Nxënësi/ja:
- shpjegon konceptin e transparencës në kontekstin e qeverisjes dhe të shërbimeve publike;
- përshkruan format e ndryshme të transparencës, duke përfshirë transparencën proaktive dhe atë reaktive;
- shërben si shembull i një qytetari/qytetareje të informuar dhe aktiv/e, që kontribuon në krijimin e një shoqërie më transparente dhe llogaridhënëse.
Fjalë kyçe:
transparencë,
proaktive,
reaktive,
teknologji.
A E DINI SE?
- Transparenca nuk matet me sasinë e informacionit që jepet, por me sa i saktë, i qartë dhe i hapur është ai.
A jeni dakord me pohimin e mësipërm? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.
Çfarë është transparenca?
Transparenca është publikimi nga ana e institucioneve publike i informacioneve për vendimet, shpenzimet dhe veprimtarinë e tyre. Kur ky informacion publikohet online, atë mund ta sigurojnë të gjithë qytetarët.
Transparenca i detyron institucionet publike të veprojnë në mënyrë të hapur, të qartë dhe të kuptueshme, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të informohen për: vendimet që merren; mënyrën si shpenzohen paratë publike; procedurat dhe rregullat që ndiqen.
Transparenca është thelbësore për parandalimin e korrupsionit
Transparenca luan një rol shumë të rëndësishëm në funksionimin e institucioneve publike, sepse ajo ndihmon që pushteti të ushtrohet në mënyrë të drejtë dhe të përgjegjshme.
Ajo e bën më të vështirë abuzimin me pushtetin, pasi zyrtarët janë të ndërgjegjshëm se veprimet e tyre mund të kontrollohen. Po ashtu, ul mundësitë për korrupsion dhe favore të padrejta, sepse çdo vendim dhe shpenzim është i dukshëm për publikun.
Transparenca rrit besimin e qytetarëve tek institucionet publike dhe krijon marrëdhënie më të hapura dhe më të ndershme midis shtetit dhe shoqërisë. Në këtë mënyrë, ajo forcon shtetin e së drejtës dhe demokracinë, duke garantuar barazi, drejtësi dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve.
Disa fusha ku transparenca është veçanërisht e rëndësishme janë:
• prokurimet publike – si përzgjidhen kompanitë që fitojnë tendera;
• shpenzimet buxhetore – ku shkojnë taksat e qytetarëve;
• punësimet në administratë – shmangia e nepotizmit;
• arsimi dhe shëndetësia – përdorimi i fondeve publike;
• vendimmarrja lokale – projektet dhe investimet në komunitet.

Transparenca ndihmon në ushtrimin e përgjegjshëm të pushtetit.
Një rol thelbësor në rritjen e transparencës dhe të llogaridhënies së institucioneve publike luan edhe teknologjia. Ajo u mundëson qytetarëve të informohen dhe të marrin pjesë aktive përmes portaleve të të dhënave të hapura, faqeve zyrtare, aplikacioneve mobile dhe rrjeteve sociale. Falë teknologjisë, informacioni publik bëhet më i shpejtë, më i përdorshëm dhe më i verifikueshëm për të gjithë qytetarët.
Format e transparencës
Transparenca në institucionet publike shfaqet në forma të ndryshme, por dy janë format kryesore.
Transparenca proaktive ndodh kur institucionet e publikojnë vetë informacionin, pa pritur që qytetarët ta kërkojnë atë. Kjo tregon gatishmëri për hapje dhe llogaridhënie. Për shembull: publikimi i buxhetit vjetor, shpallja e vendimeve dhe e rregulloreve, raportet e punës dhe statistikat zyrtare.
Transparenca reaktive ndodh kur institucionet japin informacion vetëm pasi qytetarët e kërkojnë, në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit.
Për shembull: një qytetar kërkon informacion për një shpenzim publik, një organizatë kërkon dokumente zyrtare, një nxënës ose student kërkon të dhëna për një institucion.
Të dyja format e transparencës janë të rëndësishme, por transparenca proaktive ndihmon më shumë në krijimin e besimit dhe në parandalimin e korrupsionit.
SHEMBULL
“Ndriçimi i lagjes”
Bashkia e një qyteti vendos të investojë fonde publike për vendosjen e ndriçimit të ri rrugor në disa lagje. Para se të fillojë puna, bashkia publikon në faqen e saj zyrtare:
• planin e projektit;
• vlerën e fondit të përdorur;
• kompaninë zbatuese dhe afatin e punimeve.
Ky veprim përbën transparencë proaktive, sepse informacioni i jepet publikut pa u kërkuar.
Pas përfundimit të projektit, banorët e një lagjeje vërejnë se ndriçimi nuk funksionon në disa rrugë. Ata paraqesin një kërkesë zyrtare për informacion në bashki, duke kërkuar sqarime për shpenzimet dhe për përgjegjësitë për mirëmbajtjen. Bashkia u përgjigjet me dokumente dhe sqarime zyrtare.
Ky është një shembull i transparencës reaktive, sepse informacioni jepet pasi qytetarët e kërkojnë.
Mungesa e transparencës
Mungesa e transparencës ndodh kur institucionet publike nuk veprojnë në mënyrë të hapur dhe të qartë ndaj qytetarëve. Kjo situatë mund të shfaqet kur:
• një institucion nuk i publikon shpenzimet e tij, nuk tregon se si përdoren fondet publike ose taksat e qytetarëve,
• tenderat dhe prokurimet publike zhvillohen pa informim publik, pa shpallje të hapura ose pa kritere të qarta për përzgjedhjen e fituesit,
• qytetarëve u mohohet e drejta për informacion, edhe pse ligji u jep të drejtën të kërkojnë dhe të marrin të dhëna publike,
• vendimet merren pa u konsultuar me publikun, pa dëgjuar mendimin e qytetarëve ose të grupeve të interesit që preken nga këto vendime.
Pasojat e mungesës së transparencës janë rritja e mosbesimit ndaj institucioneve, shtimi i korrupsionit dhe dobësimi i demokracisë.
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
- Pse transparenca proaktive është më e rëndësishme për krijimin e besimit të qytetarëve sesa transparenca reaktive?
- Si mund ta përdorin nxënësit teknologjinë për të nxitur transparencën dhe llogaridhënien në komunitetin e tyre?

