Nxënësi/ja:
-
përkufizon veprën penale, autorin dhe bashkëpunëtorin;
-
dallon veprimet e kryera me dashje nga ato të kryera nga pakujdesia;
-
vlerëson rëndësinë e parimit të ligjshmërisë në qendër të sistemit penal.
Fjalë kyçe:
Kod Penal,
vepër penale,
autor,
bashkëpunëtor.
A E DINI SE?
- Një veprim që ishte krim në të kaluarën mund të mos jetë më i tillë sot, pasi ligjet ndryshojnë sipas kohës, zhvillimit teknologjik dhe nevojave të shoqërisë.
- Mosnjohja e ligjit nuk është justifikim, sepse pritet që çdo qytetar t’i njohë rregullat dhe të sillet në përputhje me to.
A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme
Përfytyroni një shoqëri pa rregulla dhe pa ligje, ku secili vepron sipas dëshirës së vet dhe askush nuk mban përgjegjësi për veprimet e tij. Në një situatë të tillë do të shtoheshin konfliktet, dhuna dhe padrejtësitë, ndërsa njerëzit do të ndiheshin të pasigurt në jetën e përditshme. Kjo tregon se ligjet dhe rregullat janë të domosdoshme për t’i mbrojtur individët dhe për të garantuar rendin në shoqëri. Për këtë arsye ekziston edhe Kodi Penal.
Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë është ligji që përcakton veprat penale dhe dënimet përkatëse për të mbrojtur rendin dhe sigurinë shoqërore. Ai përcakton qartë se cilat veprime janë të ndaluara nga ligji dhe çfarë pasojash sjell shkelja e tyre.
Kodi Penal nuk shërben vetëm për të ndëshkuar, por edhe për të parandaluar sjelljet e dëmshme, për t’i mbrojtur qytetarët dhe për të siguruar drejtësi për të gjithë. Në këtë kuptim, Kodi Penal funksionon si një mekanizëm mbrojtës i shoqërisë që i ndihmon njerëzit të bashkëjetojnë në paqe dhe të jenë të sigurt.
Për ta kuptuar më mirë se si funksionon Kodi Penal, duhet të njohim disa koncepte bazë lidhur me të:
Vepër penale është çdo veprim ose mosveprim që dëmton shoqërinë dhe është i ndaluar shprehimisht nga ligji. Për shembull, vjedhja, mashtrimi, dëmtimi i pronës, dhuna fizike etj. janë të parashikuara si vepra penale.
Autor është personi që e kryen drejtpërdrejt veprën penale. Ai është i përgjegjshëm për pasojat e veprimit të tij.
Bashkëpunëtor është ai që, pa e kryer vetë veprën, ndihmon autorin, jep këshilla, ofron mjete, planifikon me të ose e nxit të kryejë krimin. Kodi Penal e dënon edhe bashkëpunimin në krim, sepse shpesh krimet kryhen nga më shumë se një person.
Një dallim shumë i rëndësishëm në drejtësinë penale që ndikon në llojin dhe rëndësinë e dënimit është ai midis:
- Veprimeve të kryera me DASHJE. Veprimi quhet i tillë kur personi e di se çfarë po bën dhe e dëshiron pasojën. Për shembull, një nxënës, nga inati me një shok, e shtyn me forcë duke e ditur që mund ta rrëzojë dhe ta lëndojë. Ai e kupton pasojën dhe e pranon rrezikun.
- Veprimeve të kryera nga PAKUJDESIA. Veprimi quhet i tillë kur personi nuk ka pasur qëllim të dëmtojë, por nga mungesa e kujdesit shkakton dëm. Për shembull, një nxënës vrapon me shpejtësi në korridorin e shkollës pa menduar se mund të përplaset me dikë. Pa qëllim ai godet një shok dhe ai bie e lëndohet.
Pra, veprimet me dashje bëhen me qëllim dhe kanë përgjegjësi më të madhe, ndërsa ato nga pakujdesia ndodhin pa qëllim, por prapë kanë pasoja dhe duhet treguar kujdes. Ndaj, veprat me dashje dënohen më rëndë, ndërsa për veprat nga pakujdesia ka masa më të lehta, pasi personi nuk ka synuar të shkaktojë dëm.

Kodi Penal është si një “udhëzues i madh” që tregon qartë se cilat veprime janë krime dhe çfarë ndodh nëse i kryen ato.

Kodi Penal i Shqipërisë parashikon edhe vepra penale në internet, të cilat prekin shpesh adoleshentët. Këto përfshijnë: fyerje dhe shpifje online, shpërndarje fotosh apo videosh pa leje (përfshirë publikimin e bisedave private), hapje profilesh të rreme për tallje ose dëmtim, bullizëm online (kanosje, shantazh, ngacmim, përndjekje), hyrje pa leje në llogaritë e dikujt, mashtrime kompjuterike dhe publikim të të dhënave personale pa pëlqim.
Parimi i ligjshmërisë
Në qendër të të gjithë sistemit penal qëndron parimi i ligjshmërisë, i shprehur me frazën: “Nuk ka krim pa ligj”. Kjo është një nga garancitë më të mëdha të drejtësisë. Ajo siguron se askush nuk mund të dënohet për një veprim që nuk është i parashikuar më parë në ligj si vepër penale. Me fjalë të tjera, ligji duhet të jetë i qartë, i shkruar dhe i njohur. Asnjë gjykatë, as policia dhe as shteti nuk mund të shpikin krime apo dënime sipas dëshirës.
Ky parim i mbron qytetarët nga abuzimet e nga arbitrariteti dhe bën të mundur që drejtësia të bazohet vetëm në rregulla të shkruara dhe të njëjta për të gjithë.
SITUATË RASTI
Lexojini këto situata dhe diskutoni pyetjet e mëposhtme:
1. Arbi i merr telefonin shokut që t’i bëjë një “shaka”, por telefoni i bie dhe thyhet.
2. Sara shtyn dikë me nerva gjatë lojës, sepse donte të fitonte. Ai rrëzohet dhe dëmtohet.
3. Klajdi vrapon në korridor, rrëshqet dhe përplas pa dashje një nxënës tjetër.
4. Dy shoqe po luajnë me topa bore pas shkollës. Njëra hedh një top më të fortë me inat dhe godet tjetrën në fytyrë.
– Veprimi është kryer me dashje apo nga pakujdesia? Pse? Çfarë pasoje ka?
Plotësoni vendet boshe
(kodi penal, ligji, autor)
• __________ është ligji që përcakton cilat veprime janë të ndaluara dhe çfarë pasojash sjell shkelja e tyre.
• Çdo veprim ose mosveprim që dëmton shoqërinë dhe ndalohet nga __________ quhet vepër penale.
• Personi që kryen drejtpërdrejt veprën penale quhet __________.
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
- Si mendoni, pse është e rëndësishme që ligjet të jenë të shkruara dhe të qarta?
- A jeni dakord me parimin “Nuk ka krim pa ligj”? Pse?
- Si ndikon Kodi Penal në sigurinë e përditshme të njerëzve?
- A ka ndonjë vepër për të cilën mendoni se duhej të ishte e ndaluar, por nuk është?


