1.1. Ligji: rregullatori themelor i shoqërisë

Nxënësi/ja:
  • shpjegon çfarë janë të drejtat e njeriut dhe pse ato i përkasin çdo njeriu;
  • analizon përgjegjësinë individuale dhe të shtetit për garantimin e të drejtave të njeriut;
  • vlerëson rëndësinë e njohjes së të drejtave të njeriut.
Fjalë kyçe:

të drejtat e njeriut,
përgjegjësia e shtetit,
njohje e të drejtave

A E DINI SE?

  • Të drejtat e njeriut janë të njëjta kudo në botë, por nuk zbatohen njësoj në çdo vend.
  • Të drejtat e njeriut janë më të rëndësishme se shteti, por duhet të ekzistojë shteti që ato të respektohen.

    A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Të drejtat e njeriut janë parimet bazë pa të cilat njeriu nuk mund të jetojë si qenie njerëzore me dinjitet. Ato përfaqësojnë rregullat themelore që mbrojnë vlerën dhe respektin e çdo personi dhe krijojnë kushtet e nevojshme për një jetë të lirë, të sigurt dhe të barabartë në shoqëri. Pa respektimin e këtyre të drejtave, jeta e njeriut do të ishte e cenueshme, e pasigurt dhe e pabarabartë.
Këto të drejta lindin bashkë me njeriun, që do të thotë se askush nuk i fiton ato me pasuri, status shoqëror apo merita të veçanta. Ne i gëzojmë të drejtat e njeriut thjesht sepse jemi qenie njerëzore. Për këtë arsye, ato nuk janë dhuratë e shtetit dhe nuk mund të hiqen apo të mohohen në mënyrë të padrejtë.
Të drejtat e njeriut garantojnë barazi dhe dinjitet për çdo individ, ndërsa diskriminimi përbën shkelje të këtyre të drejtave duke i trajtuar personat ose grupet në mënyrë të pabarabartë dhe të padrejtë.

Të drejtat e njeriut janë të drejta dhe liri themelore që i përkasin çdo individi që nga lindja, pa dallim race, gjinie, feje, gjuhe, bindjeje apo statusi shoqëror dhe garantojnë dinjitetin, lirinë dhe barazinë e tij në shoqëri.

SHEMBULL

“Të drejtat e Andit”
Andi është një djalë 16-vjeçar që jeton me familjen në Tiranë. Prindërit e Andit kanë ardhur nga një qytet tjetër dhe nuk janë të regjistruar ende në gjendjen civile si qytetarë të Tiranës, për shkak se kanë pasur vështirësi për të ardhur këtu. Andi shkoi në zyrat e bashkisë dhe atje i thanë se nuk mund t’i jepnin pagesën e ndihmës ekonomike, sepse ata nuk ishin banorë të Tiranës. Ai nuk u regjistrua dot as në shkollë, pasi drejtuesit e shkollës i thanë se nuk kishte asnjë dokument. Edhe pranë qendrës shëndetësore të lagjes ai nuk arriti t’i bënte vaksinat që bashkëmoshatarët e tij i kishin bërë.
Të drejtat që janë shkelur: e drejta për ushqim, e drejta për arsim, e drejta për kujdes shëndetësor.
Vini re! Edhe sikur të ishte shkelur vetëm një e drejtë, përsëri do të quhej situatë e shkeljes së të drejtave të njeriut.

Përgjegjësia e shtetit për garantimin e të drejtave të njeriut

Të drejtat e njeriut lidhen me shtetin. Shteti ka përgjegjësinë kryesore që t’i respektojë të drejtat e njeriut. Ka disa të drejta, si: liria e shprehjes, liria e mendimit dhe e besimit që shteti nuk duhet të bëjë asgjë, përveçse të mos na i cenojë. Ka të drejta të tjera, si: e drejta për kujdes shëndetësor, e drejta për arsim, e drejta për ushqim, e drejta për punë. Shteti duhet të punojë që ne të mund t’i gëzojmë këto të drejta.

Përgjegjësia individuale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të njeriut nuk është vetëm detyrë e shtetit, institucioneve apo ligjeve, por edhe përgjegjësi individuale e çdo qytetari. Secili nga ne ka rol aktiv në mënyrën se si i trajton të tjerët dhe në klimën shoqërore që krijohet në familje, në shkollë, në komunitet dhe në shoqëri në tërësi. Përgjegjësia individuale shprehet përmes sjelljeve të përditshme: në mënyrën si komunikojmë, si reagojmë ndaj padrejtësive, si mbrojmë dikë që cenohet dhe si i respektojmë rregullat që garantojnë barazi dhe drejtësi. Edhe veprime të vogla, si: respektimi i mendimit të tjetrit, refuzimi i gjuhës së urrejtjes apo solidariteti me personat në vështirësi kontribuojnë për mbrojtjen reale të të drejtave të njeriut.

Rëndësia e njohjes së të drejtave të njeriut

Është e rëndësishme të mësojmë për të drejtat e njeriut, sepse ato janë themeli i dinjitetit dhe lirisë së çdo individi. Duke i njohur këto të drejta, ne kuptojmë më mirë se çfarë na takon dhe se si mund të mbrojmë veten nga padrejtësitë. Njëkohësisht, mësojmë edhe të respektojmë të drejtat e të tjerëve dhe të mos bëhemi shkelës të tyre.

Fjalorth

Diskriminimi – çdo dallim, përjashtim, kufizim apo parapëlqim bazuar në gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzëninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, gjendjen shëndetësore, predispozitën gjenetike, aftësinë e kufizuar, përkatësinë në një grup të veçantë ose ose për çdolloj shkaku tjetër.
Gjuha e urrejtjes – çdo formë shprehjeje që nxit ose justifikon urrejtjen, diskriminimin apo dhunën ndaj një personi ose grupi për shkak të identitetit të tyre (si gjinia, origjina, feja, aftësia apo bindjet). Ajo cenon dinjitetin njerëzor dhe parimet e barazisë dhe të respektit.

SITUATË RASTI

“Kush ka të drejtë? Mbajmë qëndrim!”
Një burrë u kap nga policia pas kryerjes së një plagosjeje. Policia dyshonte se ai ishte autori i krimit. Ata e shoqëruan të dyshuarin në polici dhe e morën në pyetje. Burri tha se nuk dinte gjë se kush e kishte kryer plagosjen. Ata i thanë se nuk do t’i jepnin ushqim pa treguar se kishte qenë ai autori i krimit. Burrin e mbajtën në komisariat dy ditë pa ushqim dhe përdorën fjalë fyese dhe denigruese ndaj tij.
– Cilat të drejta janë shkelur në këtë rast?
– Reflektoni për përgjegjësinë e shtetit në shkeljen e të drejtave të njeriut. Mbani qëndrim se si do të duhej të zgjidhej situata.

Plotësoni vendet boshe

qenie, të patjetërsueshme, përgjegjësi)
Të drejtat e njeriut janë parime bazë që i përkasin çdo personi vetëm sepse është ______ njerëzore.
Të drejtat e njeriut janë __________ dhe askush nuk ka të drejtë t’i heqë ato.
Respektimi i të drejtave të njeriut është detyrë dhe ____________ e shtetit.

E vërtetë apo e gabuar?

□ Shteti nuk ka asnjë përgjegjësi për respektimin e të drejtave.
□ Diskriminimi cenon dinjitetin njerëzor.
□ Vetëm të rriturit i gëzojnë të drejtat e njeriut.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Pse respektimi i të drejtave tona është i lidhur me respektimin e të drejtave të të tjerëve?
  2. Argumentoni pse përgjegjësia e shtetit është shumë e madhe për garantimin e të drejtave të njeriut.

DETYRË

Ne i ushtrojmë të drejtat tona kur zgjedhim shkollën, punën, kur votojmë ose votohemi, kur marrim pjesë në protesta paqësore, kur zgjedhim vendin se ku të jetojmë, kur udhëtojmë etj. Jepni shembuj të ushtrimit të të drejtave tuaja. Zgjidhni një mjedis, për shembull, shkollën, familjen ose ndonjë mjedis tjetër dhe renditni disa nga veprimet që kryeni dhe që janë ushtrim i të drejtave tuaja.