Nxënësi/ja:
- tregon se çfarë është Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut;
- shpjegon parimet mbi të cilat funksionon KEDNJ-ja;
- vlerëson rëndësinë e KEDNJ-së dhe të GJEDNJ-së në mbrojtje të të drejtave të njeriut.
Fjalë kyçe:
KEDNJ,
GJEDNJ,
demokracia politike,
përgjegjësia kolektive.
A E DINI SE?
- Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut është i vetmi dokument ndërkombëtar që përmendet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
- Një qytetar mund të ankimojë shtetin e tij në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut kur i shkelen të drejtat.
A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.
Çfarë është Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut?
Ligji hartohet për të na siguruar rregulla në shoqëri, në bazë të të cilave drejtohen veprimet dhe marrëdhëniet midis individëve, institucioneve dhe qeverisë. Shoqëria nuk mund të funksionojë pa rregulla. Ashtu siç nuk mund të zhvillohet mësimi në një klasë pa rregulla, nuk mund të ketë bashkëjetesë në një familje pa rregulla, as një shoqëri nuk mund të jetojë në harmoni pa to.
Ligji ka disa funksione kryesore.
• Funksioni social: siguron bashkëjetesë paqësore, respekt të ndërsjellë dhe marrëdhënie të qarta në shoqëri.
• Funksioni politik: përcakton mënyrën se si organizohet shteti, ndarjen e pushteteve dhe kufizimin e autoritetit për të parandaluar abuzimet.
• Funksioni ekonomik: rregullon tregjet, kontratat, punësimin dhe i mbron konsumatorët nga mashtrimet.
• Funksioni juridik: përcakton normat dhe procedurat që sigurojnë zbatimin e drejtësisë.
• Funksioni mbrojtës: i mbron qytetarët nga rreziqet, dhuna, diskriminimi dhe padrejtësia.
Të gjitha këto tregojnë se ligji është i domosdoshëm jo vetëm në teori, por edhe në praktikë, duke ndikuar në çdo aspekt të jetës sonë të përditshme.

KEDNJ-ja u jep qytetarëve të drejtën të kërkojnë drejtësi përtej kufijve të shtetit të tyre.
Pse KEDNJ-ja është e rëndësishme për të drejtat e njeriut?
KEDNJ-ja është e rëndësishme për të drejtat e njeriut, sepse:
• është dokumenti i parë ndërkombëtar që mbron shumë të drejta të natyrës civile dhe politike,
• është një dokument i detyrueshëm për t’u zbatuar nga vendet që e kanë miratuar,
• ka krijuar për herë të parë një gjykatë ndërkombëtare, që është Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, ku mund të ankohen për shkelje të këtyre të drejtave të gjithë shtetasit e vendeve që e kanë miratuar,
• çdo vend që e ka miratuar KEDNJ-ja është i detyruar që të gjitha ligjet e tij të jenë në përputhje me KEDNJ-në.
Parimet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut
Parimet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut bazohen në rëndësinë që kanë ato për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar.
1. Demokracia politike
Konventa njeh demokracinë politike si një nga themelet kryesore të drejtësisë dhe paqes. Ajo thekson se respektimi i të drejtave të njeriut është i lidhur ngushtë me ekzistencën e një sistemi demokratik.
2. Konceptimi i përbashkët dhe respektimi i të drejtave të njeriut
Vendet anëtare duhet të ndajnë një kuptim të përbashkët për të drejtat e njeriut dhe t’i respektojnë ato për çdo individ. Konventa mbron të drejtat e “çdokujt”, pa dallim shtetësie, duke garantuar mbrojtje edhe për të huajt apo emigrantët. Ky parim është veçanërisht i rëndësishëm në një botë ku lëvizja e njerëzve është gjithnjë e më e shpeshtë.

3. Përgjegjësia kolektive e vendeve anëtare
Shtetet anëtare kanë përgjegjësi të përbashkët për të garantuar respektimin e të drejtave. Kjo nënkupton se ato jo vetëm që zbatojnë standardet brenda vendit, por edhe mbikëqyrin dhe mbështesin njëra-tjetrën për respektimin e tyre.
4. E drejta e ankimit individual
Një nga risitë më të rëndësishme të Konventës është e drejta e individit për t’u ankuar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Pasi të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike në vendin e tij, çdo individ mund të kërkojë drejtësi në nivel ndërkombëtar, duke forcuar kështu mbrojtjen reale të të drejtave të njeriut.
Fjalorth
Detyrues – vendet ratifikuese janë të detyruara ta zbatojnë dhe ta konsiderojnë si ligj.
Juridiksion – e drejtë për të vepruar në territore të caktuara, mbi popullata apo individë.
Plotësoni vendet boshe
(1996, Strasburg, mjetet juridike, Konventë, ligj, proporcional, kufizohen)
• Shqipëria e ratifikoi KEDNJ-në në vitin ________.
• Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ndodhet në qytetin e ________, në Francë.
• Një qytetar mund t’i drejtohet GJEDNJ-së vetëm pasi i ka shteruar të gjitha ________ në vendin e tij.
• Ankimi në GJEDNJ bëhet për shkelje të të drejtave të parashikuara në ________.
• Një e drejtë mund të kufizohet vetëm nëse kufizimi është i parashikuar me ________.
• Kufizimi duhet të jetë i ________ dhe i domosdoshëm në një shoqëri demokratike.
• Të drejtat absolute, si ndalimi i torturës, nuk mund të ________ në asnjë rrethanë.
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
- Çfarë është Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut?
- Pse KEDNJ-ja është një dokument shumë i rëndësishëm për ne shqiptarët?
- Arsyetoni për rëndësinë që ka zbatimi i ligjeve për të drejtat e njeriut në përgjithësi.


