Nxënësi/ja:
- përmend situatat ku të drejtat mund të hyjnë në konflikt me njëra-tjetrën;
- shpjegon parimet dhe rastet kur të drejtat e njeriut mund të kufizohen ligjërisht;
- kritikon shkeljet e të drejtave të njeriut në jetën e përditshme.
Fjalë kyçe:
kufizim ligjor,
konflikt,
arbitraritet,
parimi i përpjesëtimit.
A E DINI SE?
- Kufizimi i të drejtave do të thotë që një e drejtë nuk ushtrohet pa kufi, por brenda rregullave të përcaktuara nga ligji.
- Konfliktimi i të drejtave ndodh kur ushtrimi i një të drejte cenon një tjetër dhe kërkon ndërhyrje ligjore për t’i balancuar ato në mënyrë të drejtë.
A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.
Kushtetuta dhe kufizimi i të drejtave të njeriut
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përcakton parimet themelore për njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ajo garanton ushtrimin e këtyre të drejtave, por njëkohësisht parashikon edhe mundësinë e kufizimit të tyre në raste të veçanta, kur këtë e kërkon interesi publik ose mbrojtja e të drejtave dhe e lirive të të tjerëve.
Kufizimi i të drejtave të njeriut vendoset me ligj, të miratuar nga Kuvendi, dhe nuk mund të bëhet në mënyrë arbitrare. Për më tepër, këto kufizime nuk mund t’i tejkalojnë standardet e përcaktuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), e cila është pjesë e sistemit juridik shqiptar.
Kushtet për kufizimin e të drejtave dhe të lirive themelore
Kufizimi i të drejtave dhe i lirive themelore nuk mund të bëhet arbitrarisht. Që një kufizim të konsiderohet i ligjshëm, ai duhet të përmbushë njëkohësisht të gjitha kushtet e mëposhtme:
• të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar, pra masa e kufizimit duhet të jetë e arsyeshme dhe jo e tepruar;
• të zgjatë vetëm për sa kohë që është i domosdoshëm dhe jo më shumë se nevoja reale;
• të mos cenojë thelbin e së drejtës, duke ruajtur përmbajtjen e saj thelbësore;
• të mos i tejkalojë standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ).
Interesi publik justifikon kufizimin e të drejtave të njeriut vetëm kur kjo është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë, të rendit, demokracisë dhe të drejtave të të tjerëve dhe gjithmonë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin.
SHEMBULL
Një shembull i njohur i kufizimit të të drejtave të njeriut për interes publik është pandemia COVID-19 (2020–2022). Gjatë kësaj periudhe, shumë shtete në botë kufizuan përkohësisht disa të drejta dhe liri, si:
• liria e lëvizjes (karantina, ndalimqarkullimi);
• liria e grumbullimit (ndalimi i aktiviteteve publike);
• e drejta për të ushtruar disa aktivitete ekonomike.
Këto kufizime u vendosën për të mbrojtur shëndetin publik dhe jetën e njerëzve, pra për një interes të rëndësishëm publik. Ato ishin të përkohshme, të përcaktuara me ligj dhe duhej të respektonin parimin e përpjesëtimit.
Konfliktimi i të drejtave
Konfliktimi i të drejtave është një situatë kur dy ose më shumë të drejta themelore përplasen mes tyre, pra ushtrimi i një të drejte nga një person ose grup kufizon, cenon ose bie ndesh me ushtrimin e një të drejte tjetër nga një person apo grup tjetër.
Konfliktimi i të drejtave ndodh kur nuk është e mundur që të gjitha të drejtat të ushtrohen njëkohësisht pa kufizuar njëra-tjetrën.
Konfliktimi i të drejtave zgjidhet duke respektuar disa parime themelore. Së pari, zbatohet parimi i proporcionalitetit, që do të thotë se çdo kufizim i një të drejte duhet të jetë i nevojshëm dhe i arsyeshëm. Së dyti, bëhet balancimi i të drejtave në konflikt, duke marrë parasysh interesat e të gjitha palëve. Së treti, zgjidhja mbështetet gjithmonë në kushtetutë dhe në ligj. Në çdo rast duhet të garantohet që të mos cenohet thelbi i asnjë të drejte, edhe kur vendosen kufizime.

Balanca e të drejtave: kufizimet ligjore kërkojnë ekuilibër mes interesit publik dhe lirive individuale.
SHEMBULL
Ky konflikt nuk zgjidhet duke hequr njërën të drejtë, por përmes një procesi balancimi të drejtë, i cili bazohet në parime kushtetuese dhe ligjore.
SITUATË RASTI
Eri po udhëton nga Tirana drejt një vendi tjetër. Gjatë kontrollit të sigurisë në aeroport, punonjësit e sigurisë i kërkojnë të hapë çantën e dorës për kontroll. Eri nuk ndihet mirë, sepse mendon se po i cenohet jeta private dhe e refuzon fillimisht kontrollin.
Punonjësit e sigurisë i shpjegojnë se kontrolli i çantave kryhet për të garantuar sigurinë publike dhe sigurinë e fluturimit, për të parandaluar rrezikimin e jetës së pasagjerëve dhe të stafit. Nëse Eri nuk e pranon kontrollin, ai nuk mund të vazhdojë udhëtimin.
Krijoni dy grupe debati:
Grupi PRO
Mbron idenë se kontrolli i çantave është i nevojshëm dhe i ligjshëm.
Grupi KUNDËR
Argumenton se kontrolli i çantave cenon të drejtat personale dhe duhet kufizuar.
E vërtetë apo e gabuar?
□ Të drejtat e njeriut janë absolute dhe nuk mund të kufizohen kurrë.
□ Shteti mund të kufizojë disa të drejta vetëm për interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.
□ Kufizimet ligjore mund të cenojnë thelbin e së drejtës, nëse e kërkon interesi publik.
□ Asnjë kufizim nuk mund të jetë më i ashpër se kufizimet e lejuara nga KEDNJ-ja.
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
- Si mund ta kuptojmë kur një e drejtë kufizohet me ligj ose kur ajo shkelet?
- Si duhet të veprojë shteti kur dy të drejta bien në konflikt, në mënyrë që të respektohen të dyja sa më shumë që të jetë e mundur?


