3.5. Deklarata Universale e tëDrejtave të Njeriut (DUDNJ)

Nxënësi/ja:
  • tregon se çfarë është Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut;
  • argumenton pse Deklarata u miratua në vitin 1948, pas Luftës II Botërore;
  • vlerëson pse është e rëndësishme që këto të drejta të respektohen për të gjithë.
Fjalë kyçe:

DUDNJ,
të drejtat e njeriut,
OKB.

A E DINI SE?

  • Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë me dinjitet dhe të drejta.
  • Të drejtat e njeriut vlejnë për të gjithë, pa asnjë diskriminim (p.sh, gjini, origjinë, fe, gjuhë, mendim).
  • Çdo person ka të drejtë për jetën, lirinë dhe sigurinë personale.

    A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Zhvillimi historik i të drejtave të njeriut

Zhvillimi i të drejtave të njeriut është një proces i gjatë historik, i lidhur ngushtë me përpjekjet e njerëzimit për liri, barazi dhe dinjitet. Që në lashtësi janë shfaqur ide për drejtësinë dhe barazinë, por ato nuk ishin të garantuara për të gjithë.
Në qytetërimet e lashta u hodhën themelet e para të mendimit për ligjin dhe drejtësinë. Megjithatë, të drejtat i përkisnin vetëm një grupi të kufizuar njerëzish (qytetarëve të lirë), ndërsa skllevërit dhe gratë nuk gëzonin të drejta të barabarta.
Një hap i rëndësishëm ishte Magna Carta (1215) në Angli, e cila e kufizoi pushtetin e mbretit dhe njohu disa të drejta themelore për shtetasit, duke vendosur parimin se edhe pushteti duhet t’i nënshtrohet ligjit.
Me filozofët e iluminizmit, si Xhon Loku, u zhvillua ideja e të drejtave natyrore të njeriut (jeta, liria, prona). Këto ide u pasqyruan në dokumente të rëndësishme, si:
• Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së (1776);
• Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit (1789) në Francë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, komuniteti ndërkombëtar njohu nevojën për mbrojtje universale të të drejtave të njeriut. Në vitin 1948 u miratua Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e cila shënoi një moment historik duke shpallur të drejta dhe liri për të gjithë njerëzit pa dallim.
Më pas u miratuan pakte dhe konventa ndërkombëtare që i bënë këto të drejta juridikisht të detyrueshme, duke forcuar mbrojtjen e tyre në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Qëllimi kryesor i Deklaratës është të garantojë dinjitetin njerëzor, të sigurojë liri dhe barazi për të gjithë njerëzit dhe të vendosë standarde universale për respektimin e të drejtave të njeriut në të gjitha shtetet.

Parimet bazë të Deklaratës janë: ne të gjithë kemi lindur të lirë dhe të barabartë. Këto janë të drejta që gëzojnë të gjitha qeniet njerëzore në botë. Çdo njeri ka të drejtën e jetës, lirisë dhe sigurisë. Të gjithë kanë përgjegjësinë për të respektuar të drejtat e të tjerëve. Asnjë nuk ka të drejtë t’ju marrë apo heqë ndonjë nga këto të drejta.

E. Rusvelti, një nga figurat kryesore në hartimin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut (1948), duke paraqitur dokumentin që shënoi një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.

Deklarata përbëhet nga 30 nene, të cilat janë:

1. Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë me dinjitet dhe të drejta.
2. Të drejtat u përkasin të gjithëve pa asnjë dallim.
3. E drejta për jetën, lirinë dhe sigurinë personale.
4. Askush nuk duhet të mbahet në skllavëri ose në robëri.
5. Askush nuk duhet t’i nënshtrohet torturës ose trajtimit çnjerëzor.
6. Çdo njeri ka të drejtë të njihet si person përpara ligjit.
7. Barazi para ligjit dhe mbrojtje e barabartë nga ligji.
8. E drejta për mjete juridike efektive kur shkelen të drejtat.
9. Askush nuk duhet të arrestohet, të ndalohet ose të dëbohet padrejtësisht.
10. E drejta për gjykim të drejtë dhe publik nga një gjykatë e pavarur.
11. Prezumimi i pafajësisë derisa të provohet faji.
12. E drejta për privatësi dhe mbrojtje të jetës private.
13. E drejta për lëvizje dhe zgjedhje të vendbanimit.
14. E drejta për të kërkuar azil nga përndjekja.
15. E drejta për shtetësi.
16. E drejta për martesë dhe familje me pëlqim të lirë.
17. E drejta për pronë individuale dhe kolektive.
18. Liria e mendimit, e ndërgjegjes dhe e fesë.
19. Liria e mendimit dhe e shprehjes.
20. Liria e tubimit dhe e shoqërimit paqësor.
21. E drejta për të marrë pjesë në qeverisje dhe zgjedhje të lira.
22. E drejta për siguri sociale.
23. E drejta për punë, kushte të drejta dhe mbrojtje nga papunësia.
24. E drejta për pushim dhe kohë të lirë.
25. E drejta për standard të përshtatshëm jetese (ushqim, strehim, shëndet).
26. E drejta për arsim.
27. E drejta për të marrë pjesë në jetën kulturore dhe përfitimet shkencore.
28. E drejta për një rend shoqëror dhe ndërkombëtar ku realizohen të drejtat.
29. Detyrimet e individit ndaj shoqërisë dhe respektimi i të drejtave të të tjerëve.
30. Asnjë e drejtë nuk mund të përdoret për të shkatërruar të drejtat e të tjerëve.
Edhe pse Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut nuk është juridikisht detyruese, ajo ka ushtruar një ndikim të madh në hartimin e kushtetutave dhe ligjeve kombëtare, përfshirë edhe legjislacionin dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

SITUATË RASTI

“Pasojat e varfërisë në fëmijëri”
Në disa vende të botës, si në Bolivi, një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve jetojnë në kushte varfërie. Këto kushte ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme dhe kufizojnë mundësinë për të gëzuar të drejtat themelore, si e drejta për arsim dhe kujdes shëndetësor.
Banorët në këto zona vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, ushqimit dhe shërbimeve bazë. Gjithashtu, niveli i arsimimit mund të jetë më i ulët, veçanërisht për vajzat, duke krijuar pabarazi në shoqëri.
Këto kushte ndikojnë jo vetëm në cilësinë e jetës, por edhe në jetëgjatësinë dhe zhvillimin e individëve. Krahasuar me vende si Shqipëria, ku kushtet e jetesës janë përgjithësisht më të mira, dallimet bëhen më të dukshme.
Pyetje për diskutim
– Pse varfëria në fëmijëri është më e rrezikshme për zhvillimin e individit?
– Si ndikon varfëria në respektimin e të drejtave të fëmijëve?
– Çfarë mund të bëjë shoqëria dhe shteti për të përmirësuar këtë situatë?

Gjeni alternativën e

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut u miratua nga:
a) Bashkimi Europian
b) OKB-ja
c) Këshilli i Europës
ç) Organizata Botërore e Shëndetësisë.
E drejta për arsim nënkupton që:
a) vetëm disa fëmijë mund të shkojnë në shkollë;
b) arsimi është privilegj;
c) arsimi është një e drejtë për të gjithë;
ç) arsimi është i detyrueshëm vetëm për të rriturit.
Deklaratës u miratua në vitin:
a) 1945
b) 1950
c) 1948
ç) 1960
Parimi “të gjithë janë të pafajshëm derisa të provohet faji” lidhet me:
a) lirinë e udhëtimit;
b) të drejtën për gjyq të drejtë;
c) të drejtën e pronës;
ç) të drejtën për arsimim.

E vërtetë apo e gabuar?

□ Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut u krijua pas Luftës II Botërore.
□ Vetëm qytetarët e vendeve të pasura i gëzojnë të drejtat e njeriut.
□ Varfëria në fëmijëri ndikon në shëndetin, arsimimin dhe jetëgjatësinë e individit.
□ Të drejtat e njeriut janë të njëjta për të gjithë, pa dallim gjinie, race apo feje.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Çfarë është Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut?
  2. Reflektoni pse Deklarata u miratua në vitin 1948, pas Luftës II Botërore.
  3. Pse të gjitha të drejtat janë të rëndësishme për njerëzit? Pse është e rëndësishme që këto të drejta të respektohen për të gjithë?