Nxënësi/ja:
- identifikon faktorët që ndikojnë në cilësinë e zbatimit të ligjit;
- argumenton rëndësinë e zbatimit të ligjit për funksionimin e shoqërisë;
- zhvillon një ndjenjë përgjegjësie personale për respektimin e ligjit.
Fjalë kyçe:
qytetar i përgjegjshëm,
sanksion,
vetëgjyqësi,
veprim qytetar.
A E DINI SE?
Ligjet janë pjesë e jetës sonë të përditshme dhe ndikojnë në çdo veprim që bëjmë, qoftë kur kalojmë rrugën, kur blejmë një produkt, kur përdorim rrjetet sociale, kur marrim shërbime apo kur bashkëveprojmë me njerëzit që na rrethojnë. Por, për t’u realizuar qëllimi i tij, ligjit nuk i mjafton vetëm ekzistenca. Ai duhet të zbatohet, dhe pikërisht këtu hyn roli ynë si individë dhe qytetarë.
Një shoqëri funksionon mirë vetëm kur qytetarët marrin përsipër përgjegjësinë për t’i respektuar rregullat. Respektimi i ligjit nuk është vetëm detyrim, por edhe një formë bashkëpunimi mes nesh dhe shtetit për të siguruar rendin, sigurinë dhe drejtësinë. Kur individët i binden ligjit, ata kontribuojnë për një mjedis më të sigurt, për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe të të tjerëve, si dhe për funksionimin normal të shoqërisë. Por, kur ligji shkelet, ka pasoja jo vetëm për shkelësin, por për gjithë komunitetin.
Pasojat e zbatimit ose moszbatimit të ligjit janë të ndryshme dhe të thella. Për individin, zbatimi i ligjit sjell sigurinë, lirinë dhe mbrojtjen e të drejtave. Nëse ai nuk e zbaton ligjin, përballet me sanksione, që mund të jenë: gjoba, kufizimi i të drejtave, humbja e besimit të të tjerëve, madje edhe ndjekja penale. Për shoqërinë, zbatimi i ligjit do të thotë rend, stabilitet dhe zhvillim, ndërsa moszbatimi çon në kaos, korrupsion, padrejtësi, dhunë dhe humbje të besimit të institucioneve.
Në thelb, ligji dhe qytetari janë të pandashëm. Ligji vendos rregullat që sigurojnë rendin dhe stabilitetin shoqëror, ndërsa qytetari ndikon në zbatimin e tyre përmes sjelljes së tij të përditshme. Kur individët kanë përgjegjësi, respektojnë të drejtat e të tjerëve dhe promovojnë kulturën e ligjshmërisë, ata kontribuojnë drejtpërdrejt për një shoqëri më të drejtë, më të sigurt dhe në harmoni.

Ligji zbatohet përmes komunikimit dhe bashkëpunimit.
Qëndrimet ndaj ligjit
E gjithë jeta jonë udhëhiqet nga ligjet, normat dhe rregullat. Ne kemi qëndrime të ndryshme ndaj ligjit nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm.
Qëndrimet tona mund të jenë:
• pranuese ndaj ligjeve, si norma të caktuara nga shteti për t’u ndjekur dhe për t’u respektuar nga qytetarët, por mund të jenë edhe
• anashkaluese ndaj një norme të caktuar ose një tërësie normash, të cilat janë pranuar nga shoqëria në të cilën jetojmë.
Shoqëria ndikon në këto qëndrime përmes edukimit, kulturës familjare, medieve, institucioneve dhe shembujve pozitivë.
Faktorët që ndikojnë në zbatimin e ligjeve
Të gjitha ligjet shoqërohen me sanksione që synojnë të nxitin respektimin e tyre dhe të ndëshkojnë shkeljet. Sanksioni është çdo reagim, zyrtar ose jozyrtar, që shërben për të siguruar zbatimin e ligjit. Zbatimi i ligjeve ndikohet nga disa faktorë kryesorë.
• Llojet e sanksioneve. Ato mund të jenë pozitive (shpërblime për respektimin e rregullave) ose negative (ndëshkime për shkeljen), si dhe zyrtare (gjobë, dënim) ose jozyrtare (kritika, miratim, qortim nga familja apo grupi).
• Nevoja për aprovim social. Njerëzit shpesh e shmangin shkeljen e rregullave jo vetëm nga frika e ndëshkimit, por për të ruajtur respektin e familjes, të miqve dhe të grupit.
• Kultura e shoqërisë dhe e komunitetit. Kur kultura mbizotëruese është pro ligjit, individët priren t’i zbatojnë rregullat, ndërsa, kur është anashkaluese, rritet prirja për shkelje.
• Mundësitë për sukses dhe zhvillim. Shoqëritë që ofrojnë mundësi reale për përparim reduktojnë prirjen drejt sjelljeve të paligjshme, ndërsa mungesa e mundësive për sukses e rrit atë.
Sfidat e zbatimit të ligjit
Një kufizim i rëndësishëm i ligjeve është zbatimi i tyre, sepse edhe ligjet më të mira e humbasin vlerën, nëse nuk zbatohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Mungesa e kontrollit, dobësia e institucioneve, korrupsioni apo mungesa e ndërgjegjësimit të qytetarëve mund ta bëjnë zbatimin e ligjit të vështirë dhe të paefektshëm.
Cilësia e zbatimit të ligjit varet nga një sërë faktorësh të ndërlidhur, ku rol të rëndësishëm luan efektshmëria e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e tij. Institucione të forta dhe profesionale sigurojnë zbatim të barabartë dhe të drejtë të ligjit, ndërsa ndërgjegjësimi i qytetarëve ndikon në respektimin vullnetar të rregullave. Po kështu, niveli i korrupsionit ndikon drejtpërdrejt në besueshmërinë dhe funksionimin e sistemit ligjor, pasi korrupsioni dobëson drejtësinë dhe barazinë para ligjit. Besimi i publikut te sistemi ligjor është po aq thelbësor, sepse, kur qytetarët besojnë se ligji zbatohet në mënyrë të drejtë dhe transparente, ata priren më shumë ta respektojnë dhe ta mbështetin atë.
Ligji është instrumenti kryesor që i ofron individit mundësinë për t’u mbrojtur dhe për të kërkuar drejtësi. Prandaj, në raste konflikti apo cenimi të të drejtave, rruga e duhur është ndjekja e procedurave ligjore. Vetëgjyqësia apo përdorimi i dhunës jo vetëm që nuk e zgjidh problemin, por përbën vetë shkelje të ligjit. Një person i cenuar do të gabonte, nëse do të përdorte dhunën apo të bënte vetëgjyqësi, pa iu drejtuar sistemit ligjor, pasi në këtë rast edhe ai vetë do ta shkelte ligjin.
Përgjegjësia qytetare për respektimin e ligjit
Përgjegjësia individuale është thelbësore për zbatimin e ligjit dhe funksionimin e një shoqërie në harmoni, sepse ligjet nuk duhet vetëm të ekzistojnë, por edhe të respektohen nga qytetarët. Kur ligji zbatohet me ndërgjegje, forcohet besimi, ruhet rendi shoqëror dhe shoqëria bëhet më e qëndrueshme dhe më e sigurt.
Përgjegjësia individuale në zbatimin dhe funksionimin e ligjit shfaqet përmes veprimeve të ndryshme, si:
• Respektimi i rregullave dhe ligjeve në jetën e përditshme si respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të të tjerëve, kujdesi pë mjedisin, respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor etj.
• Denoncimi i shkeljes së ligjit pranë autoriteteve përgjegjëse, si: policia, prokuroria, pushteti lokal apo institucionet e tjera kompetente.
• Bërja publike e shkeljes në medie, komunitet apo shkollë për të rritur ndërgjegjësimin dhe presionin social.
• Organizimi i një grupi qytetarësh, si: miq, kolegë, mësues apo familjarë për të kërkuar zgjidhje dhe për të denoncuar në mënyrë kolektive problemin.
• Nisma për reformë ligjore kur ligji është i paqartë ose i paplotë, duke propozuar ndryshime ose hartimin e një ligji të ri.
SITUATË RASTI
E vërtetë apo e gabuar?
□ Për të qenë i efektshëm, ligji mjafton vetëm të ekzistojë, edhe nëse nuk zbatohet.
□ Shkelja e ligjit ndikon vetëm te personi që e kryen shkeljen dhe jo te shoqëria.
□ Qëndrimet ndaj ligjit formohen vetëm nga frika e ndëshkimit.
□ Vetëgjyqësia dhe përdorimi i dhunës janë mënyra të pranueshme për zgjidhjen e konflikteve.
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
1. Diskutoni në lidhje me idenë e filozofit anglez Xhon Stjuart Mill: “Një njeri mund t’u shkaktojë dëm të tjerëve jo vetëm me veprimet e tij, por edhe me mosveprimet”.
2. A mendoni se një person ka të drejtë të vendosë drejtësinë me duart e veta kur ndien se i është bërë padrejtësi? Argumentoni mendimin tuaj me një shembull.
DETYRË
Roli i qytetarit në zbatimin e ligjit për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe funksionale
Duke u mbështetur në informacionin e trajtuar në klasë, shkruani një ese ku të shpjegoni pse ligjet janë të domosdoshme për jetën shoqërore, pse zbatimi i tyre është po aq i rëndësishëm sa edhe miratimi dhe çfarë roli luan përgjegjësia individuale në respektimin e ligjit.


