3.7. Të drejtat e njeriut në legjislacionin shqiptar

Nxënësi/ja:
  • shpjegon rolin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë si burimi kryesor i njohjes dhe i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri;
  • analizon rolin e gjykatave për mbrojtjen e efektshme të të drejtave;
  • vlerëson rëndësinë e ratifikimit të dokumenteve ndërkombëtare.
Fjalë kyçe:

gjykata,
avokati i popullit,
mbrojtja ligjore.

A E DINI SE?

  • Në Shqipëri, të drejtat e njeriut njihen dhe mbrohen nga kushtetuta, ligjet e zakonshme, gjykatat, avokati i popullit dhe angazhimet ndërkombëtare, duke garantuar mjete ligjore për çdo qytetar.

    Si mendoni se ndikon bashkëpunimi mes kushtetutës, ligjeve, gjykatave, avokatit të popullit dhe angazhimeve ndërkombëtare në mbrojtjen reale të të drejtave të njeriut në Shqipëri? A mendoni se qytetarët i njohin dhe i përdorin mjaftueshëm këto mjete ligjore? Pse?

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është burimi kryesor i njohjes dhe i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri. Ajo garanton të drejtat dhe liritë themelore për çdo individ, pa dallim, dhe përcakton se këto të drejta janë të patjetërsueshme dhe të mbrojtura nga shteti. Çdo ligj apo akt tjetër duhet të jetë në përputhje me kushtetutën.

Ligjet

Në Shqipëri ekzistojnë ligje të ndryshme që rregullojnë dhe mbrojnë të drejta të ndryshme të individit. Këto ligje krijojnë bazën ligjore për garantimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut në jetën e përditshme.
Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale parashikojnë mbrojtjen e lirisë personale dhe sigurojnë që askush të mos arrestohet apo ndalohet në mënyrë të paligjshme. Këto kode garantojnë gjithashtu të drejtën për një proces të rregullt ligjor dhe për një gjykim të drejtë.
Kodi i Punës rregullon marrëdhëniet e punës dhe mbron të drejtat e punëmarrësve. Ai garanton të drejtën për punë, kushte të sigurta dhe të shëndetshme në vendin e punës, si dhe të drejtën për një pagë të drejtë dhe trajtim të barabartë.
Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi synon të sigurojë barazinë dhe trajtimin e barabartë për të gjithë individët, duke ndaluar çdo formë diskriminimi për shkak të gjinisë, racës, fesë, bindjeve politike, aftësisë së kufizuar apo faktorëve të tjerë.
Po ashtu, ligjet për arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale garantojnë të drejta të rëndësishme sociale, si e drejta për arsim, për kujdes shëndetësor dhe për mbështetje sociale për individët dhe familjet në nevojë.
Kësisoj, legjislacioni shqiptar krijon një sistem të gjerë mbrojtjeje për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Mbrojtja gjyqësore

Gjykatat sigurojnë mbrojtje efektive të të drejtave:
• Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë kontrollon kushtetutshmërinë e ligjeve dhe garanton respektimin e kushtetutës.
• Gjykatat e zakonshme zbatojnë ligjet dhe mbrojnë të drejtat e qytetarëve në raste konkrete.
Gjykatat janë organet kryesore që shqyrtojnë dhe vendosin për rastet e shkeljes së të drejtave të njeriut. Një individ që mendon se i janë cenuar të drejtat mund t’u drejtohet fillimisht gjykatave kombëtare, duke ndjekur të gjitha shkallët e gjykimit në Shqipëri.

Funksionet e ligjit

Ligji hartohet për të na siguruar rregulla në shoqëri, në bazë të të cilave drejtohen veprimet dhe marrëdhëniet midis individëve, institucioneve dhe qeverisë. Shoqëria nuk mund të funksionojë pa rregulla. Ashtu siç nuk mund të zhvillohet mësimi në një klasë pa rregulla, nuk mund të ketë bashkëjetesë në një familje pa rregulla, as një shoqëri nuk mund të jetojë në harmoni pa to.
Ligji ka disa funksione kryesore.
• Funksioni social: siguron bashkëjetesë paqësore, respekt të ndërsjellë dhe marrëdhënie të qarta në shoqëri.
• Funksioni politik: përcakton mënyrën se si organizohet shteti, ndarjen e pushteteve dhe kufizimin e autoritetit për të parandaluar abuzimet.
• Funksioni ekonomik: rregullon tregjet, kontratat, punësimin dhe i mbron konsumatorët nga mashtrimet.
• Funksioni juridik: përcakton normat dhe procedurat që sigurojnë zbatimin e drejtësisë.
• Funksioni mbrojtës: i mbron qytetarët nga rreziqet, dhuna, diskriminimi dhe padrejtësia.

Të gjitha këto tregojnë se ligji është i domosdoshëm jo vetëm në teori, por edhe në praktikë, duke ndikuar në çdo aspekt të jetës sonë të përditshme.

Nëse pas përfundimit të këtyre procedurave individi mbetet i pakënaqur nga vendimi, ai ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Vendimet e kësaj gjykate janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga shteti shqiptar.

Avokati i popullit

Avokati i popullit i mbron qytetarët nga shkeljet e të drejtave nga administrata publike, duke shqyrtuar ankesat dhe duke dhënë rekomandime për përmirësim.

E drejta ndërkombëtare

Shqipëria ka ratifikuar dokumente ndërkombëtare, si Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, të cilat janë pjesë e rendit juridik shqiptar dhe kanë përparësi ndaj ligjeve të zakonshme, duke forcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Të drejtat e njeriut në Shqipëri mbrohen nga kushtetuta, ligjet, gjykatat, avokati i popullit dhe e drejta ndërkombëtare. Ky sistem u jep qytetarëve mundësinë të kërkojnë drejtësi dhe të mbrojnë të drejtat e tyre kur ato cenohen, duke siguruar funksionimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e dinjitetit njerëzor.

SHEMBULL

Arjani është një qytetar që aplikon për një shërbim në një institucion publik. Pa asnjë arsye të qartë ligjore kërkesa e tij refuzohet dhe ai trajtohet në mënyrë të pabarabartë krahasuar me qytetarë të tjerë. Arjani mendon se i është shkelur e drejta për barazi dhe trajtim të drejtë.
Fillimisht, ai i drejtohet gjykatës, duke u mbështetur në kushtetutë dhe ligjet e zakonshme. Paralelisht, Arjani paraqet një ankesë edhe pranë avokatit të popullit, i cili shqyrton rastin dhe i kërkon institucionit të korrigjojë veprimin e padrejtë. Falë ndërhyrjes së institucioneve ligjore, e drejta e Arjanit njihet dhe respektohet.

Gjeni alternativën e saktë

Cili është dokumenti kryesor që garanton të drejtat e njeriut në Shqipëri?
a) Kodi Penal
b) Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut
c) Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
ç) Ligji për arsimin
Cili institucion kontrollon nëse ligjet janë në përputhje me kushtetutën?
a) Kuvendi i Shqipërisë
b) Avokati i popullit
c) Gjykata Kushtetuese
ç) Qeveria

E vërtetë apo e gabuar?

□ Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
□ Ligjet e zakonshme mund të bien në kundërshtim me kushtetutën.
□ Avokati i popullit i mbron qytetarët nga shkeljet e të drejtave nga administrata publike.
□ Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut nuk ka fuqi juridike në Shqipëri.
□ Gjykatat sigurojnë mbrojtje ligjore kur cenohen të drejtat e njeriut.
□ Të drejtat e njeriut në Shqipëri mbrohen vetëm nga ligjet kombëtare, jo nga ato ndërkombëtare.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Pse Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë konsiderohet si dokumenti kryesor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut?
  2. Cili është roli i gjykatave dhe i avokatit të popullit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri?