Nxënësi/ja:
- tregon rolin e kushtetutës si ligji më i lartë juridik;
- argumenton se Kushtetuta e Shqipërisë shërben si burim legjislacioni dhe të gjitha ligjet e tjera duhet të jenë në përputhje me të;
- vlerëson rolin e funksioneve të kushtetutës për funksionimin e një vendi.
Fjalë kyçe:
kushtetutë,
funksionet e kushtetutës,
miratimi i kushtetutës.
A E DINI SE?
- Kushtetuta është një marrëveshje që përcakton si duam të jetojmë së bashku si shoqëri.
- Të drejtat që kemi sot nuk janë të garantuara, nëse nuk i njohim dhe nuk i mbrojmë në praktikë.
A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.
Kushtetuta ka rëndësi të madhe për funksionimin e një vendi, sepse ajo është akti më i lartë juridik që garanton rendin ligjor dhe sigurinë juridike, duke vendosur bazën mbi të cilën ndërtohen të gjitha ligjet dhe aktet e tjera. Ajo përcakton organizimin politik të shtetit dhe ndarjen e pushteteve, kufizon dhe kontrollon ushtrimin e pushtetit për të parandaluar abuzimet, si dhe garanton mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut. Në të njëjtën kohë, kushtetuta siguron stabilitet institucional dhe vazhdimësi të rendit demokratik, duke i edukuar qytetarët me vlerat e demokracisë, të barazisë dhe respektimit të ligjit.
Kushtetuta është ligji më i lartë i një vendi. Origjina e emërtimit vjen nga Ciceroni, “constitutio”, që u huazua më pas nga autorët e kushtetutës së shekullit të 17-të në Francë dhe në Angli. Ky term u përdor për të gjitha rregullat e shkruara që përcaktonin formën e sundimit politik, parimet themelore të funksionimit të shtetit dhe të vlerave të një sistemi të caktuar. Kushtetuta është një kontratë shoqërore, një marrëveshje midis të gjithë qytetarëve dhe qeverisjes së tyre. Kjo kontratë përcakton se çfarë të drejtash kanë drejtuesit dhe çfarë të drejtash kanë qytetarët. Pasi është përfunduar, kjo kontratë duhet të shërbejë si garanci thelbësore e të gjitha të drejtave të qytetarëve dhe e formës së shtetit.
FUNKSIONET E KUSHTETUTËS PËR NJË VEND
Kushtetuta është themeli mbi të cilin ndërtohet shteti, ligji dhe demokracia.
Kur është miratuar Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë?
Kushtetuta e Shqipërisë u miratua në vitin 1998 nëpërmjet një referendumi mbarëpopullor. Ajo e përcakton Shqipërinë si republikë parlamentare, shtet unitar dhe të pandashëm, me një qeverisje të bazuar në zgjedhje të lira, të barabarta, të përgjithshme dhe periodike, të cilat sigurojnë shprehjen e vullnetit të qytetarëve.
Kushtetuta është ligji më i rëndësishëm në Republikën e Shqipërisë
y përcaktim do të thotë se kushtetuta qëndron në krye të të gjitha ligjeve dhe akteve të tjera që dalin në vend. Ligjet dhe aktet e tjera nënligjore duhet të jenë në përputhje me kushtetutën. Ato dalin në bazë të saj dhe nuk duhet të jenë në kundërshtim me të.
• Kuvendi ka për detyrë të miratojë ligje, përmbajtja e të cilave duhet të jetë në përputhje me kushtetutën.
• Qeveria, kur përgatit projektligjet ose kur miraton vendimet e udhëzimet e saj, kujdeset që ato të jenë në përputhje me kushtetutën.
• Organet e pushtetit vendor (bashkitë, komunat e qarqet) hartojnë e miratojnë akte në përputhje me kushtetutën.
• Gjykatat dhe gjykatësit, në marrjen e vendimeve mbajnë gjithmonë parasysh kushtetutën. Ata zbatojnë ligjet në fuqi duke i interpretuar në përputhje me Kushtetutën.

Hierarkia e normave ligjore në Shqipëri.
Si ta lexojmë kushtetutën?
Kushtetuta është një ligj me vlerë të përgjithshme. Ajo mund të lexohet jo vetëm nga kreu në fund, por edhe në bazë të pjesëve ose në bazë të neneve të saj.
Kushtetutat, në përgjithësi, përbëhen nga dy pjesë kryesore: preambula (hyrja) dhe pjesa normative. Zakonisht, preambula gjendet në fillim të kushtetutës. Ajo është një pjesë e shkurtër, shpreh ide dhe qëllime që mban parasysh kushtetuta; nuk është e ndarë në nene, por vetëm në paragrafë dhe nuk ka efekt juridik të detyrueshëm. Pjesa normative është pjesa qendrore, është përmbajtja e tekstit të kushtetutës. Ajo ndahet në pjesë, krerë dhe nene që rregullojnë fusha të ndryshme.
Miratimi dhe ndryshimi i kushtetutës
Kushtetuta është ligji më i rëndësishëm i shtetit dhe shpreh vullnetin e popullit sovran. Kjo do të thotë se populli merr pjesë në miratimin e saj si drejtpërdrejt, ashtu edhe përmes përfaqësuesve të tij. Kushtetuta mund të miratohet në tri mënyra kryesore:
• drejtpërdrejt nga populli, përmes referendumit;
• nga organi ligjvënës (Kuvendi), i zgjedhur nga populli;
• nga një organ i posaçëm kushtetutëbërës, siç është Asambleja Kushtetuese.
Ndryshimi i Kushtetutës nënkupton rishikimin e saj, i cili mund të jetë:
• i plotë, kur ndryshohet e gjithë kushtetuta;
• i pjesshëm, kur ndryshohen vetëm disa nene të saj.
Procedura për ndryshimin e kushtetutës është më e vështirë se ajo për ligjet e zakonshme. Zakonisht kërkohet një shumicë e cilësuar në Kuvend dhe, në raste të caktuara, edhe miratimi me referendum. Ligjet që bëjnë ndryshime në kushtetutë quhen ligje kushtetuese ose amendamente kushtetuese.
SITUATË RASTI

Supozoni se do t’ju kërkonin të shkruanit një kushtetutë për të rinjtë, çfarë do të shkruanit në preambulë dhe çfarë në pjesën normative?
Ndahuni në 6 grupe pune, ku 3 grupe të shkruajnë preambulën dhe 3 të tjera pjesën normative. Më pas secili nga grupet që ka shkruar preambulën të kombinohet me një nga grupet që ka shkruar pjesën normative. Duke bashkuar kështu të dyja pjesët, ju krijoni kushtetutën tuaj. Pasi t’i keni lexuar të gjitha, votoni kushtetutën më të mirë.
Diskutoni për qëndrimin që duhet të keni ju pas miratimit të kushtetutës, edhe pse mund të mos keni qenë pjesëmarrës në hartimin e saj ose mund të mos e keni votuar.
Fjalorth
Ciceroni – burrë shteti, orator, poet, kritik dhe filozof romak, që shkroi në vitet 70 – 43 (para Krishtit).
Preambula – latinisht do të thotë hyrje ose parathënie.
Pjesa normative – pjesa rregullatore për fusha të veçanta.
Shumicë e cilësuar – për ligje shumë të rëndësishme kërkohet miratimi i tyre nga tre të pestat e anëtarëve të kuvendit.
Gjeni alternativën e saktë
Çfarë nënkupton fakti që kushtetuta është ligji themelor i një shteti?
a) Se ajo zbatohet vetëm në raste të veçanta.
b) Se të gjitha ligjet dhe aktet e tjera duhet të jenë në përputhje me të.
c) Se ajo mund të ndryshohet më lehtë se ligjet e zakonshme.
ç) Se ajo rregullon vetëm të drejtat e qytetarëve.
Cila nga alternativat është e saktë lidhur me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë?
a) U miratua nga Kuvendi pa pjesëmarrjen e popullit.
b) U miratua në vitin 1991 me shumicë të thjeshtë.
c) U miratua në vitin 1998 përmes një referendumi mbarëpopullor.
ç) U miratua nga Gjykata Kushtetuese.
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
- Ç’do të thotë “Kushtetuta është ligji më i lartë i shtetit”?
- Cilat janë elementet që përmban Kushtetuta e RSH-së?
- A njihni raste të miratimit të ligjeve që kanë qenë në kundërshtim me kushtetutën dhe çfarë ka ndodhur me to?




