9.1. Konsumatori dhe mbrojtja e tij

Nxënësi/ja:
  • përkufizon konceptin e konsumatorit;
  • shpjegon konceptin e mbrojtjes së konsumatorit;
  • jep shembull se si të drejtat e konsumatorit zbatohen në blerjet e përditshme të produkteve dhe të shërbimeve.
Fjalë kyçe:

konsumator,
mbrojtje e konsumatorit,
markimi CE,
tregtar.

A E DINI SE?

  • Të gjithë jemi konsumatorë çdo ditë, edhe kur nuk blejmë, por përdorim shërbime.
  • Mungesa e çmimit të afishuar është shkelje e të drejtave të konsumatorit.

    A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Çfarë është konsumatori?

Konsumator quhet çdo njeri që blen ose përdor mallra dhe shërbime për të plotësuar nevojat e tij personale, jo për qëllime biznesi, tregtie apo ushtrimi profesioni.
Ky përkufizim bazohet në ligjin nr. 9902, datë 17.04.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve” (i ndryshuar).
Në jetën e përditshme, të gjithë jemi konsumatorë. Për shembull:
• kur blejmë ushqime në dyqan,
• kur përdorim energjinë elektrike, ujin apo gazin,
• kur marrim shërbime si transporti, interneti apo telefoni.
Sipas ligjit, konsumatorë konsiderohen jo vetëm individët, por, në disa raste, edhe organizatat jofitimprurëse kur përdorin shërbime për nevojat e tyre.

Si lindi mbrojtja moderne e konsumatorit?

Ideja moderne për mbrojtjen e konsumatorit lindi në vitin 1962, kur presidenti amerikan Xhon Kenedi (John F. Kennedy) mbajti një fjalim historik përpara Kongresit të SHBA-së. Në mesazhin e tij, ai deklaroi: “Konsumatorët… janë grupimi më i madh ekonomik në ekonomi, që ndikon dhe ndikohet nga pothuajse çdo vendim ekonomik publik dhe privat… Por, ata janë grupi i vetëm i rëndësishëm në ekonomi, që nuk janë të organizuar në mënyrë efektive, pikëpamjet e të cilëve shpesh nuk dëgjohen…” (UNTAD, 2018: Manual on Consumer Protection: faqe 2, KMK, 2017: “Raport mbi veprimtarinë për mbrojtjen e konsumatorëve”, faqe 5).

“…Nëse konsumatorëve u ofrohen produkte inferiore, nëse çmimet janë të tepruara, nëse ilaçet janë të pasigurta ose të pavlefshme, nëse konsumatorët nuk janë në gjendje të zgjedhin mbi një bazë të informuar, atëherë dollarët [e tyre] harxhohen, shëndeti dhe siguria e tyre mund të kërcënohen dhe interesi kombëtar vuan.” (UNTAD, 2018: Manual on Consumer Protection: faqe 2).

Çfarë është mbrojtja e konsumatorit?

Me mbrojtje të konsumatorit kuptojmë tërësinë e normave juridike (ligje dhe akte nënligjore), të cilat rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet konsumatorit, nga njëra anë, dhe tregtarit, furnizuesit, ofruesit të shërbimit dhe prodhuesit, nga ana tjetër.

Rëndësia e mbrojtjes së konsumatorit

Mbrojtja e konsumatorit nuk kufizohet vetëm në ligje, por përfshin edhe edukimin dhe informimin e qytetarëve. Ajo synon të parandalojë veprimet mashtruese dhe situatat që mund të rrezikojnë jetën, shëndetin, familjen dhe interesat ekonomikë të konsumatorëve. Qëllimi kryesor i saj është krijimi i një mjedisi të sigurt, ku produktet dhe shërbimet që qytetarët blejnë për veten dhe familjen e tyre të jenë të besueshme dhe të sigurta. Mbrojtja e konsumatorit mbështetet në tri elemente themelore, të cilat garantojnë mirëqenien dhe sigurinë e tij në treg.

Shëndeti i konsumatorit

Kjo shtyllë lidhet me mbrojtjen e shëndetit fizik dhe mendor të individit. Produktet dhe shërbimet që ofrohen në treg nuk duhet të dëmtojnë shëndetin e konsumatorëve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ushqimet, barnat dhe shërbimet që lidhen drejtpërdrejt me mirëqenien e njeriut. Për shembull, një produkt ushqimor i skaduar mund të shkaktojë probleme shëndetësore.

Siguria e konsumatorit

Konsumatori duhet të jetë i mbrojtur nga çdo rrezik që mund të vijë nga përdorimi i produkteve ose shërbimeve. Mallrat duhet të jenë të sigurta për përdorim dhe të shoqërohen me udhëzime të qarta, në mënyrë që të shmangen aksidentet apo dëmtimet. Për shembull, një lodër pa standard sigurie (pa shenjën e CE-së), mund të dëmtojë fëmijën.

Mbrojtja e të drejtave të konsumatorit

Kjo shtyllë përfshin garantimin e të drejtave ligjore të konsumatorit, si e drejta për informacion, për zgjedhje, për ankim dhe për dëmshpërblim. Ajo siguron që konsumatori të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe të ketë mundësi të mbrojë interesat e tij në çdo rast. Për shembull, një blerës kërkon zëvendësimin kur produkti nuk ofrohet sikurse është premtuar.

Markimi CE

Markimi CE tregon se një produkt përmbush standardet e sigurisë dhe kërkesat ligjore të Bashkimit Europian, dhe mund të tregtohet si në BE ashtu edhe në Shqipëri.
Ky markim nuk tregon origjinën e produktit. Ai mund të vendoset edhe nga prodhues jashtë BE-së, për sa kohë që produkti plotëson standardet përkatëse.
Për të vendosur markimin CE:
• produkti duhet të kalojë procedurat e vlerësimit të konformitetit (plotëson standardet e sigurisë);
• prodhuesi duhet të hartojë dhe të nënshkruajë deklaratën e konformitetit.
Markimi CE është i detyrueshëm për disa produkte, si:
• lodrat,
• pajisjet elektrike,
• makineritë,
• pajisjet mbrojtëse personale,
• ashensorët.

Detyrimet e tregtarëve në mbrojtje të konsumatorit

Tregtarët kanë një sërë detyrimesh që synojnë mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e një tregu të sigurt dhe të drejtë. Ata duhet të ofrojnë vetëm produkte dhe shërbime të sigurta, që nuk rrezikojnë shëndetin dhe jetën e përdoruesve. Gjithashtu, janë të detyruar të vendosin çmime të qarta, të dukshme dhe të lexueshme, të shprehura në para, në mënyrë që konsumatori të jetë i informuar përpara blerjes.
Një detyrim tjetër i rëndësishëm është dhënia e informacionit të plotë në gjuhën shqipe për produktin, duke përfshirë të dhëna të nevojshme për përdorimin dhe identifikimin e tij. Tregtarët duhet gjithashtu t’i pajisin konsumatorët me kupon ose faturë për çdo blerje, si provë e transaksionit.
Për më tepër, produktet duhet të jenë të paketuara në mënyrë të rregullt dhe të sigurt, për të shmangur dëmtimet apo rreziqet gjatë përdorimit. Në çdo njësi tregtare duhet të afishohen qartë të dhënat e biznesit, si emri, adresa dhe orari i shërbimit, në mënyrë që konsumatori të ketë informacion të plotë dhe të mund të kërkojë përgjegjësi në rast nevoje.

SITUATË RASTI

“Analiza e mbrojtjes së konsumatorit”
Ndahuni në grupe. Krijoni dhe analizoni një situatë nga jeta e përditshme që lidhet me mbrojtjen e konsumatorit.
Kërkesat
– Përshkruani shkurt situatën.
– Shpjegoni pse është e nevojshme mbrojtja e konsumatorit në këtë rast.
– Identifikoni çfarë rreziku ose problemi paraqitet (p.sh. produkt i pasigurt, mungesë informacioni, çmim i paqartë).
– Propozoni si mund të mbrohet konsumatori në këtë situatë.

Prezantimi
Çdo grup prezanton përfundimet e tij para klasës.

E vërtetë apo e gabuar?

□ Tregtarët mund të mos japin faturë nëse klienti nuk e kërkon.
□ Produktet duhet të jenë të sigurta për përdorim.
□ Çmimi nuk ka nevojë të jetë i dukshëm.
□ Informacioni për produktin duhet të jetë në gjuhën shqipe.

Gjeni alternativën e saktë

Kush konsiderohet konsumator?
a) Një person që blen mallra për biznes.
b) Një person që blen mallra për nevoja personale.
c) Vetëm një tregtar.
ç) Vetëm një prodhues.

Mbrojtja e konsumatorit ka të bëjë vetëm me:
a) shitjen e produkteve;
b) çmimet;
c) rregullimin e marrëdhënieve midis konsumatorit dhe tregtarit;
ç) reklamimin.

Cila është një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së konsumatorit?
a) Fitimi i tregtarit.
b) Reklamimi.
c) Siguria e konsumatorit.
ç) Konkurrenca.

Markimi CE tregon se:
a) produkti është i prodhuar në Shqipëri;
b) produkti është i lirë;
c) produkti përmbush standardet e sigurisë;
ç) produkti është i përdorur.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Pse është e rëndësishme që tregtarët të japin informacion të plotë për produktet?
  2. Çfarë rreziku paraqesin produktet pa etiketë ose pa çmim të qartë?
  3. A mendoni se konsumatorët në Shqipëri janë të informuar mjaftueshëm për të drejtat e tyre?