5.5. Llojet e praktikave dhe avantazhet
e drejtësisë restauruese

Nxënësi/ja:
  • njeh llojet e praktikave në drejtësinë restauruese;
  • shpjegon pse drejtësia restauruese është veçanërisht e përshtatshme për të miturit;
  • kupton qëllimin e drejtësisë restauruese, duke shpjeguar rëndësinë e marrjes së përgjegjësisë dhe riparimit të dëmit.
Fjalë kyçe:

ndërmjetësim,
riedukim dhe perspektivë afatgjatë.

A E DINI SE?

  • Ndëshkimi i ashpër ka ndikim të përkohshëm te sjellja, ndërsa drejtësia restauruese synon të kuptojë shkaqet e saj dhe të parandalojë përsëritjen në të ardhmen.

    Pse mendoni se drejtësia restauruese i ndihmon të miturit që të mos i përsëritin sjelljet e dëmshme në krahasim me dënimet tradicionale?

Llojet e praktikave në drejtësinë restauruese

Drejtësia restauruese zbatohet përmes një sërë praktikash konkrete që synojnë zgjidhjen e konfliktit, riparimin e dëmit dhe rikthimin e marrëdhënieve midis palëve. Këto praktika krijojnë hapësira dialogu dhe bashkëpunimi, ku të gjithë palët kanë mundësi të dëgjohen dhe të kontribuojnë në zgjidhjen e situatës.
Praktikat më të zakonshme të drejtësisë restauruese janë ndërmjetësimi viktimë-autor, konferencat restauruese dhe rrethet e paqes.
Ndërmjetësimi viktimë-autor është forma më e thjeshtë dhe më e përdorur. Në këtë proces, viktima dhe i mituri që ka kryer veprën takohen në praninë e një ndërmjetësi të trajnuar. Ndërmjetësi ndihmon në zhvillimin e një dialogu të sigurt dhe të respektueshëm, ku viktima shpreh ndikimin që ka pasur ngjarja mbi të, ndërsa i mituri merr përgjegjësi dhe reflekton mbi veprimet e tij. Qëllimi është arritja e një marrëveshjeje për riparimin e dëmit.
Konferencat restauruese përfshijnë një rreth më të gjerë pjesëmarrësish. Përveç viktimës dhe autorit, marrin pjesë edhe anëtarë të familjes, miq, përfaqësues të komunitetit apo institucioneve. Në këtë proces, secili ndan përvojën dhe këndvështrimin e tij, duke kontribuar në një kuptim më të plotë të situatës dhe në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët. Kjo praktikë forcon mbështetjen sociale dhe ndihmon në riintegrimin e të miturit.
Rrethet e paqes janë forma më gjithëpërfshirëse e drejtësisë restauruese. Ato përfshijnë një grup më të madh njerëzish që mblidhen për të diskutuar një konflikt ose një çështje që prek komunitetin. Diskutimi zhvillohet në mënyrë të strukturuar, duke respektuar rregullat e komunikimit dhe duke i dhënë mundësi secilit të shprehë mendimin e tij. Qëllimi është ndërtimi i mirëkuptimit, forcimi i lidhjeve dhe parandalimi i konflikteve në të ardhmen.
Kur takimet ballë për ballë nuk janë të mundshme, procesi mund të zhvillohet përmes komunikimit në distancë, si video-takime ose shkëmbim letrash. Në rastet kur komunikimi verbal është i vështirë, për shkak të barrierave gjuhësore apo vështirësive të tjera, mund të përdoren mjete alternative dhe joverbale për të lehtësuar shprehjen dhe mirëkuptimin midis palëve.
Në këtë mënyrë, drejtësia restauruese përshtatet me nevojat konkrete të individëve dhe situatave, duke ruajtur gjithmonë në qendër dialogun, respektin dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve.

Pse drejtësia restauruese është veçanërisht e përshtatshme për të miturit?

Drejtësia restauruese është veçanërisht e përshtatshme për të miturit, sepse ajo përputhet me nevojat zhvillimore të fëmijëve dhe të adoleshentëve. Në këtë moshë individët mësojnë përmes marrëdhënieve, dialogut dhe përvojës, jo vetëm përmes frikës nga ndëshkimi.
Duke u përballur me pasojat reale të veprimit të tyre, duke dëgjuar viktimën dhe duke mbajtur përgjegjësi konkrete, të miturit zhvillojnë:
• ndjeshmërinë morale,
• empatinë,
• aftësinë për t’i zgjidhur konfliktet në mënyrë paqësore.

Kjo i ndihmon ata ta ndryshojnë sjelljen jo nga frika, por nga ndërgjegjësimi.Në të njëjtën kohë, drejtësia restauruese ndihmon edhe viktimën dhe komunitetin. Viktima ndihet e dëgjuar, e mbrojtur, e përfshirë dhe shpesh arrin të gjejë mbështetje emocionale dhe të marrë kompensim real. Komuniteti fiton një rol aktiv në proces, ai jo vetëm që ndihmon në zgjidhjen e konfliktit, por edhe mëson të krijojë mjedise më të sigurta dhe më gjithëpërfshirëse.
Roli i komunitetit është thelbësor në këtë proces. Kur përfshihet komuniteti, shmanget paragjykimi dhe stigmatizimi dhe i hapet dera një procesi drejtësie që sjell paqe, siguri dhe mundësi të barabarta për të gjithë.

Kujdes! Drejtësia restauruese nuk nënkupton mungesën e përgjegjësisë apo tolerimin e sjelljeve të dëmshme. Ajo zbatohet vetëm kur:
• viktima është e sigurt;
• autori e pranon përgjegjësinë për veprimin e tij;
• procesi zhvillohet në mënyrë vullnetare dhe të mbikëqyrur.
Në rastet kur këto kushte nuk plotësohen ose kur rreziku është i lartë, sistemi i drejtësisë përdor masa të tjera mbrojtëse. Kjo tregon se drejtësia restauruese është një qasje e përgjegjshme dhe e strukturuar, jo një zëvendësim i plotë i ligjit.

Drejtësia restauruese dhe krijimi i perspektivës afatgjatë tek autori

Drejtësia restauruese e ndihmon autorin të shohë përtej momentit dhe të mendojë për të ardhmen e tij. Ajo e orienton drejt zgjedhjeve më të mira në jetën e përditshme. Gjatë këtij procesi, i mituri mëson si të përballet me konfliktet pa përdorur dhunë, si të menaxhojë emocionet dhe si të mendojë para se të veprojë. Ai mëson gjithashtu të komunikojë më mirë, të dëgjojë të tjerët dhe të kuptojë pasojat e veprimeve të tij.

Këto aftësi ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e tij: në sjelljen në shkollë, në marrëdhëniet me bashkëmoshatarët dhe familjen, si dhe në mënyrën si përballet me vështirësitë e jetës. Një i mitur që mëson të zgjidhë konfliktet dhe të marrë përgjegjësi ka më shumë mundësi të shmangë problemet dhe të ndërtojë një rrugë më të qëndrueshme për jetën e tij.

Në këtë mënyrë, drejtësia restauruese nuk ndihmon vetëm në zgjidhjen e një situate të caktuar, por ndikon në mënyrën si individi mendon dhe vepron edhe në të ardhmen.

Fjalorth

Riintegrimi social – procesi përmes të cilit një individ, veçanërisht një i mitur që ka kryer një shkelje apo vepër të dëmshme, rikthehet dhe përfshihet në mënyrë aktive, të sigurt dhe të pranueshme në jetën e komunitetit, duke krijuar sërish marrëdhënie pozitive me familjen, me shkollën dhe me shoqërinë.

SITUATË RASTI

Në një gjimnaz, një nxënës i klasës së 11-të përhap në rrjete sociale një mesazh tallës për një shok të klasës së 10-të. Mesazhi shpërndahet dhe viktima lëndohet shumë.

Nxënësit ndahen ne grupe. Çdo grup u përgjigjet pyetjeve të mëposhtme dhe harton një plan restaurues të shkurtër.
– Çfarë ka ndodhur?
– Kush është përfshirë? (autori, viktima, të tretë)?
– Çfarë dëmi është shkaktuar? (emocional, material, social)
– Hartoni një plan restaurues për këtë situatë.

Grupet paraqesin idetë e tyre.

Plotësoni vendet boshe

(ndëshkimin, rehabilitimi, empatinë, komuniteti, përgjegjësisë, bashkëpunues)

• Drejtësia restauruese nuk synon vetëm ____________, por edhe mësimin nga gabimi.
• Për të miturit, qëllimi kryesor i drejtësisë është ____________ dhe jo dënimi i ashpër.
• Përmes dialogut me viktimën, i mituri zhvillon ____________ dhe ndërgjegjësim moral.
• ____________ luan rol të rëndësishëm në mbështetjen dhe në përfshirjen e fëmijës pas konfliktit.
• Mbajta e ____________ për veprimet është thelbësore në procesin restaurues.
• Negocimi është një proces ____ ku palët përpiqen të arrijnë një zgjidhje të përbashkët.

E vërtetë apo e gabuar?

☐ Drejtësia restauruese nënkupton që fëmija nuk mban përgjegjësi për veprimet e tij.
☐ Ndërmjetësimi ndihmon palët të zgjidhin konfliktet në mënyrë paqësore.
☐ Drejtësia restauruese synon shmangien e stigmatizimin dhe të izolimit social.
☐ Viktima nuk ka rol në procesin e drejtësisë restauruese.
☐ Dialogu dhe riparimi i dëmit ndihmojnë në parandalimin e përsëritjes së sjelljeve të dëmshme.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. A është e drejtë që një i mitur të mos dënohet njësoj si një i rritur? Pse?
  2. A i ndihmon ndëshkimi i ashpër fëmijët që të ndryshojnë? Apo i dëmton më shumë?
  3. A do të pranonit të takoheshit me dikë që ju ka shkaktuar dëm, nëse procesi do të ishte i sigurt?
  4. A duhet të jetë viktima pjesë e procesit të drejtësisë?
  5. Cila zgjidhje është më e drejtë në një konflikt mes nxënësve: ndëshkimi apo dialogu?