Nxënësi/ja:
- shpjegon çfarë është ligji dhe pse është i domosdoshëm në shoqëri;
- analizon funksionet e ligjit;
- diskuton zbatimin e ligjit në kohë dhe në hapësirë.
Fjalë kyçe:
ligji, rend
shoqëror, drejtësi,
siguri.
A E DINI SE?
• Ligjet nuk shërbejnë vetëm për të ndëshkuar, por edhe për të mbrojtur dhe për të garantuar bashkëjetesën në shoqëri.
• Parimi i barazisë para ligjit nënkupton që askush nuk ka më shumë të drejta apo më pak përgjegjësi se të tjerët.
• Ligjet nuk janë të pandryshueshme: ato përshtaten me ndryshimet shoqërore, ekonomike dhe kulturore.
A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.
Ligji dhe qëllimi i tij
Bashkëjetesa paqësore e anëtarëve të një shoqërie ka qenë gjithmonë objekt diskutimi dhe analize. Që në kohën e antikitetit, filozofët kanë njohur forma të ndryshme rregullash që drejtonin jetën shoqërore. Këto përfshinin ligje hyjnore të miratuara nga perandorët, dekrete të mbretërve, parime të shkruara në tekstet e shenjta, si dhe ligje të vendosura nga regjime të ndryshme në periudha të ndryshme historike.
Në një shoqëri demokratike ligji është shumë më tepër sesa një listë me rregulla të shkruara në një dokument. Ai përbën themelet mbi të cilat ngrihet çdo shoqëri moderne dhe është mjeti kryesor që siguron funksionimin normal të jetës së përditshme.
Falë ligjit, ne dimë çfarë është e drejtë të bëjmë dhe çfarë jo; dimë cilat janë të drejtat tona dhe si t’i mbrojmë ato; dimë si të bashkëjetojmë me njëri-tjetrin në mënyrë të rregullt, të sigurt dhe paqësore. Pa ligj, do të mbizotëronte kaosi, jeta shoqërore do të ishte e pasigurt, e paparashikueshme dhe shpesh e rrezikshme.
Ligji synon drejtësinë dhe trajtimin e barabartë.
Ligji përkufizohet si një tërësi rregullash të detyrueshme, të vendosura nga shteti, i cili rregullon sjelljen e individëve dhe marrëdhëniet mes tyre. Ai synon të garantojë drejtësinë dhe trajtimin e barabartë për të gjithë qytetarët pa dallim.
Nëpërmjet ligjit shoqëria përpiqet të parandalojë padrejtësitë, të zgjidhë konfliktet në mënyrë të drejtë dhe të garantojë që askush të mos ketë privilegje mbi të tjerët. Kështu, ligji kontribuon për rregullimin e sjelljeve të individëve, dhe rrjedhimisht për krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë.
Ligji rregullon marrëdhëniet mes individëve, si dhe marrëdhëniet e qytetarëve me institucionet shtetërore. Ai përcakton edhe si funksionojnë vetë institucionet shtetërore. Përmes ligjit shoqëria përcakton se cilat sjellje janë të pranueshme dhe duhen nxitur, se cilat sjellje janë të dëmshme dhe duhen kufizuar, por edhe mënyrat e drejta se si zgjidhen konfliktet.
Duke qenë se ligji rregullon jetën dhe marrëdhëniet në shoqëri, ai nuk është i pandryshueshëm, por përshtatet dhe ndryshon bashkë me zhvillimet shoqërore, ekonomike dhe kulturore, në mënyrë që t’u përgjigjet nevojave të shoqërisë.
Rregullat nuk kufizojnë lirinë, por shërbejnë për vendosjen e rendit, të sigurisë dhe të bashkëjetesës së drejtë.
Kur një normë bëhet ligj?
Para se ligjet të merrnin formë të shkruar, shoqëritë funksiononin mbi bazën e normave dhe të rregullave të pashkruara. Këto norma shpreheshin përmes zakoneve dhe traditave, të cilat konsideroheshin si vlera të rëndësishme të komunitetit. Me kalimin e kohës, këto rregulla u njohën si “e drejta zakonore” dhe shërbyen si bazë për krijimin e ligjeve të shkruara.
Që një normë, rregull apo vlerë shoqërore të shndërrohet në ligj, ajo duhet të plotësojë disa kushte:
• të pranohet gjerësisht nga anëtarët e shoqërisë dhe të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme;
• të miratohet nga organet kompetente të shtetit;
• të përmbajë rregulla të qarta dhe sanksione për shkeljen e tyre, të zbatueshme nga institucionet përkatëse.
SHEMBULL

Me zhvillimin e rrjeteve sociale, u rrit rreziku i keqpërdorimit të fotografive dhe të dhënave personale. Për këtë arsye, Shqipëria miratoi ligjin nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i cili mbron informacionin personal të qytetarëve në mjedisin online.
Ligji në kohë dhe në hapësirë
Ligji në kohë dhe në hapësirë i referohet mënyrës kur dhe ku zbatohet një ligj dhe ka fuqi juridike.
Funksionimi i ligjit në kohë përcakton periudhën kohore gjatë së cilës ligji është i vlefshëm. Për shembull, ligji hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Gjithashtu, ai nuk ka fuqi prapavepruese, që do të thotë se nuk zbatohet për ngjarje të ndodhura para hyrjes së tij në fuqi.
Funksionimi i ligjit në hapësirë përcakton territorin ku zbatohet një ligj. Për shembull, një ligj, përgjithësisht, zbatohet brenda territorit të shtetit që e ka miratuar. Ai vlen për të gjithë personat që ndodhen në atë territor, pa dallim shtetësie.
Funksionet e ligjit
Ligji hartohet për të na siguruar rregulla në shoqëri, në bazë të të cilave drejtohen veprimet dhe marrëdhëniet midis individëve, institucioneve dhe qeverisë. Shoqëria nuk mund të funksionojë pa rregulla. Ashtu siç nuk mund të zhvillohet mësimi në një klasë pa rregulla, nuk mund të ketë bashkëjetesë në një familje pa rregulla, as një shoqëri nuk mund të jetojë në harmoni pa to.
Ligji ka disa funksione kryesore.
• Funksioni social: siguron bashkëjetesë paqësore, respekt të ndërsjellë dhe marrëdhënie të qarta në shoqëri.
• Funksioni politik: përcakton mënyrën se si organizohet shteti, ndarjen e pushteteve dhe kufizimin e autoritetit për të parandaluar abuzimet.
• Funksioni ekonomik: rregullon tregjet, kontratat, punësimin dhe i mbron konsumatorët nga mashtrimet.
• Funksioni juridik: përcakton normat dhe procedurat që sigurojnë zbatimin e drejtësisë.
• Funksioni mbrojtës: i mbron qytetarët nga rreziqet, dhuna, diskriminimi dhe padrejtësia.
Të gjitha këto tregojnë se ligji është i domosdoshëm jo vetëm në teori, por edhe në praktikë, duke ndikuar në çdo aspekt të jetës sonë të përditshme.
SITUATË RASTI

Kjo pamje tregon se mungesa e ligjit dhe e policisë çon në pasiguri, konflikt dhe kaos shoqëror.
“Mungesa e ligjit”
Supozoni se ekziston një vend në botë ku nuk ka rregulla dhe ligje. Ju shkoni aty dhe mësoni se nuk ka ligje kundër vjedhjes, nuk ka ligj për një shpejtësi të caktuar në rrugë, nuk ka ligj për sigurinë e njerëzve, nuk ka as polici dhe as gjykatë.
Ndahuni në grupe dhe diskutoni për disa nga skenarët e mundshëm që mund t’ju ndodhin gjatë qëndrimit në këtë vend.
– Çfarë mund t’ju rrezikohet, nëse nuk ka ligje?
– Çfarë mund t’ju rrezikohet, nëse nuk ka polici dhe gjykatë?
Diskutoni duke u mbështetur në funksionet e ligjit në shoqëri.
Fjalorth
Fletorja Zyrtare – botimi zyrtar ku shpallen ligjet dhe aktet e shtetit dhe vetëm pas këtij botimi ato bëhen të detyrueshme për zbatim.
Gjeni alternativën e saktë
Ligji është:
a) vetëm një dokument formal;
b) një listë me rregulla pa rëndësi;
c) themeli mbi të cilin funksionon shoqëria;
ç) një rregull e përkohshme.
Qëllimi kryesor i ligjit është:
a) të ndëshkojë qytetarët;
b) të garantojë rendin, drejtësinë dhe sigurinë;
c) të kufizojë lirinë;
ç) të krijojë konflikte.
E vërtetë apo e gabuar?
□ Ligji i ndihmon qytetarët të kuptojnë të drejtat dhe detyrimet e tyre.
□ Ligjet nuk ndryshojnë edhe kur shoqëria zhvillohet.
□ Pa rregulla dhe ligje, shoqëria do të ishte në harmoni dhe e sigurt.
□ Ligji është i domosdoshëm si në teori, ashtu edhe në jetën e përditshme.
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
1. Pse ligjet janë të domosdoshme për funksionimin e shoqërisë dhe çfarë pasojash do të kishte për marrëdhëniet mes njerëzve dhe institucioneve, nëse ato nuk do të zbatoheshin?
2. Kujtoni një rast nga jeta e përditshme kur dikush nuk ka respektuar ligjin ose një rregull të thjeshtë (p.sh.: hedhja e mbeturinave në rrugë, shmangia e radhës, kalimi me semafor të kuq). Si ndikon një sjellje e tillë te komuniteti dhe pse është e rëndësishme që qytetarët të reagojnë ndaj këtyre shkeljeve?




