Nxënësi/ja:
- përkufizon termin “korrupsion” dhe njeh format e tij kryesore;
- krahason korrupsionin e vogël me atë të madh dhe shpjegon ndikimin e tyre në jetën e përditshme;
- vlerëson shkaqet e korrupsionit.
Fjalë kyçe:
korrupsion,
ryshfet,
nepotizëm,
konflikt interesi,
trafiku i ndikimit.
A E DINI SE?
- Favorizimi i një shoku ose të afërmi mund të jetë po aq i dëmshëm sa marrja e parave.
- Korrupsioni nuk lidhet vetëm me politikën, por edhe me sjelljet e përditshme të qytetarëve.
A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.
Çfarë është korrupsioni?
Në legjislacionin shqiptar, korrupsioni lidhet me dhënien, kërkimin, ofrimin ose pranimin e një përfitimi të padrejtë për të kryer ose për të mos kryer një veprim që lidhet me detyrën. Me fjalë të thjeshta, korrupsioni është përdorimi i detyrës ose i pushtetit për përfitim personal.
Ai është një sjellje e paligjshme dhe e dëmshme, sepse pushteti i jepet një personi për të shërbyer për interesin publik, por ai përdoret për interesa personalë, familjarë ose shoqërorë.
Në thelb, korrupsioni është keqpërdorim i besimit. Shoqëria beson se rregullat do të zbatohen me drejtësi, por ky besim shpërdorohet kur pozita përdoret për para, favore personale ose privilegje.
Format e korrupsionit
1. Ryshfeti jepet kur një person premton, ofron, kërkon ose merr një përfitim personal, si p.sh.: para, dhurata, favore apo mbështetje, në këmbim të kryerjes së një veprimi të padrejtë ose të paligjshëm.
2. Përvetësimi ndodh kur një zyrtar merr në mënyrë të kundërligjshme para, materiale, mallra ose burime që i janë besuar për t’i administruar. Zyrtari i përdor për vete gjërat që i përkasin institucionit apo publikut.
3. Mashtrimi ndodh kur përdoret gënjeshtra, fshehja e informacionit ose manipulimi për të marrë përfitime të padrejta. Zyrtari krijon një situatë të rreme për të përfituar vetë ose për të favorizuar njerëz të tjerë.
4. Konflikti i interesit ndodh kur një zyrtar merr vendime ose kryen veprime të ndikuara nga interesat e tij privatë. Interesat personalë ndërhyjnë në ushtrimin e drejtë dhe të paanshëm të detyrës publike.
5. Nepotizmi ndodh kur një zyrtar favorizon familjarët, miqtë ose persona të afërt për të fituar punë, pozita, privilegje apo favore në institucione, pavarësisht nga merita apo aftësia e tyre. Punësimet dhe vendimet bëhen mbi bazën e lidhjeve personale.

Fjala “korrupsion” vjen nga latinishtja corruptus dhe nënkupton prishje morale dhe shkelje të rregullave, duke dëmtuar funksionimin e shoqërisë.
Në çdo akt korrupsioni ka dy palë:
Dhënësi ofron ryshfet ose favore (korrupsion aktiv).
Marrësi pranon ryshfet për të vepruar jashtë rregullave (korrupsion pasiv).
Të dyja palët kryejnë vepër penale.
6. Klientelizmi ndodh kur një zyrtar ose politikan u ofron individëve favore, shërbime apo përfitime të tjera në këmbim të mbështetjes së tyre politike ose personale.
7. Zhvatja ndodh kur merren para, shërbime ose sende të vlefshme përmes detyrimit, presionit ose kërcënimit. Individi ose zyrtari përdor forcën apo intimidimin për të siguruar përfitime të padrejta.
8. Trafiku i ndikimit ndodh kur dikush përdor ose pretendon se ka lidhje me një zyrtar për të ndikuar një vendim në këmbim të parave ose të favoreve.
Korrupsioni në shkallë të vogël kundrejt korrupsionit në shkallë të madhe
Korrupsioni në shkallë të vogël ndodh në situata të përditshme kur qytetarët japin para ose bëjnë favore të vogla për të marrë një shërbim më shpejt. Shpesh ndodh në sportele, shërbime mjekësore, administratë.
Korrupsioni në shkallë të madhe përfshin shuma të mëdha parash dhe vendime që ndikojnë në interesa kombëtarë. Ndodh në tendera publikë, projekte infrastrukture, politika shtetërore.
Të dyja format janë të dëmshme: i pari prek drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, ndërsa i dyti prek zhvillimin dhe mirëqenien e të gjithë vendit.
Shkaqet e korrupsionit
Korrupsioni nuk shfaqet papritur apo rastësisht. Ai krijohet dhe ushqehet nga një sërë faktorësh që ekzistojnë brenda shoqërisë dhe institucioneve. Disa faktorë kryesorë që lidhen me këtë dukuri janë:
Justifikimi moral. Shumë individë e racionalizojnë korrupsionin përmes justifikimeve, si: “të gjithë e bëjnë” ose “sistemi është i korruptuar dhe nuk mund të mbijetoj ndryshe”. Ky proces lejon që sjellja e paligjshme të perceptohet si e pranueshme ose e pashmangshme.
Normat sociale dhe presioni i grupit. Në mjedise ku korrupsioni është i përhapur, individët mund të ndihen të detyruar të marrin pjesë për të ruajtur statusin, për të shmangur ndëshkimin ose për të siguruar përfitime.
Ndikimi i pushtetit dhe i pandëshkueshmërisë. Individët që kanë kontroll mbi burimet dhe mbi vendimmarrjen shpesh i zotëron një ndjenjë superioriteti dhe mosndëshkimi dhe priren të veprojnë jashtë normave etike.
Presioni ekonomik dhe social. Vëshitrësitë ekonomike, pagat e ulta ose presioni për të përmbushur nevojat personale dhe familjare mund të shtyjnë drejt korrupsionit.
Përfitimi personal. Nga perspektiva psikologjike, korrupsioni shpesh lidhet me dëshirën për përfitime të shpejta materiale dhe mungesën e kontrollit të impulseve. Një individ i përfshirë në korrupsion mund të krijojë një cikël varësie ndaj pushtetit dhe përfitimeve materiale dhe e humb ndjeshmërinë ndaj pasojave sociale.
Kur institucionet janë të dobëta, të paorganizuara ose të paqarta në procedura, ato nuk arrijnë t’i parandalojnë abuzimet dhe korrupsioni merr hapësirë të lirë për t’u rritur.
Për këtë arsye, lufta kundër korrupsionit nuk mund të bazohet vetëm te ndëshkimi i individëve, sepse problemi nuk është i izoluar. Korrupsioni kërkon reforma të thella në nivel sistemi, forcim të institucioneve, rritje të transparencës dhe përmirësim të kulturës së përgjegjshmërisë. Vetëm në këtë mënyrë shoqëria mund të ndërtojë një shtet të drejtë dhe të besueshëm.

Lufta kundër korrupsionit është një çështje shumë e rëndësishme që na përket të gjithëve.
Fjalordh
Intimidim – përdorimi i kërcënimit, i frikësimit ose i presionit psikologjik ndaj një personi për ta detyruar të veprojë kundër vullnetit të tij ose për ta penguar të ushtrojë të drejtat e veta.
SITUATË RASTI
Mamaja ime nuk ndihej mirë dhe shkova në spital me të. Analizat duheshin bërë sa më shpejt, por radha ishte e gjatë. Atje kishte njerëz të lodhur, të shqetësuar, të moshuar, prindër me fëmijë. Të gjithë prisnin me durim. Edhe unë po prisja, por më zuri paniku: “Po sikur gjendja e mamit të përkeqësohej?” Pas disa minutash u hap dera dhe hyri një person që ne e njihnim. Na përshëndeti duke buzëqeshur dhe na tha: “Ejani pas meje.” Pashë përreth me kujdes: fytyra të lodhura, gra me fëmijë në krahë, të moshuar që mezi qëndronin në këmbë. Të gjithë ishin në të njëjtën situatë si unë. Asnjë nuk kishte privilegjin të hynte pa pritur radhën.
Pyetje për diskutim
– Çfarë problemi etik shfaqet në këtë situatë?
– A është e drejtë të përdoret “miku” për të hyrë pa radhë? Pse po ose pse jo?
– Kush dëmtohet, nëse nxënësi e pranon ndihmën?
– A ndryshon situata vetëm se bëhet fjalë për shëndetin e mamit? Pse?
– A është ky një “nder” i padëmshëm apo një formë korrupsioni? Argumentoni.
– Si do të ndiheshit ju, po të ishit një nga njerëzit që prisnin në radhë?
Gjeni alternativën e saktë
Ligji është:
a) vetëm një dokument formal;
b) një listë me rregulla pa rëndësi;
c) themeli mbi të cilin funksionon shoqëria;
ç) një rregull e përkohshme.
Qëllimi kryesor i ligjit është:
a) të ndëshkojë qytetarët;
b) të garantojë rendin, drejtësinë dhe sigurinë;
c) të kufizojë lirinë;
ç) të krijojë konflikte.
Plotësoni vendet boshe
( interesit publik, ryshfet, korrupsion aktiv, besimit, korrupsion pasiv )
• Korrupsioni është keqpërdorim i __________ që shoqëria i jep një zyrtari.
• Kur një qytetar ofron para ose favore, ai kryen __________.
• Kur një zyrtar pranon përfitime për të shkelur rregullat, ai kryen __________.
• Pushteti publik duhet t’i shërbejë __________, jo interesave personalë.
• Dhënia ose marrja e parave për një shërbim quhet __________.
Gjeni alternativën e saktë
E vërtetë apo e gabuar?
☐ Korrupsioni ndikon vetëm te personat që marrin ryshfet.
☐ Nepotizmi është një formë korrupsioni.
☐ Korrupsioni i vogël nuk ka pasoja për shoqërinë.
☐ Edhe dhënësi, edhe marrësi janë përgjegjës para ligjit.
☐ “Miku” në shërbime publike mund të dëmtojë barazinë.
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
- A mund të luftohet korrupsioni vetëm me ligje dhe me ndëshkime, apo duhet të ndryshojnë mendësia dhe kultura?
- A është më e vështirë të luftohet korrupsioni në vendet e vogla, ku të gjithë e “njohin” njëri-tjetrin? Pse?


