesa e shpresës dhe mosbesimi te sistemi. Kur njerëzit fillojnë të besojnë se “asgjë nuk ndryshon”, se “drejtësia nuk funksionon” ose se “pa mik e pa favor nuk ecet përpara”, ata mund ta pranojnë padrejtësinë si diçka normale. Në një klimë të tillë, korrupsioni nuk shihet më si shkelje serioze, por si një mënyrë e zakonshme për të zgjidhur probleme, për të fituar përparësi ose për të arritur atë që duhej të ishte e mundur në mënyrë të ndershme. Kjo është e rrezikshme, sepse sa më shumë të pranohet si normale një sjellje e padrejtë, aq më shumë ajo përhapet dhe bëhet pjesë e kulturës së përditshme.

Roli i shkollës në parandalimin e korrupsionit

Shkolla ka një rol shumë të rëndësishëm në parandalimin e korrupsionit, sepse ajo nuk është vetëm një vend ku jepet dije, por edhe një mjedis ku formohen vlera, qëndrime dhe modele sjelljeje. Nëse nxënësit mësojnë që në shkollë rëndësinë e ndershmërisë, meritës, drejtësisë dhe përgjegjësisë, ata kanë më shumë mundësi t’i mbrojnë këto vlera edhe në jetën e tyre si qytetarë.
Shkolla mund të kontribuojë përmes diskutimeve mbi dilema etike, veprimtarive ndërgjegjësuese, fushatave informuese, posterave, videove, broshurave dhe projekteve tematike mbi drejtësinë, transparencën dhe integritetin. Po ashtu, mund të krijohen klube të etikës ose të organizohen ditë të posaçme kundër korrupsionit, ku nxënësit të reflektojnë, të debatojnë dhe të propozojnë zgjidhje konkrete.
Megjithatë, roli i shkollës nuk kufizohet vetëm te aktivitetet. Ajo duhet të jetë vetë shembull i sjelljes etike dhe i trajtimit me dinjitet. Kjo do të thotë që rregullat të zbatohen njësoj për të gjithë, nxënësit të vlerësohen me drejtësi, vendimet të jenë të qarta dhe të paanshme, ndërsa marrëdhëniet në shkollë të mbështeten në respekt reciprok.
Prandaj, lufta kundër korrupsionit fillon edhe nga jeta e përditshme në shkollë: nga mënyra si zbatohet rregullorja, si jepen notat, si trajtohen nxënësit, si zgjidhen konfliktet dhe si nxitet ndershmëria.

Shkolla si hapësirë e ndershmërisë.

Organizatat e shoqërisë civile dhe roli i tyre

Përveç institucioneve shtetërore, edhe organizatat e shoqërisë civile luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Ato punojnë për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe për rritjen e ndershmërisë dhe të transparencës në institucionet publike. Këto organizata monitorojnë veprimet e pushtetit, raportojnë parregullsitë, informojnë dhe edukojnë publikun, si dhe kërkojnë përmirësimin e ligjeve dhe të politikave publike.
Përmes veprimtarisë së tyre, organizatat e shoqërisë civile i ndihmojnë qytetarët të kuptojnë më mirë si funksionon sistemi, të njohin të drejtat e tyre dhe të ndihen më të sigurt për të raportuar padrejtësitë.

Dilemat etike

Të gjendesh midis integritetit dhe etikës, nga njëra anë, dhe presionit të grupit apo mungesës së shpresës, nga ana tjetër, çon në dilema etike, ku individi duhet të zgjedhë midis asaj që është e drejtë dhe asaj që duket më e lehtë ose më e favorshme aty për aty.Në përditshmëri një person duhet të zgjedhë mes dy veprimeve, por asnjëra nuk duket plotësisht e lehtë. Zakonisht, njëra zgjedhje është më e drejtë, ndërsa tjetra është më e lehtë ose më e favorshme për momentin. Pikërisht këtu lind vështirësia e marrjes së vendimit.
Kur përballemi me një dilemë etike, është e rëndësishme të mendojmë me kujdes. Duhet të pyesim veten se cila zgjedhje respekton rregullat dhe drejtësinë, cilat vlera po mbrojmë me vendimin tonë dhe çfarë pasojash do të ketë ky vendim për ne dhe për të tjerët. Po aq e rëndësishme është të mendojmë se çfarë është më e mirë për komunitetin, jo vetëm për interesin personal.
Zgjedhja etike nuk është gjithmonë ajo më e lehta, por është ajo që ruan ndershmërinë dhe përgjegjësinë. Ajo kërkon mendim të qartë, ndershmëri me veten dhe guxim për të bërë gjënë e duhur, edhe kur kjo sjell vështirësi ose presion nga të tjerët.

Fjalordh

Integritet – të bësh veprimin e duhur, edhe kur nuk të sheh askush.
Etika – rregullat morale që udhëheqin sjelljen tonë të përditshme.

SITUATË RASTI

“Nderi që u kthye në padrejtësi”
Andi është nxënës në një shkollë 9-vjeçare. Një ditë para provimit, një mësues i kërkon atij ta ndihmojë me një punë personale, si dërgimi i disa dokumenteve në zyrë, dërgimi i disa materialeve ose një shërbim tjetër që nuk lidhet me mësimin. Andi e ndihmon. Të nesërmen, në provim, ai merr notë shumë më të lartë, megjithëse nuk ka qenë i përgatitur mirë. Shokët e klasës fillojnë të dyshojnë se nota nuk është marrë me meritë, por si shpërblim për “nderin” që ka bërë.
Pyetje për diskutim
– A është kjo situatë një formë e vogël korrupsioni? Pse po ose pse jo?
– Çfarë duhet të bëjë nxënësi që mori notën? A duhet ta pranojë notën apo të flasë me mësuesin?
– Si duhet të reagojë klasa kur sheh një situatë të tillë?
– Nëse do të ishit në vend të nxënësit që iu kërkua favori, çfarë do të bënit?
– Cila është zgjedhja etike në këtë rast? Si e argumentoni?

E vërtetë apo e gabuar?

☐ Edhe favoret e vogla mund ta dëmtojnë drejtësinë.
☐ Korrupsioni lidhet vetëm me politikanët, jo me nxënësit.
☐ Integritet do të thotë të bësh gjënë e duhur edhe kur nuk të sheh askush.
☐ Presioni i grupit nuk ndikon në sjelljen e të rinjve.
☐ Shkolla mund të ndihmojë në krijimin e kulturës së ndershmërisë.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Si do të vepronit, nëse një shok do t’ju kërkonte të heshtnit për një padrejtësi?
  2. Tregoni një veprim që mund të bëni çdo ditë për të qenë të ndershëm?