3.10. Të drejtat e mjedisit dhe të zhvillimit

Nxënësi/ja:
  • përmend të drejtat e mjedisit dhe të zhvillimit;
  • nalizon të drejtat kryesore të mjedisit dhe të zhvillimit;
  • vlerëson pasojat e zbatimit ose moszbatimit të këtyre të drejtave në jetën e përditshme.
Fjalë kyçe:

të drejtat e mjedisit,
të drejtat për zhvillim.

A E DINI SE?

  • Të drejtat për një mjedis të shëndetshëm dhe për zhvillim janë pjesë e të drejtave themelore të njeriut dhe lidhen ngushtë me mirëqenien e shoqërisë. Këto të drejta nënkuptojnë që çdo person ka jo vetëm të drejtën të jetojë në një mjedis të pastër dhe të sigurt, por edhe përgjegjësinë për ta mbrojtur e për ta ruajtur atë për brezat e ardhshëm.

    Sa të garantuara janë këto të drejta në jetën e përditshme dhe kush mban përgjegjësi kur ato nuk realizohen?

Të drejtat e mjedisit dhe të zhvillimit lidhen me të drejtën e çdo individi dhe komuniteti për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe për të përfituar nga zhvillimi ekonomik e shoqëror në mënyrë të drejtë dhe të qëndrueshme.
Të drejtat e mjedisit përfshijnë të drejtën për ajër të pastër, ujë të sigurt, tokë të shëndetshme, si dhe ruajtjen e burimeve natyrore. Këto të drejta kërkojnë që shtetet, institucionet dhe qytetarët të mbrojnë natyrën, të parandalojnë ndotjen dhe të përdorin burimet natyrore me përgjegjësi, në mënyrë që të mos dëmtohet shëndeti i njerëzve dhe i brezave të ardhshëm.
Të drejtat e zhvillimit, nga ana tjetër, lidhen me të drejtën e popujve dhe individëve për përmirësimin e kushteve të jetesës, për qasje në arsim, shëndetësi, punësim dhe mirëqenie ekonomike. Zhvillimi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të sigurojë që përfitimet e progresit ekonomik dhe shoqëror të ndahen në mënyrë të drejtë.
Këto dy të drejta janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, sepse zhvillimi i vërtetë nuk mund të arrihet duke shkatërruar mjedisin. Për këtë arsye, sot flitet gjithnjë e më shumë për zhvillim të qëndrueshëm, që do të thotë zhvillim që plotëson nevojat e sotme pa rrezikuar mundësinë e brezave të ardhshëm për të plotësuar nevojat e tyre.
Të drejtat e mjedisit dhe të zhvillimit janë të pasqyruara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe konsiderohen pjesë e rëndësishme e politikave dhe detyrimeve të shtetit ndaj qytetarëve dhe brezave të ardhshëm.

Disa nga të drejtat e mjedisit dhe të zhvillimit janë:
E drejta për një mjedis të shëndetshëm

Çdokush ka të drejtë të jetojë në një mjedis të pastër dhe të sigurt, me ajër të pastër, ujë të pijshëm dhe tokë të shëndetshme. Kjo e drejtë kërkon që shteti dhe shoqëria të marrin masa për të parandaluar ndotjen dhe dëmtimin e natyrës.

E drejta për informim për çështjet mjedisore

Qytetarët kanë të drejtë të informohen për gjendjen e mjedisit dhe për aktivitetet që mund të ndikojnë në të, si ndërtimet, projektet industriale ose përdorimi i burimeve natyrore.

E drejta për pjesëmarrje në vendimmarrje

Individët dhe komunitetet kanë të drejtë të marrin pjesë në vendimet që lidhen me mjedisin dhe zhvillimin e zonës ku jetojnë, për shembull, në diskutimet për projekte ndërtimi ose plane zhvillimi.

E drejta për mbrojtje nga dëmtimi i mjedisit

Nëse mjedisi dëmtohet nga veprimtaria e individëve ose e kompanive, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve dhe zbatimin e ligjit për të mbrojtur natyrën dhe shëndetin e tyre.

E drejta për zhvillim të qëndrueshëm

Çdo shoqëri ka të drejtë të zhvillohet nga ana sociale dhe ekonomike, por në një mënyrë që nuk shkatërron mjedisin dhe që ruan burimet natyrore për brezat e ardhshëm.

E drejta për përmirësimin e kushteve të jetesës

Kjo përfshin qasje në arsim, shëndetësi, punësim dhe kushte të mira jetese, në mënyrë që çdo individ të ketë mundësi të zhvillohet dhe të jetojë me dinjitet.

SITUATË RASTI

“Çfarë po ndodh me komunitetin tonë?”
Lexoni situatat e mëposhtme:
• Një park i vogël në lagje është mbushur me mbeturina dhe nuk përdoret më nga fëmijët.
• Uji i pijshëm në disa zona ka probleme dhe banorët blejnë ujë me shishe.
• Në rrugë ka shumë makina dhe pak hapësira për këmbësorët.
• Ndërtime të reja kanë zënë vendet ku më parë kishte gjelbërim.

Diskutoni në grup
– Cila nga këto situata ju duket më shqetësuese? Pse?
– Si ndikojnë këto probleme në jetën e përditshme të njerëzve?
– Kush mendoni se mban përgjegjësi për këto situata?
– A mendoni se këto janë probleme vetëm mjedisore apo edhe sociale? Shpjegoni.
– Cilat të drejta të qytetarëve preken në këto raste?
– Çfarë do të bënit ju nëse do të jetonit në këtë lagje?

Gjeni alternativën e saktë

Cila nga alternativat e mëposhtme përshkruan më mirë të drejtën për një mjedis të shëndetshëm?
a) E drejta për të ndërtuar kudo pa kufizime.
b) E drejta për të jetuar në një mjedis të pastër dhe të sigurt.
c) E drejta për të përdorur burimet natyrore pa rregulla.
ç) E drejta për të ndaluar çdo aktivitet
Çfarë nënkupton e drejta për zhvillim të qëndrueshëm?
a) Zhvillim ekonomik pa marrë parasysh mjedisin.
b) Përdorimin e pakufizuar të burimeve natyrore.
c) Zhvillim që plotëson nevojat e sotme pa dëmtuar mundësitë e brezave të ardhshëm.
ç) Ndalimin e çdo projekti zhvillimi.

E vërtetë apo e gabuar?

□ Çdo person ka të drejtë të jetojë në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm.
□ Zhvillimi ekonomik duhet të realizohet edhe nëse dëmton rëndë mjedisin.
□ Qytetarët kanë të drejtë të informohen për projektet që mund të ndikojnë në mjedisin ku jetojnë.
□ Mbrojtja e mjedisit është vetëm përgjegjësi e institucioneve shtetërore dhe jo e qytetarëve.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Pse është e rëndësishme që zhvillimi ekonomik të realizohet duke respektuar dhe mbrojtur mjedisin? Diskutoni disa pasoja që mund të ndodhin kur mjedisi dëmtohet nga aktivitetet njerëzore.
  2. Si mund të kontribuojnë qytetarët, veçanërisht të rinjtë, në mbrojtjen e mjedisit dhe në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në komunitetin e tyre?