3.2. Karakteristikat themelore të të drejtave të njeriut

Nxënësi/ja:
  • përshkruan karakteristikat kryesore të të drejtave të njeriut;
  • analizon të drejtat e njeriut si një sistem vlerash dhe normash themelore që synojnë mbrojtjen e dinjitetit njerëzor;
  • vlerëson rëndësinë e mbrojtjes ligjore të tyre.
Fjalë kyçe:

të drejtat e njeriut,
universale,
të patjetërsueshme,
themelore.

A E DINI SE?

  • Të drejtat e njeriut nuk varen nga shtetësia. Edhe personat pa shtetësi kanë të drejta themelore.
  • Një e drejtë mund të shkelet, por nuk mund të humbasë. Patjetërsueshmëria garanton vazhdimësinë e saj.

    A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Konceptin e të drejtave themelore të njeriut e formuloi për herë të parë Xhon Loku. Sipas tij, këto të drejta i përkasin njeriut që nga lindja. Këto ide u bënë themeli i mëvonshëm i dokumenteve të rëndësishme, si: Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe kushtetutat moderne.
Të drejtat e njeriut përfaqësojnë një sistem vlerash dhe normash themelore që synojnë mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Karakteristikat kryesore të të drejtave të njeriut janë: universaliteti, patjetërsueshmëria, konsiderimi si themelore, të pandashme e të ndërlidhura dhe mbrojtja ligjore e tyre.

Universaliteti, të drejta që u përkasin të gjithëve

Parimi i universalitetit nënkupton se të drejtat e njeriut u përkasin të gjithë njerëzve pa asnjë dallim. Ato vlejnë për çdo individ, pavarësisht nga kombësia, gjinia, mosha, raca, feja, bindjet politike, statusi ekonomik apo social. Ky parim përjashton çdo formë diskriminimi dhe thekson barazinë e plotë midis njerëzve. Universaliteti përforcon idenë se të drejtat e njeriut nuk varen nga vullneti i shtetit, por shteti ka detyrimin t’i respektojë dhe t’i garantojë ato për të gjithë qytetarët.

KURIOZITET

Origjina e ideve moderne për të drejtat e njeriut lidhet me filozofinë liberale të shekullit XVII. Filozofi anglez Xhon Lok (1632–1704) argumentonte se njerëzit lindin me të drejta natyrore, si: jeta, liria dhe prona, të cilat ekzistojnë përpara shtetit. Sipas tij, shteti nuk i krijon këto të drejta, por ka për detyrë t’i mbrojë ato.

SHEMBULL

E drejta për arsim, për lirinë e shprehjes apo për mbrojtjen nga dhuna u përket të gjithëve njësoj; si fëmijëve, ashtu edhe të rriturve; si grave, ashtu edhe burrave; si shumicës, ashtu edhe pakicave.

KURIOZITETE

• Togfjalëshi “të drejtat e njeriut” u bë pjesë e ligjërimit ndërkombëtar vetëm pas Luftës së Dytë Botërore si reagim ndaj shkeljeve masive të dinjitetit njerëzor.
• Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut është përkthyer në më shumë se 500 gjuhë, duke u bërë një nga dokumentet më të përhapura në botë.
• Në shumë vende, disa të drejta që sot i konsiderojmë si themelore (si e drejta e votës për gratë) nuk kanë ekzistuar deri para pak dekadash.

Patjetërsueshmëria, të drejta që nuk mund të hiqen, të shiten apo të transferohen

Patjetërsueshmëri do të thotë që të drejtat e njeriut lindin me njeriun dhe nuk mund të hiqen apo të transferohen. Ato nuk mund të anulohen, as të humbasin vlefshmërinë edhe në rastet kur shkelen. Edhe nëse një e drejtë nuk respektohet në praktikë, vetë e drejta vazhdon të ekzistojë dhe individi ka të drejtë të kërkojë mbrojtje dhe drejtësi.
Patjetërsueshmëria thekson se:
• shteti nuk “i jep” të drejtat;
• shteti nuk ka të drejtë t’i heqë ato në mënyrë arbitrare.

Të drejtat e njeriut janë të pandashme dhe të ndërlidhura

Të gjitha të drejtat e njeriut kanë të njëjtën rëndësi dhe nuk mund të ndahen nga njëra tjetra.
Janë të ndërlidhura do të thotë se realizimi i njërës ndikon drejtpërdrejt në realizimin e të tjerave, ndërsa mbrojtja e tyre garantohet nga kushtetuta dhe ligji.

Të drejta të domosdoshme për jetën me dinjitet

Të drejtat e njeriut konsiderohen si themelore, sepse ato janë kusht i domosdoshëm për një jetë njerëzore dinjitoze. Pa këto të drejta, individi nuk mund të zhvillohet lirshëm, as fizikisht, as psikologjikisht, as shoqërisht. Të drejtat e njeriut janë themelore do të thotë se ato janë thelbësore për jetën, dinjitetin dhe lirinë e çdo njeriu dhe përbëjnë bazën mbi të cilën ndërtohen të gjitha të drejtat e tjera.
Në këtë kategori përfshihen: e drejta për jetën, e drejta për liri dhe siguri, barazia para ligjit, mbrojtja nga tortura dhe trajtimi çnjerëzor, liria e mendimit, e ndërgjegjes dhe e shprehjes.

Edhe kur shkelet, e drejta ekziston dhe mund të kërkohet e të rivendoset.

SHEMBULL

Nëse një person nuk merr një gjykim të drejtë, kjo nuk do të thotë se ai e ka humbur të drejtën për një proces të rregullt ligjor; përkundrazi, kjo tregon se e drejta e tij është shkelur dhe duhet rivendosur.

Pa këto të drejta bazë, jeta dhe zhvillimi njerëzor nuk janë të mundshme.

SHEMBULL

E drejta për arsim lidhet drejtpërdrejt me të drejtën për punë. Nëse një person nuk ka mundësi të arsimohet, i kufizohen edhe mundësitë për të gjetur punë dhe për të pasur një jetë dinjitoze. Kjo tregon se të drejtat e njeriut janë të ndërlidhura dhe të pandashme.

E vërtetë apo e gabuar?

□ Të drejtat e njeriut varen nga kombësia.
□ Një e drejtë mund të shkelet, por nuk humbet.
□ Të drejtat themelore janë baza e të gjitha të drejtave të tjera.
□ Diskriminimi bie ndesh me parimin e universalitetit.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. A mund të ekzistojë një shoqëri e drejtë pa respektimin e të drejtave themelore?
  2. A keni përjetuar ose dëgjuar raste ku një e drejtë është shkelur? Si duhej të veprohej?

DETYRË

Shkruani një ese reflektuese me temë “Një e drejtë që e konsideroj më të rëndësishme për jetën time.”