Nxënësi/ja:
- shpjegon rregullat kryesore për kalimin e sigurt të rrugës;
- vlerëson rreziqet që mund të hasë këmbësori në rrugë;
- zbaton sjellje të sigurta në mjedise me trafik;
- argumenton rëndësinë e respektimit të rregullave për sigurinë personale dhe të të tjerëve.
Fjalë kyçe:
vendkalim për këmbësorë,
semafor,
distancë sigurie.
A E DINI SE?
- Të ecësh me kufje me volum të lartë ose me telefon në dorë është pothuajse njësoj si të drejtosh makinën i shpërqendruar.
A jeni dakord me pohimin e mësipërm? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.
Sipas Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, këmbësor konsiderohet çdo person që ndodhet në rrugë dhe nuk është duke drejtuar një mjet.
Lëvizja e këmbësorit në trotuar dhe në bankinë
Në qendrat e banuara, këmbësori duhet të ecë gjithmonë në trotuar, sepse është hapësira e parashikuar për të. Ecja në karrexhatë, kur ka trotuar, rrit rrezikun, sidomos pranë shkollave dhe stacioneve të autobusit ku lëvizja është e dendur.
Kur nuk ka trotuar, këmbësori duhet të ecë në bankinë. Rregulla më e rëndësishme në këtë rast është: këmbësori duhet të ecë kundër drejtimit të trafikut, në mënyrë që t’i shohë mjetet që vijnë dhe të ketë mundësi të largohet në kohë nëse rrezikohet.

Këmbësor në trotuar.
Si kalohet rruga në mënyrë të sigurt si këmbësor?
Kalimi i rrugës duhet të bëhet sa herë që është e mundur në vende të sigurta, sepse ato janë projektuar për të ulur rrezikun. Vendkalimi më i zakonshëm janë vijat e bardha, ku këmbësori ka përparësi, por kjo nuk do të thotë se ai mund të kalojë pa pasur kujdes. Këmbësori duhet të ndalet, të shohë majtas e djathtas, të shohë nëse mjetet po ndalojnë dhe vetëm pastaj të kalojë. Në rrugë me qarkullim të shpejtë ose të dendur, përdoren edhe nënkalimet dhe mbikalimet, të cilat e ndajnë këmbësorin nga trafiku dhe janë ndër zgjidhjet më të sigurta.
Ndryshe nga këto, kalimi në vende të rastësishme, mes makinave të parkuara, pranë kthesave ose aty ku nuk ka pamje të qartë, konsiderohet si kalim i pasigurt, sepse këmbësori nuk duket mirë dhe nuk ka kohë të mjaftueshme për të reaguar.

Ecje në bankinë kundër drejtimit të trafikut.

Vijat e bardha.
Sjellja e duhur e këmbësorit në kryqëzime:
• pa sinjale – këmbësori ndalet, vëzhgon me kujdes të dyja drejtimet e trafikut dhe kalon vetëm kur është i sigurt se mjetet i japin hapësirën e nevojshme.
• me vendkalim këmbësorësh – këmbësori kalon në vijat e bardha pasi sigurohet që drejtuesit e mjeteve e kanë parë dhe po ndalojnë; kalimi bëhet me kujdes, pa vrapuar.
• me polic trafiku – këmbësori ndjek urdhrat e policit, sepse ato kanë përparësi ndaj çdo shenje apo ndaj semaforit.
• me semafor – këmbësori kalon vetëm kur ndizet drita e gjelbër që lejon kalimin dhe nuk kalon me të kuqe, edhe nëse rruga duket e lirë.
Lëvizja në grup, natën dhe në mot të keq
Kur këmbësorët lëvizin në grup, duhet të shmangin shpërndarjen në disa rreshta, sepse e zënë rrugën dhe bëhen më të vështirë për t’u parashikuar nga drejtuesit e mjeteve. Zgjidhja më e sigurt është ecja në një rresht, sidomos jashtë qytetit ose kur rruga është e ngushtë. Natën, në shi, dëborë apo mjegull, rreziku rritet, sepse dukshmëria ulet dhe distanca e frenimit të mjeteve mund të zgjatet. Në këto kushte, këmbësori duhet të jetë sa më i dukshëm: të përdorë elemente reflektuese ose veshje me ngjyra të çelëta dhe të ecë me kujdes të shtuar, duke shmangur kalimet e panevojshme.

Semafori për këmbësorët.

Lëvizja në grup natën.
Parimi i ndërveprimit me mjetet: “të të shohin dhe të shohësh”
Një rregull e thjeshtë, por jetike për këmbësorin është të mos supozojë që drejtuesi e ka parë. Para se të kaloni, kërkoni kontakt me sy me drejtuesin e mjetit, sepse kjo rrit gjasat që ai të frenojë dhe t’ju japë përparësi. Këmbësori duhet të vlerësojë gjithmonë shpejtësinë dhe distancën e mjetit. Edhe nëse mjeti duket larg, nëse lëviz shpejt, koha për kalim mund të mos jetë e mjaftueshme.

Ndalo, shiko, kalo!
SITUATË RASTI
Një rrugë ndodhet pranë një shkolle. Në këtë segment është i shënuar një vendkalim këmbësorësh dhe është vendosur tabela paralajmëruese “Kalim këmbësorësh”. Pranë vijave të bardha janë parkuar disa automjete, të cilat kufizojnë dukshmërinë si për drejtuesit e mjeteve, ashtu edhe për këmbësorët. Disa nxënës po presin në trotuar për të kaluar rrugën, ndërsa një automjet po afrohet me shpejtësi mesatare.
Pyetje për diskutim
– Cilat janë dy elementet që e bëjnë këtë vend relativisht të sigurt për kalim?
– Cili është rreziku kryesor në këtë pamje dhe pse?
– Çfarë duhet të bëjnë nxënësit para se të hyjnë në vija të bardha?
– Çfarë duhet të bëjë drejtuesi i mjetit sapo afrohet në vijat e bardha?
– Jepni një masë përmirësuese që do ta bënte këtë vend edhe më të sigurt (p.sh. ndalim parkimi pranë vijave të bardha, sinjal shtesë, ndriçim, pengesa shpejtësie).

Kur pamja është e kufizuar, sigurohu, pastaj kalo.
E vërtetë apo e gabuar?
□ Këmbësori duhet të kalojë rrugën sa herë që është e mundur në vija të bardha ose nënkalim/mbikalim.
□ Kur nuk ka trotuar, këmbësori ecën në bankinë kundër drejtimit të trafikut.
□ Natën dhe në mot të keq, këmbësori duhet të mendojë për dukshmërinë dhe të përdorë elemente reflektuese.
□ Kur semafori për këmbësorët është i kuq, lejohet kalimi nëse nuk ka makina.
Gjeni alternativën e saktë
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
- “Në vija të bardha jam i sigurt.” A jeni dakord? Shpjegoni pse vijat e bardha ndihmojnë, ndonëse këmbësori duhet të ndalet, të vëzhgojë dhe të sigurohet që mjeti po ndalon.
- Pse këmbësori duhet të ecë në bankinë kundër drejtimit të trafikut kur nuk ka trotuar? Si e rrit kjo kontrollin dhe sigurinë e tij?
- Pse është i rrezikshëm kalimi me të kuqe në semafor edhe kur rruga duket bosh? Argumentoni mendimin tuaj.


