7.2. Pasojat e korrupsionit në shoqëri, në ekonomi dhe në demokraci

Nxënësi/ja:
  • përshkruan pasojat e korrupsionit në ekonomi;
  • analizon pasojat sociale të korrupsionit;
  • gjykon se korrupsioni dëmton demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Fjalë kyçe:

shoqëria,
ekonomia,
demokracia,
barazia.

A E DINI SE?

  • Korrupsioni nuk dëmton vetëm ekonominë, por edhe besimin dhe shpresën e njerëzve.
  • Në shoqëritë me korrupsion të lartë të rinjtë shpesh mendojnë se suksesi vjen nga lidhjet, jo nga puna.

    A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Korrupsioni nuk është thjesht një veprim i vogël “për të rregulluar punët” apo një nder i padëmshëm midis njerëzve. Ai është një zinxhir i gjatë pasojash që prek çdo pjesë të shoqërisë nga portofoli i qytetarit, te cilësia e shërbimeve që marrim, e deri te funksionimi i demokracisë.
Për ta kuptuar këtë ndikim, mjafton të kthehemi te situata në spital: radhë e gjatë, njerëz të sëmurë që presin dhe dikush që hyn pa radhë, sepse “ka një mik brenda”. Aty ku fillon një padrejtësi e vogël personale, nis edhe rënia e një sistemi të tërë.

Pasojat ekonomike

Korrupsioni ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, sepse shpërdoron paratë publike dhe dëmton zhvillimin. Kur kontratat dhe tenderat nuk jepen sipas meritës, por përmes ryshfetit ose lidhjeve personale, nuk fitojnë kompanitë më cilësore. Si pasojë, ndërtohen objekte me cilësi të dobët, çmimet rriten dhe shërbimet publike përkeqësohen. Kjo sjell më shumë shpenzime për shtetin dhe për qytetarët. Njëkohësisht, korrupsioni i largon investitorët e huaj, sepse askush nuk dëshiron të investojë në një vend ku rregullat nuk janë të qarta dhe ku suksesi varet nga miqësitë dhe jo nga puna. Sa më i përhapur të jetë korrupsioni, aq më pak vende pune hapen dhe aq më shumë rritet varfëria, duke penguar kështu zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e shoqërisë.

Pasojat ekonomike të korrupsionit.

Pasojat sociale dhe kulturore

Korrupsioni ka pasoja të mëdha edhe në jetën sociale dhe kulturore. Kur qytetarët shohin se disa njerëz marrin shërbime më të mira vetëm sepse paguajnë ose njohin dikë, ata e humbasin besimin tek institucionet. Njerëzit ndihen të pambrojtur, e kuptojnë që po u bëhet padrejtësi, ndërsa barazia para ligjit fillon të duket si një ide formale dhe jo si realitet. Me kalimin e kohës, njerëzit zhgënjehen, nuk ndihen të motivuar dhe janë të pasigurt për të ardhmen. Në shoqëritë ku korrupsioni është i zakonshëm, njerëzit shpesh dorëzohen dhe besojnë se ndryshimi është i pamundur, humbasin vlerat e ndershmërisë, të meritës dhe të punës së ndershme. Edhe të rinjtë mund të fillojnë të mendojnë se suksesi nuk arrihet duke u përpjekur, por me lidhje dhe favore, gjë që i shtyn shumë njerëz të aftë të largohen për të kërkuar mundësi më të drejta.

Largimi i trurit (brain drain) lidhet ngushtë me korrupsionin, sepse, kur punësimet dhe ngritja në detyrë bëhen përmes lidhjeve dhe jo meritës, njerëzit e aftë e humbasin besimin tek e ardhmja në vendin e tyre.

Pasojat politike

Korrupsioni dëmton rëndë edhe demokracinë. Një shtet demokratik funksionon vetëm kur qytetarët besojnë se ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe se institucionet janë të paanshme. Kur korrupsioni përhapet, njerëzit e humbasin besimin te drejtësia dhe te qeverisja. Korrupsioni ndikon drejtpërdrejt edhe në zgjedhje, sepse blerja e votës ose përdorimi i ndikimit shtrembëron vullnetin e qytetarëve. Në këto kushte, nuk janë më qytetarët ata që vendosin, por paratë dhe interesat e grupeve të fuqishme. Kur ligji nuk zbatohet në mënyrë të barabartë, shteti i së drejtës dobësohet dhe e ardhmja e shoqërisë bëhet më e pasigurt.

Blerja e votës është dhënia e parave, e dhuratave ose e favoreve për të ndikuar në votën e qytetarit, duke shkelur lirinë dhe drejtësinë e zgjedhjeve.

Fjalordh

Shërbimet publike – shërbimet që ofron shteti, si: shëndetësia, arsimi dhe administrata. Korrupsioni ul cilësinë dhe barazinë në këto shërbime.
Besimi tek institucionet – besimi i qytetarëve se institucionet veprojnë me drejtësi. Korrupsioni e shpërdoron këtë besim.
Investitorët e huaj – persona ose kompani që investojnë para dhe hapin vende pune në një vend tjetër. Ata shmangin vendet ku korrupsioni është i lartë.
Largimi i trurit (brain drain) – largimi i të rinjve dhe i profesionistëve të aftë nga vendi për shkak të mungesës së meritokracisë dhe të korrupsionit.

E vërtetë apo e gabuar?

☐ Korrupsioni prek vetëm personat që përfshihen drejtpërdrejt në të.
☐ Korrupsioni mund të ulë cilësinë e shërbimeve publike.
☐ Në shoqëritë e korruptuara rritet besimi tek institucionet.
☐ Blerja e votës dëmton demokracinë.
☐ Korrupsioni mund të krijojë pabarazi mes qytetarëve.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Cila nga pasojat e korrupsionit ju duket më e rëndë: ekonomike, sociale apo politike? Pse?
  2. Çfarë ndodh me besimin e qytetarëve tek institucionet kur korrupsioni është i përhapur? Si e prek korrupsioni idenë e barazisë para ligjit?
  3. Kush e vuan më shumë korrupsionin: të pasurit apo të varfrit?