6.4. Përgjegjësia qytetare për mbrojtjen e pronës publike dhe të pronës private
Nxënësi/ja:
- identifikon veprime personale që ndihmojnë në parandalimin e dëmtimit të pronës;
- shpjegon rëndësinë e dëshmitarit aktiv dhe të denoncimit të akteve të dëmtimit ose të vjedhjes së pronës;
- mbështet propozime për pjesëmarrje në nisma komunitare ose shkollore, që synojnë mbrojtjen dhe përmirësimin e pronës publike.
Fjalë kyçe:
dëshmitar aktiv,
denoncim,
përgjegjësi qytetare.
A E DINI SE?
- Të denoncosh dëmtimin e pronës publike nuk do të thotë të spiunosh, por të mbrosh të mirën e përbashkët.
A jeni dakord me pohimin e mësipërm? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.
Mbrojtja e pronës, qoftë private apo publike, nuk është vetëm detyrë e shtetit. Ajo është edhe përgjegjësi e çdo qytetari që shkon në shkollë, jeton në një lagje dhe përdor shërbimet e përbashkëta. Sjelljet tona të përditshme, vendimet e vogla dhe ndërhyrjet që bëjmë si individë ndikojnë drejtpërdrejt në krijimin e një mjedisi të sigurt, të pastër dhe të organizuar. Kur secili nga ne vepron me ndërgjegje, komuniteti bëhet më i fortë dhe prona është më e mbrojtur.
Parandalimi i dëmtimit të pronës private
Parandalimi është mënyra më e thjeshtë dhe më e efektshme për të mbrojtur pronën. Ai fillon me veprime të vogla personale, por ka ndikim të madh në sigurinë e përgjithshme.
Sjellje individuale që ndihmojnë në parandalim:
• kujdesi për sendet personale (çantën, telefonin, biçikletën);
• mbyllja e derës së shtëpisë kur largohesh;
• moslënia e sendeve të vlefshme pa mbikëqyrje;
• përdorimi i mjeteve të sigurisë (zinxhir për biçikletën, bllokues për çantën etj.).
Edhe pse duken si veprime të thjeshta të përditshme, këto sjellje ndihmojnë në parandalimin e vjedhjeve, të humbjeve dhe të keqpërdorimeve.

Respekti për pronën publike është shenjë qytetarie.
Parandalimi i dëmtimit të pronës publike
Parandalimi është mënyra më e thjeshtë dhe më e efektshme për të mbrojtur pronën. Ai fillon me veprime të vogla personale, por ka ndikim të madh në sigurinë e përgjithshme.
Sjellje individuale që ndihmojnë në parandalim:
• kujdesi për sendet personale (çantën, telefonin, biçikletën);
• mbyllja e derës së shtëpisë kur largohesh;
• moslënia e sendeve të vlefshme pa mbikëqyrje;
• përdorimi i mjeteve të sigurisë (zinxhir për biçikletën, bllokues për çantën etj.).
Edhe pse duken si veprime të thjeshta të përditshme, këto sjellje ndihmojnë në parandalimin e vjedhjeve, të humbjeve dhe të keqpërdorimeve.
Shpesh, dëmtimet e vogla të pronës publike ndodhin sepse askush nuk reagon kur i vëren ato. Kjo është një nga arsyet kryesore pse përhapet vandalizmi, sepse krijon idenë se dëmtimi është i pranueshëm ose nuk ndëshkohet. Në këtë situatë një rol shumë të rëndësishëm ka dëshmitari aktiv.

Parandalimi, mënyra më e efektshme për të mbrojtur pronën private.
Kush është “dëshmitari aktiv”?
Dëshmitari aktiv është ai person që, kur sheh një veprim të gabuar si dëmtimi i pronës, vandalizmi ose vjedhja, nuk e shpërfill situatën, por përpiqet të ndihmojë në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme. Ai nuk përballet me dhunë me personat që shkelin rregullat dhe nuk rrezikon veten, por kërkon ndihmën e një të rrituri të besuar, informon mësuesin ose drejtuesit e shkollës, raporton rastin tek autoritetet përkatëse dhe mbështet zgjidhje paqësore kur kjo është e mundur. Në këtë mënyrë, dëshmitari aktiv ndihmon në mbrojtjen e sigurisë dhe të së mirës së përbashkët.

Dëshmitari aktiv rrit sigurinë në komunitet.

Denoncimi dhe bashkëpunimi për një lagje më të sigurt.
Angazhimi komunitar dhe nismat kolektive
Mbrojtja e pronës nuk bëhet vetëm me rregulla dhe me ligje, por edhe përmes marrëdhënieve sociale, aktivizimit dhe pjesëmarrjes qytetare. Shkollat dhe komunitetet shpesh organizojnë aktivitete që i ndihmojnë të rinjtë të mbajnë përgjegjësi për mjedisin e tyre. Shembuj të nismave komunitare janë:
• fushata pastrimi në shkollë ose në lagje;
• dekorimi i mureve të shkollës me piktura murale (murale artistike);
• zëvendësimi i grafiteve të dëmshme me piktura pozitive;
• krijimi i posterave edukues kundër vandalizmit;
• ngritja e një grupi monitorimi midis nxënësve.

Nisma që forcon kujdesin për pronën publike.
Denoncimi i akteve të dëmshme
Denoncimi nuk është spiunim, por një formë përgjegjësie qytetare që mbron komunitetin. Kur një dëm raportohet menjëherë, ai ndalohet e riparohet më shpejt dhe shmang pasoja më të mëdha. Kanalet e duhura të raportimit:
• mësuesi kujdestar;
• drejtoria e shkollës;
• bashkia (përmes portaleve ose kanaleve zyrtare të ankesave, kur ekzistojnë);
• policia (129).
Raportimi i sinqertë dhe i saktë rrit sigurinë dhe cilësinë e jetës në komunitet.
SITUATË RASTI
“Si të veprosh si dëshmitar aktiv?”
Në pushimin e gjatë, tre nxënës po gërvishtin me çelësa bankat e klasës. E vëreni, por asnjë nxënës tjetër nuk po ndërhyn. Disa shokë ju thonë të mos flisni, se s’ka gjë.
Pyetje
– Çfarë do të bënit në këtë situatë?
– Diskutoni dhe listoni tri nisma që klasa ose shkolla juaj mund të ndërmarrë për të mbrojtur pronën publike. Mund të jenë aktivitete, fushata, ide krijuese apo projekte zbukurimi.
– Si do të vepronit si “dëshmitar aktiv”?
– Çfarë pasojash mund të ketë për klasën dëmtimi i saj?
Gjeni alternativën e saktë
Plotësoni vendet boshe
(komunitetin, denoncim, përgjegjësi, pronës publike, dëshmitari aktiv)
• Mbrojtja e pronës është një __________________ e çdo qytetari.
• __________________ është personi që reagon kur sheh një shkelje.
• Raportimi i akteve të dëmshme quhet __________________.
• Shkollat dhe parqet janë pjesë e __________________.
• Kujdesi për pronën e përbashkët forcon __________________.
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
- Pse mendoni se disa njerëz e trajtojnë pronën publike sikur “nuk është e askujt”, megjithëse, në të vërtetë, është e të gjithëve?
- Çfarë do të bënit, nëse do të shihnit një shok që dëmton pronën e shkollës (p.sh., thyen stolat, dëmton bankat)?
- Si do të ndryshonte shkolla juaj, nëse të gjithë nxënësit do të mbanin përgjegjësi qytetare, do të raportonin dëmtimet dhe do të kujdeseshin për mjedisin?


