6.2. Veprat penale kundër pronës dhe pasojat e tyre

Nxënësi/ja:
  • identifikon veprat penale kundër pronës;
  • bën dallimin ndërmjet pasojave penale dhe pasojave civile;
  • gjykon se si vlera e pronës, rrethanat e veprës dhe përsëritja e saj ndikojnë në ashpërsinë e dënimeve ligjore.
Fjalë kyçe:

vepër penale,
vjedhje,
vandalizëm,
dëmtim prone,
përvetësim i paligjshëm.

A E DINI SE?

  • Nëse gjeni një telefon në rrugë apo në park, ai duhet t’i jepet pronarit ose t’u dorëzohet autoriteteve. Mbajtja për vete është përvetësim, vepër penale.
  • Shkatërrimi i pronës publike (stola, mure, pajisje) dënohet më rëndë se shkatërrimi i pronës private, sepse prek shërbimet e komunitetit dhe konsiderohet dëm ndaj interesit publik.
  • Vepra e kryer në grup dënohet më rëndë, sepse kur disa persona veprojnë së bashku, rreziku është më i madh dhe dëmi që mund të shkaktohet është zakonisht më i rëndë.

    A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Mbrojtja e pronës është një nga bazat kryesore të një shoqërie të drejtë dhe të sigurt. Çdo veprim që dëmton, shkatërron, merr ose përvetëson një pronë pa leje cenon jo vetëm individin, por edhe komunitetin. Për këtë arsye, ligji parashikon masa dhe dënime për këto sjellje, të cilat konsiderohen vepra penale ndaj pronës. Me këtë kuptojmë çdo veprim të kundërligjshëm që prek pasurinë e tjetrit dhe që dënohet nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

Veprat penale më të zakonshme kundër pronës

Vjedhja është marrja e pronës së tjetrit pa leje, me qëllim mbajtjen ose përdorimin e saj për vete. Ajo cenon të drejtën e pronësisë, krijon pasiguri dhe mund t’i shkaktojë viktimës humbje materiale të rëndësishme.
Karakteristikat kryesore:
• kryhet me qëllim (me dashje);
• personi që kryen vjedhjen synon përfitim personal;
• humbja i shkaktohet drejtpërdrejt pronarit.

Shembuj:
marrja e telefonit të një shoku, marrja e një biçiklete
që nuk është juaja, marrja e një çante që i përket dikujt tjetër.

Dëmtimi i pronës/vandalizmi është shkatërrimi, thyerja ose dëmtimi i pronës së dikujt tjetër, private apo publike. Ai ul cilësinë e jetës, krijon ndjenjën e pasigurisë dhe sjell shpenzime për individin ose për komunitetin.
Karakteristikat kryesore:
• ndodh zakonisht me qëllim, por edhe nga pakujdesia e rëndë;
• shkakton dëme që duhen riparuar me kosto financiare;
• prish mjedisin dhe dëmton shërbimet publike.

Shembuj:
thyerja e qëllimshme e dritareve të shkollës, vizatimet grafite në mure publike pa leje, djegia e stolave në park, gërvishtja e makinës në parking.

Përvetësimi i paligjshëm ndodh kur një person gjen ose merr një send që nuk i përket dhe e mban për vete, pa njoftuar pronarin ose institucionin përkatës. Edhe pse sendi mund të jetë gjetur rastësisht, mbajtja e tij si pronë personale është e kundërligjshme.

Shembuj:
gjetja e një portofoli dhe mbajtja e parave për vete, gjetja e një telefoni dhe fshirja e të dhënave për ta përdorur, mbajtja e një libri shkollor që nuk ju përket.

Pasojat penale dhe pasojat civile

Kur një person dëmton, vjedh ose përvetëson pronën e tjetrit, ai mund të përballet me pasoja penale dhe pasoja civile. Këto nuk janë të njëjta, sepse secila ka një qëllim të ndryshëm.
Pasojat penale janë masat ose dënimet që vendosen nga shteti për të ndëshkuar një vepër penale dhe për të penguar përsëritjen e saj. Format më të zakonshme të dënimit penal janë:
• gjoba – një shumë parash që paguhet si ndëshkim; për të miturit, zakonisht përgjegjësia bie mbi prindërit ose kujdestarët,
• masat edukative, si: këshillimi, puna në dobi të komunitetit ose detyrimi për paraqitje,
• dënimi me kusht – është një dënim që nuk zbatohet menjëherë, nëse personi nuk e përsërit veprën,
• burgimi – zbatohet për të rriturit ose për raste më të rënda.

Shembuj:
nëse një i ri thyen me qëllim disa dritare të shkollës, gjykata mund të vendosë gjobë, masa edukative ose detyrimin për të marrë pjesë në aktivitete që ndihmojnë në riparimin apo në mirëmbajtjen e mjedisit shkollor.

Pasojat civile lidhen me detyrimin për të zhdëmtuar pronarin për dëmin e shkaktuar. Kjo do të thotë se personi që ka dëmtuar ose ka marrë padrejtësisht një send duhet të kompensojë humbjen, duke rikthyer vlerën e dëmtuar ose të humbur. Dëmshpërblimi civil mund të përfshijë:
• pagesën e riparimit të sendit;
• pagesën e zëvendësimit të tij;
• kompensimin e humbjeve të tjera që kanë ardhur si pasojë e dëmit.

Shembuj:
Nëse një nxënës prish biçikletën e një tjetri, prindërit ose kujdestarët e tij mund të detyrohen të paguajnë për riparimin ose blerjen e një biçiklete tjetër.

Një person mund të dënohet penalisht dhe njëkohësisht të detyrohet të paguajë dëmshpërblimin. Pra, ai mund të marrë njëkohësisht dënim penal dhe detyrim civil, sepse mbulojnë qëllime të ndryshme: penal si ndëshkim për sjelljen e gabuar, por edhe civil për kthimin e dëmit ekonomik.

Si ndikojnë vlera e pronës, rrethanat dhe përsëritja në dënim?

Vlera e pronës. Sa më e madhe të jetë vlera e sendit të vjedhur ose të dëmtuar, aq më i rëndë është dënimi. Vjedhja e një laptopi dënohet më rëndë sesa vjedhja e një stilolapsi. Kjo ndodh sepse ligji synon proporcionalitet dhe drejtësi në dënim. Shumë nene të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë nuk japin një dënim fiks, por një kufi (p.sh., gjobë ose burgim deri në një numër të caktuar vitesh).
Rrethanat e veprës. Dënimi rritet nëse vepra kryhet natën, me dhunë, në grup ose ndaj pronës publike. Shkatërrimi i pajisjeve të shkollës nga një grup nxënësish dënohet më rëndë sesa një dëm i vogël i bërë rastësisht.
Përsëritja e veprës. Nëse personi e ka kryer më parë të njëjtën shkelje, dënimi bëhet më i ashpër. Për shembull, nëse dikush kapet disa herë duke vjedhur, dënimi mund të shkojë deri në burg.

Pirateria digjitale dhe plagjiatura

Në epokën digjitale, shkeljet e pronës nuk ndodhin vetëm fizikisht. Ato ndodhin edhe në internet.
Pirateria digjitale është vjedhja e pronës intelektuale online, si: filmat, lojërat, programet, librat elektronikë. Shkarkimi i filmave nga faqet ilegale, përdorimi i programeve të palicensuara në kompjuter, shpërndarja e librave PDF pa leje, hyrja pa të drejtë në një llogari Netflix-i etj, janë shembuj të piraterisë digjitale.
Plagjiatura është përdorimi i punës, i idesë ose i materialit të dikujt tjetër pa cituar burimin, duke e paraqitur si tëndin. Kopjimi i një eseje nga interneti, marrja e një fotoje pa leje, paraqitja e një projekti të dikujt tjetër me emrin tënd, përdorimi i ideve të mësuesit/shokut pa përmendur burimin konsiderohen plagjiaturë.

SITUATË RASTI

“Telefoni i gjetur”
Një nxënës gjen një telefon në oborrin e shkollës.
Nxënësit ndahen në grupe të vogla. Çdo grup punon mbi të njëjtin skenar, por brenda grupit nxënësit marrin tri role të ndryshme:
– nxënësi që gjen telefonin mendon nëse duhet ta mbajë për vete apo ta dorëzojë;
– pronari i telefonit shpjegon pse humbja e telefonit është e rëndësishme për të;
– shoku/shoqja e nxënësit që e gjeti jep mendim dhe përpiqet të ndikojë në vendimin që do të marrë.
Çdo grup duhet:
– të përgatisë një dialog të shkurtër me këto tri role;
– të paraqesë vendimin përfundimtar të personazhit që e gjeti telefonin;
– të shpjegojë çfarë pasojash ligjore dhe etike ka secili veprim: mbajtja e telefonit ose dorëzimi i tij.

Një ose disa grupe e paraqesin dialogun para klasës. Në fund, klasa diskuton:
– Cili ishte veprimi i duhur?
– Çfarë thotë ligji?
– Pse është i rëndësishëm edhe qëndrimi etik?

Gjeni alternativën e saktë

Marrja e pronës së tjetrit pa leje me qëllim përfitimi quhet:
a) vandalizëm;
b) vjedhje;
c) përvetësim i paligjshëm;
ç) dhuratë.


Gjetja e një telefoni dhe mbajtja e tij për vete pa njoftuar pronarin është:
a) sjellje e lejuar;
b) përvetësim i paligjshëm;
c) ndihmë qytetare;
ç) vandalizëm.


Cila nga alternativat e mëposhtme përfaqëson një pasojë civile të një vepre penale kundër pronës?
a) Burgimi i autorit.
b) Vendosja e gjobës.
c) Detyrimi për dëmshpërblimin ndaj viktimës.
ç) Masa edukative ndaj autorit.


Thyerja e dritareve të shkollës ose vizatimi i grafiteve pa leje përbën:
a) përvetësim të paligjshëm;
b) dëmtim prone / vandalizëm;
c) huazim të përkohshëm;
ç) asnjë.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Pse mendoni se disa të rinj kryejnë veprime vandale? Cilat mund të jenë arsyet?
  2. A është plagjiatura “më pak e rëndë” sesa vjedhja fizike? Pse?
  3. Pse disa njerëz i respektojnë shumë pronat private, por jo ato publike?