2.2. Parimet kryesore në Kushtetutën e Shqipërisë
Nxënësi/ja:
  • përshkruan parimet kryesore në thelb të Kushtetutës së Shqipërisë;
  • analizon konceptin e shtetit të së drejtës;
  • jep shembuj nga jeta e përditshme për barazinë formale dhe atë reale.
Fjalë kyçe:

kushtetutshmëri,
demokraci,
ndarja e pushteteve,
sovranitet.

A E DINI SE?

  • Në Republikën e Shqipërisë, ligjet dhe organizimi i shoqërisë mbështeten dhe funksionojnë mbi parimet themelore të përcaktuara në kushtetutë.

    Pse mendoni se është e rëndësishme që ligjet dhe mënyra e organizimit të shoqërisë duhet të mbështeten në parimet e kushtetutës? Çfarë pasojash mund të ketë për qytetarët, nëse këto parime nuk respektohen?

Kushtetuta është baza e shtetit demokratik dhe përcakton parimet themelore mbi të cilat funksionojnë institucionet dhe shoqëria. Njohja e këtyre parimeve ndihmon në kuptimin e rolit të ligjit dhe të qytetarit në një shtet të së drejtës.

Parimi i kushtetutshmërisë

Parimi i kushtetutshmërisë nënkupton që të gjitha aktet juridike të shtetit duhet të jenë në përputhje me kushtetutën. Asnjë ligj, vendim apo veprim shtetëror nuk mund të jetë mbi kushtetutën.
Respektimi i këtij parimi kërkohet në çdo fazë të veprimtarisë shtetërore si në hartimin, ashtu edhe në zbatimin e ligjeve. Kontrolli përfundimtar i kushtetutshmërisë së akteve dhe të organeve shtetërore kryhet nga Gjykata Kushtetuese.

Parimi i sovranitetit të popullit

Sovraniteti është një parim i rëndësishëm i Kushtetutës, që përcakton pozitën e pushtetit shtetëror ndaj çdo pushteti apo organizate tjetër në shoqëri. Shteti është sovran kur është i pavarur, i pandikuar dhe i lirë për të nxjerrë dhe për të zbatuar norma juridike. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë parimi i sovranitetit shprehet në nenin 2, “Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit” dhe “Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti”.
Sipas kushtetutës sonë, populli e ushtron sovranitetin e tij në dy mënyra:
• duke zgjedhur përfaqësuesit e tij në kuvend dhe u delegon atyre pushtetin e tij,
• duke votuar drejtpërdrejt për çështje të rëndësishme në referendume.

E drejta e votës

Shprehja e lirë e vullnetit të popullit bëhet nëpërmjet zgjedhjeve të lira, të barabarta, të përgjithshme dhe periodike. Shoqëritë kanë luftuar për të pasur demokraci dhe një nga elementet e demokracisë janë zgjedhjet. Zgjedhjet dhe e drejta e votës janë të lidhura në mënyrë të pandashme. Të gjithë shtetasit mbi 18 vjeç, pa dallim gjinie, etnie etj. kanë të drejtën e votës në Shqipëri.

Parimi i shtetit të së drejtës

Parimi i shtetit të së drejtës do të thotë se shteti qeveriset mbi bazën e ligjit dhe jo sipas vullnetit të individëve. Të gjitha institucionet dhe individët janë të detyruar ta respektojnë ligjin dhe askush nuk është mbi të. Ky parim garanton që veprimet e shtetit të kryhen sipas procedurave ligjore dhe në mënyrë të drejtë e transparente, duke siguruar mbrojtjen reale të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe funksionimin demokratik të shoqërisë.

E drejta e votës është një nga mënyrat kryesore që populli ushtron sovranitetin.

E drejta e votës është një nga mënyrat kryesore që populli ushtron sovranitetin.

Parimi i ndarjes dhe i balancimit të pushteteve

Shoqëritë nuk do të kishin liri dhe demokraci, nëse nuk do të kishte ndarje të pushteteve. Ndarja e pushtetit është e nevojshme për të mos lejuar një pushtet që të bëhet i plotfuqishëm, si dhe për të bërë ndarje të detyrave midis organeve të ndryshme.
Pushteti ndahet në:
• pushtetin legjislativ (kuvendi),
• pushtetin ekzekutiv (qeveria),
• pushtetin gjyqësor (gjykatat).
Pavarësia e pushteteve nuk mund të mendohet si absolute. Pushteti legjislativ shqyrton dhe miraton ligje. Nga ana tjetër, qeveria ndikon në procesin ligjvënës nëpërmjet së drejtës që ka për të propozuar projektligje. Gjykatat zbatojnë këto ligje dhe garantojnë drejtësi.
Që shoqëria të funksionojë në mënyrë demokratike, asnjë nga pushtetet nuk duhet të jetë i plotfuqishëm, por ata duhet të jenë të balancuar dhe të kontrollojnë njëri-tjetrin. Kjo ndarje ndihmon në ruajtjen e lirisë, të drejtësisë dhe funksionimit demokratik të shtetit.

Parimi i barazisë para ligjit

Parimi i barazisë para ligjit nënkupton se të gjithë individët janë të barabartë përpara ligjit dhe gëzojnë të njëjtat të drejta dhe detyrime, pa asnjë dallim, për shkak të gjinisë, racës, origjinës, gjuhës, fesë, bindjeve politike, gjendjes ekonomike apo statusit shoqëror. Ky parim garanton që ligji të zbatohet në mënyrë të njëjtë për të gjithë dhe ndalon çdo formë privilegji apo diskriminimi. Institucionet shtetërore kanë detyrimin të veprojnë në përputhje me këtë parim, duke siguruar trajtim të barabartë dhe mbrojtje ligjore për çdo qytetar. Barazia para ligjit përfshin jo vetëm barazinë formale, por edhe barazinë reale, që synon të sigurojë kushte të drejta për ushtrimin e efektshëm të të drejtave dhe lirive themelore.

Gratë shqiptare e fituan të drejtën e votës më 9 shkurt 1920, gjatë Kongresit të Lushnjës, në një periudhë kur vendi po kërkonte të konsolidohej si shtet i pavarur

Gratë shqiptare e fituan të drejtën e votës më 9 shkurt 1920, gjatë Kongresit të Lushnjës, në një periudhë kur vendi po kërkonte të konsolidohej si shtet i pavarur

SHEMBULL

Ligji parashikon që të gjithë nxënësit kanë të drejtë të ndjekin arsimin e mesëm pa diskriminim, pavarësisht nga prejardhja, gjinia apo gjendja ekonomike. Në këtë rast, ligji i trajton të gjithë njësoj, duke garantuar të njëjtën të drejtë për secilin. Kjo përfaqëson barazi formale, sepse ligji është i njëjtë për të gjithë.
Shteti ofron transport falas ose tekste shkollore për nxënësit që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta ose nga zona të largëta, në mënyrë që edhe ata të kenë mundësi reale për të ndjekur arsimin njësoj si nxënësit e tjerë. Kjo përfaqëson barazi reale, sepse krijohen kushte të veçanta për të arritur barazi në praktikë.

Parimi i mbrojtjes së të drejtave dhe i lirive themelore

Parimi i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nënkupton se shteti ka detyrimin kushtetues të njohë, të respektojë dhe të garantojë të drejtat dhe liritë e çdo individi pa dallim. Kushtetuta i vendos këto të drejta në qendër të rendit juridik dhe politik, duke i konsideruar ato të patjetërsueshme dhe të mbrojtura nga çdo cenim i padrejtë. Ky parim kërkon që institucionet shtetërore të veprojnë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet, të parandalojnë shkeljet e të drejtave dhe të sigurojnë mjete të efektshme ligjore për mbrojtjen e tyre. Gjykatat luajnë një rol kyç në garantimin e këtij parimi dhe ofrojnë mbrojtje gjyqësore të pavarur dhe të paanshme për çdo qytetar sa herë që cenohen të drejtat dhe liritë e tij.

Parimi i demokracisë

Demokracia është pushteti i ushtruar nga populli dhe në interes të tij. Ajo nënkupton pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në jetën politike dhe në jetën shoqërore.
Ky parim mbështetet në respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si:
• e drejta për të votuar dhe për t’u zgjedhur;
• pluralizmi politik;
• liria e mendimit dhe e shprehjes;
• e drejta për organizim politik dhe shoqëror.
Pluralizmi është një nga bazat e shtetit demokratik dhe shteti vetë e ka për detyrë që ta respektojë dhe ta mbrojë atë. Kushtetuta e konsideron këtë si një nga parimet themelore të saj. Pluralizmi është parimi sipas të cilit në një shoqëri ekzistojnë dhe bashkëjetojnë mendime, ide dhe alternativa të ndryshme, veçanërisht në jetën politike përmes partive politike.

Viti 1990 shënoi fundin e komunizmit dhe fillimin e pluralizmit në Shqipëri.

Viti 1990 shënoi fundin e komunizmit dhe fillimin e pluralizmit në Shqipëri.

Fjalorth

Barazia formale – të gjithë trajtohen njësoj nga ligji.
Barazia reale – krijohen kushte të drejta që të gjithë të ushtrojnë realisht të njëjtat të drejta.
Shteti i së drejtës – të gjitha institucionet dhe individët veprojnë sipas ligjit dhe askush nuk është mbi të.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Pse mendoni se çdo kushtetutë duhet të mbështetet në parime kryesore dhe cili është roli i këtyre parimeve në jetën e shoqërisë?
  2. A janë të lidhura parimet me njëri-tjetrin, apo veprojnë në mënyrë të veçuar dhe pse?
  3. Komentoni foton duke u bazuar te parimi i drejtësisë formale dhe i drejtësisë reale.