6.1. E drejta e pronës

Nxënësi/ja:
  • përkufizon konceptin “pronë”;
  • dallon llojet e pronës: private, publike dhe intelektuale;
  • vlerëson rëndësinë e mbrojtjes ligjore të pronës.
Fjalë kyçe:

pronë,
pronë publike,
pronë private,
pronë intelektuale,
të drejtat e autorit.

A E DINI SE?

  • Shkolla është pronë publike dhe dëmtimi i saj çon në më pak shërbime për vetë nxënësit: më pak mjete mësimore, më pak investime dhe një mjedis më pak i sigurt.
  • Vizatimet grafite pa autorizim në mure publike konsiderohen shkatërrim prone dhe ndëshkohen me gjobë.
  • Shkarkimi ilegal i filmave, i lojërave apo i programeve konsiderohet vjedhje edhe pse “s’po prek asgjë me dorë”.

    A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Çfarë është prona?

Prona është gjithçka që një person zotëron, përdor ose kontrollon në mënyrë të ligjshme. Ajo mund të shitet, të trashëgohet, të jepet me qira ose të përdoret sipas dëshirës së pronarit, gjithmonë brenda kufijve të ligjit. Ajo mund të jetë diçka që e prekim (shtëpia, çanta, telefoni) ose diçka që nuk shihet, por është krijuar me mendje (një këngë, një tekst, film apo një logo). Prona është një e drejtë themelore që mbrohet me ligj dhe që garanton sigurinë dhe mirëqenien e individëve në shoqëri.

Llojet kryesore të pronës

Në jetën e përditshme, njerëzit përdorin dhe gëzojnë lloje të ndryshme pronash. Disa prona i përkasin një individi ose një familjeje, ndërsa disa të tjera i përkasin të gjithë shoqërisë. Krahas tyre, ekziston edhe një formë tjetër e rëndësishme pronësie: prona intelektuale. Ajo nuk ka gjithmonë formë materiale, por ka vlerë, sepse buron nga krijimtaria, dija dhe puna e njeriut.
Prona private i përket një individi ose një familjeje. Vetëm pronari ka të drejtë të vendosë se si do të përdoret ajo, brenda kufijve që përcakton ligji.
Shembuj të pronës private: shtëpia e një familjeje, kopshti i dikujt, biçikleta juaj, dyqani i një personi.
Prona private mbrohet me ligj. Askush nuk mund ta përdorë, ta marrë ose ta dëmtojë pa lejen e pronarit. Respektimi i pronës private tregon respekt për të drejtat dhe liritë e tjetrit.
Prona publike është pasuri që u përket të gjithë qytetarëve dhe shërben për interesin e përbashkët. Ajo administrohet dhe mirëmbahet nga shteti, nga pushteti vendor ose institucionet publike.
Shembuj të pronës publike: shkollat publike, parqet, bibliotekat publike, rrugët, trotuaret, spitalet publike, autobusët publikë, ndriçimi rrugor, këndet e lojërave.

Prona private është çdo gjë që i përket një individi ose një familjeje. Ajo duhet respektuar dhe duhet të mbrohet me ligj.

Detyrat e qytetarëve ndaj pronës publike

Çdo qytetar duhet:
• të mos e dëmtojë pronën publike;
• të mos ndotë parqet, rrugët apo mjediset e përbashkëta;
• të respektojë rregullat e përdorimit;
• të raportojë dëmtimet ose abuzimet;
• të kujdeset për të njësoj si për pronën e vet.

Çfarë është prona intelektuale?

Prona intelektuale është çdo krijim i mendjes që ka vlerë. Edhe pse nuk është objekt fizik, ajo është pronë, sepse është krijuar nga dikush. Krijuesit i është dashur kohë, talent dhe energji mendore. Ajo mund të shitet, të licensohet, të përdoret për fitim dhe të tjerët nuk kanë të drejtë ta kopjojnë apo ta paraqesin si të tyren. Prandaj ligji e mbron si çdo formë tjetër prone.
Disa forma të pronës intelektuale janë:
• Të drejtat e autorit (copyright) – mbrojnë tekstet, librat, filmat, këngët, pikturat, programet kompjuterike, fotografitë.
• Markat tregtare (trademarks) – mbrojnë emrat e produkteve, logot, simbolet.

Pse është e rëndësishme mbrojtja ligjore e pronës?

Mbrojtja ligjore e pronës është një e drejtë themelore e çdo individi dhe një element i rëndësishëm për funksionimin e rregullt të shoqërisë. Kur prona mbrohet nga ligji, njerëzit ndihen më të sigurt dhe më të respektuar në të drejtat e tyre. Kjo mbrojtje është e rëndësishme për disa arsye kryesore.

Biblioteka është pronë publike. Kujdesi për librat dhe respektimi i rregullave është respekt për komunitetin.

Siguri ekonomike

Kur prona mbrohet me ligj, njerëzit ndihen të sigurt të punojnë, të kursejnë, të investojnë dhe të ndërtojnë një jetë më të mirë. Ata kanë besim se pasuria e tyre nuk do t’u merret padrejtësisht dhe se mund ta përdorin atë sipas ligjit.
Një familje që e ka tokën ose shtëpinë e saj të mbrojtur me ligj ndihet më e sigurt të investojë për ta përmirësuar, sepse e di që askush nuk mund t’ia marrë padrejtësisht.

Stabilitet në shoqëri

ur të gjithë e dinë se prona mbrohet dhe respektohet, ka më pak konflikte dhe më shumë rend në shoqëri. Respektimi i pronës së tjetrit forcon besimin mes njerëzve dhe ndihmon bashkëjetesën paqësore.
Në një lagje ku banorët respektojnë pronën e njëri-tjetrit, komuniteti është më i qetë, më i sigurt dhe njerëzit bashkëpunojnë më shumë me njëri-tjetrin.

Mbrojtje nga vjedhja dhe dëmtimi

Ligji e mbron pronën nga vjedhja, dëmtimi dhe përdorimi i paligjshëm. Ai parashikon masa dhe dënime për ata që cenojnë pronën e tjetrit. Kjo ndihmon në mbrojtjen e individëve, të familjeve dhe të gjithë komunitetit.
Nëse dikush dëmton një makinë të parkuar, ai mund të detyrohet të paguajë dëmin dhe, në raste të caktuara, të përballet edhe me gjobë ose me një dënim tjetër sipas ligjit.

SITUATË RASTI

“Një komunitet pa rregulla”
Përfytyroni për pak minuta sikur jetoni në një komunitet ku pronat nuk mbrohen me ligj. Askush nuk ndëshkohet, nëse merr, dëmton ose përdor pronën e tjetrit. Nuk ka polici, nuk ka rregulla dhe askush nuk mban përgjegjësi.

Ndahuni në grupe dhe diskutoni
– Çfarë ndodh me pronën private?
P.sh., shtëpitë, biçikletat, telefonat.
– Çfarë ndodh me pronën publike?
P.sh., shkollat, stolat në park, rrugët, librat në bibliotekë.
– Si do të ndihej komuniteti pas disa ditësh?
A do të kishte siguri? A do të kishin njerëzit besim te njëri-tjetri?
– Si do të ndikonin këto ndryshime në jetën juaj të përditshme? A do të dilnit në park? A do t’i linit sendet pa mbikëqyrje? A do të dilnit vetëm?
– Cili është roli i ligjit në mbrojtjen e pronës?
– Gjeni një arsye kryesore pse është e domosdoshme mbrojtja ligjore e pronës.
Secili grup përgjigjet lidhur me situatën dhe pyetjet e mësipërme.

Plotësoni vendet boshe

(ligji, pronari, pronës publike, e drejta e autorit, prona intelektuale)
• ___________ është çdo krijim i mendjes që ka vlerë dhe mbrohet nga ligji.
• __________ i jep të drejtë krijuesit të mbrojë punën e tij nga kopjimi.
• Shkollat dhe bibliotekat janë pjesë e __________.
• Vetëm __________ ka të drejtë të vendosë se si përdoret prona private.
• __________ mbron pronën dhe ndëshkon dëmtimin ose vjedhjen e saj.

E vërtetë apo e gabuar?

□ Prona intelektuale nuk mbrohet nga ligji, sepse nuk është objekt fizik.
□ Shkolla dhe parku janë shembuj të pronës publike.
□ Vetëm shteti ka të drejtë të zotërojë pronë.
□ Shkarkimi ilegal i filmave përbën shkelje të së drejtës së autorit.
□ Dëmtimi i pronës publike nuk ndikon te nxënësit.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Pse mendoni se disa të rinj bëjnë grafite ose dëmtojnë pronën publike? A është kjo një formë shprehjeje e lirisë së individit apo shkelje e të drejtave të të tjerëve?
  2. Si do të ndiheshit, nëse dikush do të përdorte krijimin tuaj (një poezi, vizatim, video) pa ju përmendur?
  3. A mund të ketë raste kur shkelja e së drejtës së pronës justifikohet (p.sh., urgjencë, vetëmbrojtje)?