10.1. Kodi Rrugor, rruga dhe elementet e saj

Nxënësi/ja:
  • përkufizon konceptin e rrugës dhe të elementeve kryesore të saj, duke përfshirë karrexhatën, trotuarin, bankinën, korsinë;
  • dallon llojet kryesore të rrugëve, duke shpjeguar karakteristikat e secilës;
  • vlerëson rëndësinë e kryqëzimeve dhe të degëzimeve si pika kyçe në rrjetin rrugor.
Fjalë kyçe:

rrugë,
karrexhatë, trotuar,
bankinë.

A E DINI SE?

  • Rruga nuk është vetëm për makinat, por një hapësirë e përbashkët ku secili ka vendin dhe rregullin e tij për të garantuar sigurinë e të gjithëve.

    A jeni dakord me pohimin e mësipërm? Argumentoni mendimin tuaj me shembuj nga jeta e përditshme.

Qarkullimi rrugor dhe rregullat e tij parashikohen në ligje të posaçme, ku përcaktohen sjelljet që duhet ose nuk duhet të kryhen. Në Shqipëri këto rregulla përfshihen në ligjin “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, i miratuar me ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, i cili është ndryshuar disa herë për t’u përshtatur me zhvillimet e qarkullimit rrugor. Ky kod synon të garantojë një qarkullim të sigurt dhe të rregullt për të gjithë përdoruesit e rrugës.

Çfarë do të thotë “rrugë”?

Rruga është zona për përdorim publik, e paracaktuar për qarkullimin e këmbësorëve, të mjeteve dhe të kafshëve. Funksioni kryesor i rrugës është qarkullimi (transporti dhe lëvizja), por rruga ka edhe funksion social: lidh lagje, shërbime, shkolla dhe institucione, duke ndikuar në cilësinë e jetesës.

Elementet kryesore të rrugës dhe funksioni i tyre

Rruga është zona për përdorim publik, e paracaktuar për qarkullimin e këmbësorëve, të mjeteve dhe të kafshëve. Funksioni kryesor i rrugës është qarkullimi (transporti dhe lëvizja), por rruga ka edhe funksion social: lidh lagje, shërbime, shkolla dhe institucione, duke ndikuar në cilësinë e jetesës.

Trotuari: pjesë e rrugës jashtë karrexhatës, e ngritur ose e kufizuar dhe e mbrojtur, e paracaktuar për këmbësorët.

Bankina: pjesa e rrugës e përfshirë ndërmjet kufirit të karrexhatës dhe elementit gjatësor më të afërt: trotuarit ose trafikndarësit. Shërben për siguri, për ndihmë në raste emergjente dhe si hapësirë rezervë.

Llojet kryesore të rrugëve

Në bazë të karakteristikave teknike, të ndërtimit dhe të funksionit, rrugët ndahen në:
Autostradë: rrugë me standard shumë të lartë për qarkullim të shpejtë e të sigurt. Ka dy ose më shumë karrexhata të ndara, të paktën dy korsi për drejtim, bankinë/korsi emergjence dhe pa kryqëzime në nivel. Hyrje-daljet janë të kontrolluara dhe ka rrethim mbrojtës.

Rrugë interurbane kryesore: rrugë jashtë zonave urbane, që lidh qytete dhe nyja të rëndësishme dhe nuk ka korsi emergjence. Ka qarkullim të lartë, korsi të organizuara dhe bankina; ka më shumë ndërprerje se autostrada, pasi nuk ka rrethim mbrojtës, por synon lëvizje të sigurt dhe të qëndrueshme.

Rrugë interurbane dytësore: rrugë që lidh qendra më të vogla dhe zona rurale me rrjetin kryesor. Zakonisht ka një karrexhatë, të paktën një korsi për drejtim dhe bankina.

Rrugë urbane kryesore: rrugë brenda qytetit që mbajnë trafikun kryesor urban dhe kanë kryqëzime në nivel. Ka dy ose më shumë korsi, mund të ketë korsi të rezervuar për transportin publik dhe ka trotuare. Ka shpesh kryqëzime në nivel me sinjalistikë ose semafor.

Rrugë urbane dytësore: rrugë brenda qytetit për lidhje dytësore dhe hyrje-dalje në lagje. Ka një karrexhatë me korsi të mjaftueshme, trotuare dhe ndonjëherë hapësira anësore/bankina. Trafiku është më i moderuar dhe shpejtësia më e ulët.

Rrugë lokale: rrugë për akses të drejtpërdrejtë te banesat, te shkollat dhe te shërbimet e lagjes ose në zona rurale. Ka zakonisht pak korsi, me trotuar (në qytet) ose bankina (jashtë qytetit). Ka lëvizje të shpeshtë të këmbësorëve dhe ndalesa, prandaj kërkohet kujdes në një nivel më të lartë.

Kryqëzimet dhe degëzimet

Kryqëzimi është vendi ku takohen dy ose më shumë rrugë, ndërsa degëzimi është pika ku një rrugë ndahet në drejtime të ndryshme ose lidhet me një rrugë tjetër. Këto janë pika kyçe të qarkullimit, sepse aty duhet të marrësh vendime të shpejta, si: kush ka përparësi, kur të ndalesh, në cilin drejtim të kthesh etj. Në kryqëzime rritet ndërveprimi mes makinave, biçikletave dhe këmbësorëve dhe çdo gabim i vogël (mosrespektim i sinjalit, mosdhënie përparësie apo shpërqendrim) mund të sjellë rrezik. Prandaj në kryqëzime dhe në degëzime kërkohet vëmendje më e madhe, ulje e shpejtësisë dhe respektim i plotë i sinjalistikës dhe i rregullave të përparësisë.

Ku lejohet dhe ku nuk lejohet të qarkullohet?

Këmbësorët:
• lejohen në trotuar, në zona të shënuara për këmbësorët, kalime këmbësorësh;
• vetëm kur është e domosdoshme: bankina (kur s’ka trotuar);
• nuk lejohen në korsi/karrexhata (përveç kalimit të shënuar).
Mjetet:
• lejohen në karrexhata dhe në korsi sipas drejtimit/rregullave;
• vetëm për raste të veçanta: ndalim emergjent në bankinë (kur është e përcaktuar dhe kur nuk rrezikohet qarkullimi);
• nuk lejohen në trotuar dhe në hapësirat e këmbësorëve.
Kafshët:
• lejohen në zona ku është e përcaktuar dhe në rrugë ku qarkullimi lejon kalim të sigurt (zakonisht në kujdesin e njeriut);
• nuk lejohen në hapësira ku rrezikojnë veten dhe të tjerët (p.sh., hyrja në rrjedhën e shpejtë të mjeteve).

E vërtetë apo e gabuar?

□ Rruga është hapësirë e përbashkët publike dhe ka funksion kryesor qarkullimin.
□ Trotuari është pjesa e rrugës ku qarkullojnë mjetet.
□ Korsia është një pjesë e karrexhatës që orienton lëvizjen e mjeteve.
□ Bankina shërben vetëm për parkim të përhershëm.

Gjeni alternativën e saktë

Karrexhata është:
a) hapësira për këmbësorët;
b) hapësira kryesore për qarkullimin e mjeteve;
c) pjesa anësore për emergjencë;
ç) zona e gjelbër pranë rrugës.
Kryqëzimi është:
a) vendi ku rruga bëhet më e ngushtë;
b) vendi ku takohen dy ose më shumë rrugë;
c) vendi ku ndalohet gjithmonë qarkullimi;
ç) vetëm një vend për parkim.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Pse është e rëndësishme që këmbësorët të ecin në trotuar dhe në kalimet e shënuara?
  2. Pse kryqëzimet konsiderohen si pika me rrezik më të lartë në qarkullim?
  3. Ky ndryshon rruga interurbane kryesore me atë dytësore?

DETYRË

Përfytyroni rrugën pranë shkollës suaj dhe përshkruajeni atë me 8–10 fjali. Në përshkrim:
1. tregoni cilat elemente të rrugës dallon (trotuar, karrexhatë, korsi, bankinë, kryqëzim);
2. shpjegoni se ku duhet të ecin këmbësorët dhe ku duhet të qarkullojnë mjetet;
3 jepni mendimin tuaj se çfarë mund të përmirësohet për të rritur sigurinë (p.sh.: sinjalistikë rrugore, vijëzime më të dukshme, kalim këmbësorësh, ndriçim më i mirë, semaforë etj.).