Nxënësi/ja:
- identifikon të drejtat themelore në punë;
- analizon rolin e kontratave kolektive të punës dhe të sindikatave në mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve;
- diskuton për dëmet që shkaktojnë shkeljet e të drejtave të punës.
Fjalë kyçe:
të drejtat e punëtorëve,
puna e detyruar,
siguria në punë,
sindikatat.
A E DINI SE?
- Asnjë person nuk mund të detyrohet të punojë kundër vullnetit të tij, sepse puna e detyruar konsiderohet një formë moderne e skllavërisë dhe është e ndaluar me ligj.
A jeni dakord me pohimin e mësipërm? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.
Puna nuk është vetëm një mënyrë për të fituar të ardhura, por edhe një pjesë e rëndësishme e dinjitetit dhe e identitetit të njeriut. Për këtë arsye, të drejtat në punë nuk janë të ndara nga të drejtat e njeriut, por përbëjnë një zgjatim të drejtpërdrejtë të tyre. Kur respektohen të drejtat në punë, respektohen edhe të drejtat themelore të njeriut; kur ato shkelen, cenohet dinjiteti njerëzor dhe mirëqenia sociale.
Të drejtat themelore në punë janë parimet bazë që gëzon çdo punëmarrës dhe që duhen respektuar në çdo vend pune, pavarësisht nga lloji i punës apo i sektorit. Këto të drejta burojnë nga kushtetuta, Kodi i Punës dhe konventat ndërkombëtare (si ato të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ILO).
Kushtetuta dhe e drejta e punës
E drejta për punë është një objektiv social që kushtetuta ia ngarkon si detyrë shtetit. Ky i fundit synon punësimin në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë. E drejta për punë është një e drejtë individuale që realizohet me ndihmën e shtetit. Në këtë kuptim, shteti ka organizuar, nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe Zyrave të Punës, ofrimin e punësimit për individët e papunë. Në përgjithësi, synohet që ofertat e punës të jenë sa më të përafërta me profilin e të interesuarve për punë. Natyrisht, shpesh ndodh që puna e ofruar të mos përputhet plotësisht me profilin e punëkërkuesit, por shteti ka për detyrë të bëjë përpjekje maksimale për punëkërkuesit në zbatim të parimit të jetesës me dinjitet që parashikon kushtetuta.
Kushtetuta thotë se çdokush ka të drejtë t’i fitojë mjetet e jetesës me punë të ligjshme, të cilën e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Duke vendosur këto parime, kushtetuta përcakton kuadrin e përgjithshëm mbi të cilin bazohet Kodi i Punës, i cili ka si synim të mbrojë interesat e punonjësve, të dinjitetit dhe të të drejtave të tyre, pa lënë mënjanë detyrimet që kanë ata gjatë kryerjes së punës.
Të drejtat në punë dhe lidhja e tyre me të drejtat e njeriut
Parimet kryesore të të drejtave në punë, si: paga e drejtë, orari i kufizuar i punës, kushtet e sigurta dhe mosdiskriminimi, lidhen ngushtë me të drejtat themelore të njeriut.
• Paga e drejtë lidhet me të drejtën për një standard të mjaftueshëm jetese. Një pagë e pamjaftueshme e bën të pamundur mbulimin e nevojave bazë, si: ushqimi, strehimi dhe kujdesi shëndetësor.
• Orari i kufizuar i punës lidhet me të drejtën për shëndet dhe jetë private. Puna e tepërt, pa pushim, dëmton shëndetin fizik e mendor dhe cenon jetën familjare.
• Kushtet e sigurta të punës janë zgjatim i së drejtës për jetë dhe shëndet. Çdo punonjës ka të drejtë të kthehet i sigurt në shtëpi pas punës.
• Mosdiskriminimi në punë lidhet drejtpërdrejt me dinjitetin njerëzor dhe barazinë para ligjit. Askush nuk duhet të trajtohet ndryshe për shkak të gjinisë, moshës, përkatësisë etnike, fesë apo aftësisë së kufizuar.
Këto parime tregojnë se puna duhet të respektojë njeriun dhe jo ta shfrytëzojë atë. Paga e drejtë, orari i arsyeshëm, kushtet e sigurta të punës dhe mosdiskriminimi nuk janë vetëm rregulla të marrëdhënieve të punës, por mekanizma thelbësorë për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, si e drejta për jetë, shëndet, dinjitet dhe një standard të mjaftueshëm jetese.

SHEMBULL
“Barazia në vendin e punës”
Irena filloi punë si mekanike në një servis makinash. Ajo është 18 vjeçe dhe sapo është diplomuar në një shkollë profesionale. Në të njëjtin servis punon edhe Klodi, 20 vjeç, me të njëjtin profil. Pas disa muajsh, Irena zbulon rastësisht se paga e saj është 10% më e ulët se ajo e Klodit, ndonëse të dy bëjnë të njëjtën punë dhe kanë përvojë të ngjashme. Irena është e shqetësuar. Ajo mendon se po trajtohet padrejtësisht, për shkak se është vajzë në një profesion ku shumica janë djem. Së pari, ajo bisedon me shefin e servisit, duke i kujtuar se Kodi i Punës ndalon diskriminimin në pagë mbi bazën e gjinisë. Shefi fillimisht justifikohet se Klodi “ka familje për të mbajtur”, por Irena ngul këmbë se puna e barabartë duhet paguar njësoj. Ajo e kërcënon se do të ankohet tek inspektorati i punës. Pas kësaj, shefi pranon gabimin dhe rrit pagën e Irenës në nivelin e njëjtë me Klodin. Ky rast i mëson gjithë stafit se në vendin e punës duhet të ketë barazi dhe se askush nuk duhet të trajtohet më keq për shkak të gjinisë apo ndonjë arsyeje tjetër diskriminuese. Irena tregoi guxim dhe njohuri të të drejtave të saj, duke korrigjuar një padrejtësi.
Liria e bashkimit në sindikata si e drejtë e njeriut
Një nga të drejtat më të rëndësishme në punë është liria e bashkimit në sindikata. Kjo e drejtë buron nga liria e organizimit dhe liria e shprehjes, të cilat janë të drejta themelore të njeriut.
Sindikatat u japin punëtorëve mundësinë që:
• të bashkohen për të mbrojtur interesat e përbashkët;
• të shprehin shqetësimet e tyre pa pasur frikë se do të ndëshkohen;
• të negociojnë për paga dhe kushte më të mira pune.
Pa sindikata, punonjësit shpesh janë të dobët përballë punëdhënësve të fuqishëm. Përmes bashkimit, zëri i tyre bëhet më i fortë dhe më i dëgjueshëm. Prandaj, ndalimi ose pengimi i sindikatave përbën shkelje jo vetëm të të drejtave të punës, por edhe të të drejtave të njeriut.

Pasojat e shkeljes së të drejtave të punës
Kur të drejtat e punës shkelen, pasojat nuk janë vetëm ekonomike, por edhe njerëzore dhe shoqërore. Punonjësit që paguhen padrejtësisht, që punojnë në kushte të rrezikshme ose që diskriminohen, shpesh ndihen të nënvlerësuar dhe të pasigurt.
Këto shkelje ndikojnë drejtpërdrejt dinjitetin njerëzor. Punonjësi nuk trajtohet më si njeri me të drejta dhe nevoja, por si një mjet për përfitim. Kjo situatë ndikon negativisht në shëndetin fizik dhe mendor të individit, duke shkaktuar lodhje, stres dhe pasiguri.
Në nivel më të gjerë, shkeljet e të drejtave të punës kontribuojnë në rritjen e varfërisë dhe të pabarazisë sociale, pasi individët e prekur kanë më pak mundësi për të siguruar një jetë të denjë për veten dhe familjen e tyre. Në këto kushte, bëhet i vështirë edhe ushtrimi i të drejtave të tjera themelore, si e drejta për arsim, për kujdes shëndetësor dhe për jetë familjare. Për këtë arsye, respektimi i të drejtave të punës është thelbësor për garantimin e të drejtave themelore të njeriut dhe për funksionimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë.
E vërtetë apo e gabuar?
☐ Një punëtor mund të detyrohet të punojë, nëse ka nevojë për para.
☐ Diskriminimi në punë është i pranueshëm, nëse paga jepet rregullisht.
☐ Kushtet e pasigurta të punës mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e punonjësit.
☐ Liria e bashkimit në sindikata është një e drejtë e njeriut.
Plotësoni vendet boshe
(diskriminim, mbrojnë, shëndetin, zbatim )
• Të drejtat në punë janë një __________ i drejtpërdrejtë i të drejtave të njeriut.
• Orari i kufizuar i punës mbron __________ e punonjësit.
• Trajtimi i pabarabartë në punë quhet __________.
• Sindikatat ndihmojnë punëtorët të __________ interesat e tyre.
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
- Pse mendoni se detyrimi për të punuar me forcë është shkelje e të drejtave të njeriut edhe kur puna paguhet?
- Si ndikon një pagë e padrejtë ose shumë e ulët në dinjitetin dhe në jetën e një punonjësi?
- Pse diskriminimi në vendin e punës cenon të drejtat themelore të njeriut edhe kur kushtet e tjera të punës duken të rregullta?
DETYRË
Mendoni për tri të drejta që ju i konsideroni më të rëndësishmet për një punonjës (p.sh., e drejta për pushim, paga e drejtë, trajtim pa diskriminim etj.). Shkruajini këto të drejta në fletoren tuaj dhe, pranë secilës, shpjegoni me fjalët tuaja pse është e rëndësishme secila prej tyre. Më pas, diskutoni me një shok ose shoqe:
• A keni zgjedhur të njëjtat të drejta apo të ndryshme?
• Pse mendoni se disa të drejta janë më të rëndësishme se të tjerat?
• Si do të ndiheshit nëse në të ardhmen një nga këto të drejta do të shkelej ndaj jush si punonjës?


