10.5 Përdoruesit e tjerë të rrugës dhe sjellja e tyre

Nxënësi/ja:
  • identifikon rreziqet konkrete në situata të ndryshme të qarkullimit rrugor;
  • shpjegon sjelljen e sigurt të përdoruesve të rrugës (pasagjer, çiklist, përdorues i skuterit);
  • zbaton veprimet e duhura në situata emergjente dhe në rast aksidenti rrugor.
Fjalë kyçe:

pasagjer,
rrip sigurimi,
transport publik,
çiklistë,
motoristë,
skuteristë mjete emergjence.

A E DINI SE?

  • Një pasagjer që i thotë shoferit “shpejto” është po aq përgjegjës sa shoferi kur ndodh një aksident.

    A jeni dakord me pohimin e mësipërm? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Sjellja e pasagjerit në autoveturë

Një pasagjer i përgjegjshëm e kupton se rreziku mund të vijë jo vetëm gjatë lëvizjes, por edhe në çastin e hipjes dhe të zbritjes. Prandaj, sa herë që është e mundur, hipja dhe zbritja duhet të bëhet nga ana e trotuarit, që pasagjeri të mos dalë papritur në rrjedhën e trafikut.
Brenda mjetit, pasagjeri qëndron ulur dhe vendos rripin e sigurimit, sepse rripi e mban trupin nën kontroll gjatë frenimeve të forta dhe e mbron në rast përplasjeje. Kjo është arsyeja pse rripi nuk është thjesht rregull ligjor: është një masë që i shpëton jetën pasagjerit, por edhe mbron pasagjerët e tjerë.
Pasagjeri nuk duhet t’i kërkojë shoferit të shpejtojë, sepse presioni për të nxituar rrit rrezikun e gabimeve dhe të aksidenteve. Gjithashtu, pasagjeri nuk duhet t’ia bllokojë pamjen shoferit (p.sh. duke u mbështetur në xham, duke mbajtur sende para pasqyrave ose duke lëvizur në mënyrë që ta shpërqendrojë), sepse dukshmëria është pjesë e sigurisë.

Hipje/zbritje nga autovetura nga ana e trotuarit.

Rripi i sigurimit.

Sjellja në transportin publik

Siguria në autobus fillon në stacion. Pasagjeri pret në vendin e përcaktuar, mban distancë nga karrexhata dhe respekton radhën, sepse nxitimi dhe shtyrjet përbëjnë rrezik për rrëzim, përplasje dhe dalje të pavullnetshme në rrugë. Hipja dhe zbritja bëhen me qetësi, duke vëzhguar si mjetin, ashtu edhe këmbësorët përreth. Një sjellje e rregullt në stacion është pjesë e kulturës së sigurisë: ajo e mbron individin dhe e bën lëvizjen më të organizuar për të gjithë.

Siguria në motor: kaska dhe veshja mbrojtëse

Kur udhëton me motor, pasagjeri është i ekspozuar, prandaj pajisjet mbrojtëse bëhen të domosdoshme.

Kaska është mbrojtja kryesore sepse ul rrezikun e dëmtimeve në kokë. Ajo duhet të vendoset saktë dhe të jetë e përshtatur mirë, që të mos lëvizë gjatë udhëtimit. Edhe veshjet e përshtatshme, si dorezat dhe këpucët e sigurta, rrisin mbrojtjen në rast rrëshqitjeje ose frenimi të papritur. Në trafik, një çast i shkurtër humbjeje ekuilibri mund të ketë pasoja të rënda, ndaj parandalimi ka rëndësi vendimtare.

Torquay, Devon, England, Uk – 23 April 2025: People at a bus stop about to catch a public service bus operated by Stagecoach in the town centre of Torquay.

Vendosja e kaskës në motor është domosdoshmëri.

Biçikleta: rregulla të qarkullimit dhe siguri praktike

Biçikleta është një mjet i dobishëm dhe ekologjik, por kërkon edhe shumë kujdes, sepse çiklisti është më i pambrojtur sesa drejtuesit e automjeteve. Prandaj siguria fillon që përpara nisjes.
Para çdo udhëtimi çiklisti bën disa kontrolle të thjeshta, por shumë të rëndësishme: kontrollon gomat (a janë të fryra siç duhet), frenat (a punojnë mirë), timonin (a është i qëndrueshëm) dhe dritat/elementet reflektuese (sidomos kur lëviz në mbrëmje ose natën). Mirëmbajtja është pjesë e sigurisë, sepse një defekt i vogël mund të çojë në rrëzim ose përplasje. Nisja me biçikletë duhet të bëhet vetëm kur çiklisti është i sigurt që po e shikojnë të tjerët dhe mund të futet në qarkullim pa rrezik. Në rrugë të drejtë çiklisti lëviz në mënyrë të qëndrueshme dhe të parashikueshme, pa lëvizje të papritura. Ai mban distancë sigurie si përpara, ashtu edhe anash nga mjetet e tjera, në mënyrë që të ketë kohë të reagojë kur një automjet frenon papritur ose kur shfaqet një pengesë në rrugë.
Kur kthen ose ndryshon drejtim, çiklisti duhet të zbatojë një procedurë të sigurt: të vështrojë mbrapa, të ruajë linjën e lëvizjes dhe të sinjalizojë me dorë përpara se të kryejë manovrën. Kjo e bën lëvizjen e tij të kuptueshme për drejtuesit e tjerë dhe ul rrezikun e përplasjes.

Skuteri dhe rregullat kryesore të qarkullimit

Skuteri nuk është lodër, por një mjet qarkullimi dhe kërkon përgjegjësi të plotë si në sjellje, ashtu edhe në siguri. Skuteristi duhet të njohë rregullat kryesore të qarkullimit, si: shenjat, semaforët, përparësinë, rregullat e parakalimit dhe t’i zbatojë ato. Për shkak se skuteri është mjet i ekspozuar, pajisjet mbrojtëse janë të domosdoshme: kaska është bazë, ndërsa dorezat, veshjet mbrojtëse dhe këpucët e përshtatshme e rritin sigurinë dhe pakësojnë dëmtimet.
Para nisjes ai duhet të kontrollojë presionin e gomave, frenat, dritat dhe nivelin e karburantit, sepse mirëmbajtja e rregullt parandalon prishjen dhe humbjen e kontrollit në rrugë.
Përveç kontrollit teknik, ai duhet të tregojë aftësi bazë të kontrollit: nisje dhe ndalim të sigurt, manovrim në shpejtësi të ulët, ruajtje të ekuilibrit dhe të bëjë kthesa të kontrolluara. Këto aftësi janë themelore, sepse shumica e rreziqeve shfaqen në çastet e ndalimit, të nisjes, të kthesës dhe të frenimit.
Në rrugë rreziqet tipike për skuterin janë gropat, sipërfaqet e rrëshqitshme, ndryshimet e papritura të rrugës dhe manovrat e pasigurta të mjeteve të tjera. Masat parandaluese janë të lidhura me sjelljen: ulja e shpejtësisë në rrugë me pamje të kufizuar, ruajtja e distancës, vëzhgimi i vazhdueshëm i rrugës për pengesa dhe parakalimi vetëm kur kushtet janë të sigurta. Lëvizja e qetë dhe vendimet e parashikuara e ulin ndjeshëm rrezikun.

Kontrolli i biçikletës (frenat, gomat).

Situata të veçanta: emergjenca dhe kolonat

Në rrugë mund të shfaqen situata ku rregulli bazë është t’i hapet rruga atij që ka një mision shpëtimi. Kur afrohen ambulanca, zjarrfikësja ose policia me sinjale dritore dhe zanore, u jepet përparësi dhe hapësirë, sepse çdo sekondë mund të ndikojë në jetën e një njeriu.
Gjithashtu, kur ndeshen kolona ushtarake ose mortore, kërkohet respekt dhe shmangie e ndërprerjes së kolonës, sepse ndërhyrja mund të shkaktojë kaos e të përbëjë rrezik në qarkullim. Nëse hasen kolona nxënësish, drejtuesit duhet të ulin shpejtësinë dhe të tregojnë më shumë kujdes, sepse të miturit janë më të pambrojtur dhe reagojnë papritur në rrugë.

Sinjalizimi me dorë i çiklistit.

Çfarë duhet të bëjmë në rast të një aksidenti rrugor?

Në rast të një aksidenti automobilistik, gjëja e parë që duhet të bëjmë është të ruajmë qetësinë dhe të sigurojmë vendin e ngjarjes duke ndalur mjetin, duke ndezur dritat e emergjencës dhe duke vendosur trekëndëshin e rrezikut. Më pas kontrollojmë nëse ka të lënduar dhe njoftojmë menjëherë shërbimet e emergjencës në numrin 112. Nëse është e mundur, japim ndihmën e parë pa rrezikuar sigurinë tonë. Dokumentojmë situatën dhe shkëmbejmë të dhënat me palën tjetër, duke qëndruar gjithmonë në vendngjarje deri në mbërritjen e autoriteteve.
Kur telefonojmë në numrin 112 ose 127, japim informacion të qartë për vendndodhjen e saktë, çfarë ka ndodhur, sa persona janë përfshirë në aksident, çfarë dëmtimesh duken, si dhe numrin tonë të kontaktit.

Skuterist me pajisje mbrojtëse.

Numrat e emergjencës.

SITUATË RASTI

“Dukshmëria shpëton jetë”
Ardi, një nxënës 16-vjeçar, po kthehej në shtëpi në mbrëmje me skuterin e tij. Ishte errësirë dhe rruga nuk kishte ndriçim të mirë. Ardi kishte veshur rroba të errëta dhe skuterit nuk i punonin dritat. Ai mendonte se nuk kishte problem, sepse po lëvizte ngadalë dhe me shumë kujdes në anë të rrugës.
Në të njëjtën kohë, një makinë po afrohej në atë rrugë. Shoferi po drejtonte automjetin sipas rregullave dhe me shpejtësi të lejuar, por, për shkak të errësirës dhe faktit që skuteri nuk kishte drita, ai nuk e dalloi Ardin nga larg. Vetëm kur makina u afrua shumë pranë, shoferi vuri re një lëvizje në rrugë dhe u detyrua të frenonte menjëherë për të shmangur përplasjen.
Pyetje për diskutim
– Cili ishte gabimi kryesor i Ardit në këtë situatë?
– Si mund të ishte shmangur rreziku?
– Çfarë roli kanë dritat dhe veshjet reflektuese për sigurinë në rrugë?

E vërtetë apo e gabuar?

□ Rripi i sigurimit është i rëndësishëm edhe kur udhëton në distanca të shkurtra.
□ Në stacion autobusi është e pranueshme të hipësh duke shtyrë për të zënë vend.
□ Çiklisti duhet të sinjalizojë me dorë kur kthen ose ndryshon drejtimin.
□ Mjeteve të emergjencës u jepet përparësi kur përdorin sinjale dritore dhe zanore.
□ Në rast aksidenti, veprimi i parë është të sigurosh zonën në mënyrë që të mos rrezikosh veten dhe të tjerët.

Gjeni alternativën e saktë

Kur afrohet ambulanca me drita dhe sirenë, duhet:
a) të vazhdosh normalisht;
b) t’i japësh hapësirë dhe përparësi, duke mos e penguar;
c) të ecësh pas saj nga afër për të kaluar më shpejt;
ç) të ndalosh në mes të kryqëzimit.

Në rast aksidenti, informacioni më thelbësor në telefon është:
a) ngjyra e makinës;
b) vendndodhja + çfarë ka ndodhur + sa persona janë të përfshirë;
c) emri i drejtuesit;
ç) vetëm targa e mjetit.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Pse rripi i sigurimit është i domosdoshëm edhe në udhëtime të shkurtra brenda qytetit? Shpjegoni çfarë ndodh me trupin në një frenim të fortë ose përplasje të papritur.
  2. Pse duhet t’u jepet menjëherë hapësirë dhe përparësi mjeteve të emergjencës (ambulancë, zjarrfikëse, makinë policie) kur përdorin sinjale? Çfarë mund të ndryshojë një vonesë prej pak minutash?