4.2. Prokuroria, policia gjyqësore dhe avokati

Nxënësi/ja:
  • identifikon rolin e prokurorisë, të policisë gjyqësore dhe të avokatit;
  • argumenton rëndësinë e ndërveprimit mes këtyre institucioneve;
  • vlerëson rolin e mbrojtësit ligjor për një proces të rregullt gjyqësor.
Fjalë kyçe:

prova materiale,
hetim,
prokurori,
akuzë.

A E DINI SE?

  • Një person mund të jetë i pafajshëm para ligjit edhe kur opinioni publik mendon ndryshe.
  • Avokati mbron të drejtat e klientit, por kjo nuk do të thotë se ai justifikon apo miraton veprimet e tij.
  • Në filma, prokurori shpesh duket si “armiku” i avokatit, por në realitet ata kanë dy role të ndryshme që ndihmojnë gjykatën të zbulojë të vërtetën.

    A jeni dakord me pohimet e mësipërme? Argumentoni mendimin tuaj duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme.

Në jetën e përditshme mund të ndodhin situata që cenojnë sigurinë, pronën ose dinjitetin e njerëzve. Kur ndodh një shkelje e ligjit, si p.sh. një krim, shoqëria nuk mund të mbështetet vetëm te hamendësimet apo mendimet personale për të gjetur zgjidhje. Për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe për të marrë një vendim të drejtë, aktivizohet sistemi i drejtësisë dhe fillon një proces i rregullt ligjor.
Në këtë proces marrin pjesë disa aktorë shumë të rëndësishëm, secili me rolin e vet të përcaktuar qartë: prokurori, policia gjyqësore dhe avokati. Ata veprojnë si pjesë e një ekipi, ku qëllimi kryesor është zbulimi i së vërtetës, respektimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave të të gjitha palëve të përfshira.

Prokuroria – vendi ku nisin hetimet për vepra penale

Prokuroria është institucioni që merret me hetimin e veprave penale. Ajo ka një rol shumë të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë: mbledh prova, analizon çështjen dhe paraqet akuzën në gjykatë. Prokurori është personi i parë që nis procesin:
• analizon faktet e paraqitura;
• kërkon dhe mbledh provat e nevojshme;
• udhëzon policinë gjyqësore;
• përgatit çështjen që do të paraqitet në gjykatë.
Por ka një parim shumë të rëndësishëm, prokurori nuk vendos kurrë nëse dikush është fajtor.
Detyra e tij është vetëm të paraqesë provat dhe të argumentojë akuzën. Është gjyqtari ai që jep vendimin përfundimtar. Kjo ndarje rolesh siguron që procesi të jetë i drejtë dhe i paanshëm.

Si është e organizuar prokuroria në Shqipëri?

Sipas kushtetutës dhe ligjit nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, prokuroria është një strukturë e centralizuar që vepron nën drejtimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe përbëhet nga disa nivele të organizimit, secila me kompetenca të qarta.
• Prokuroria e Përgjithshme ka juridiksion në të gjithë territorin e vendit dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit.
• Prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë zhvillojnë hetimet fillestare për shumicën e veprave penale. Prokurorët e këtij niveli merren me shumicën e çështjeve të përditshme, si: vjedhje, dëmtime, mashtrime, konflikte pronësie dhe shumë vepra të tjera penale.
• Prokuroritë pranë gjykatave të apelit merren me çështjet në fazën e rishikimit dhe të ankimit. Kur një vendim ankimohet dhe kërkohet rishikimi i tij, çështja trajtohet nga prokurorët e Apelit. Ata rishikojnë çështjet dhe mbrojnë akuzën në një nivel të dytë gjykimi.
• Prokuroria e Posaçme (SPAK) është krijuar me ligj të veçantë për hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe çështjeve të tjera të rënda që kërkojnë hetim të specializuar.
Prokuroria nuk punon vetëm. Ajo bashkëpunon ngushtë me Policinë e Shtetit, veçanërisht me policinë gjyqësore.

Policia gjyqësore

Në një vendngjarje, personat e parë që mbërrijnë janë policët, por jo të gjithë kanë detyrë të kryejnë hetime. Hetimet kryhen nga policia gjyqësore, e cila vepron drejtpërdrejt nën urdhrat e prokurorit dhe ka përgjegjësi të përcaktuara qartë. Ajo mbledh prova në vendngjarje, merr deklarata nga dëshmitarët, ndjek hetimet në terren dhe vepron gjithmonë sipas udhëzimeve të prokurorit për të siguruar që procesi hetimor të jetë i ligjshëm dhe i drejtë.

Avokati

Avokati është një nga figurat më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë. Ai/ajo është profesionisti që mbron të drejtat e klientit dhe siguron që procesi gjyqësor të zhvillohet në mënyrë të drejtë, të ligjshme dhe të paanshme.
Marrëdhënia mes avokatit dhe klientit bazohet në besim, konfidencialitet dhe etikë profesionale, sepse vetëm kështu ruhet drejtësia dhe besueshmëria e profesionit. Avokati e këshillon klientin për ligjin dhe hapat që duhet të ndjekë, paraqet prova në favor të tij, mbron të drejtat dhe interesat e personit në çdo fazë të gjykimit dhe argumenton për pafajësinë ose për rrethana lehtësuese. Ligji garanton mbrojtje për të gjithë, edhe për ata që nuk kanë mundësi financiare, duke caktuar një avokat falas përmes ndihmës juridike.
E drejta e mbrojtjes është një parim themelor i çdo procesi të rregullt ligjor, sepse garanton që çdo person të ketë mundësi të dëgjohet, të mbrohet dhe të mos paragjykohet. Avokati vepron si zëri i klientit në gjykatë dhe kujdeset që të respektohen të gjitha të drejtat e tij.

SITUATË RASTI

“Tri rolet”
Në rrjetin social të klasës një nxënës poston një koment fyes për një shok klase. Komenti përhapet shpejt, krijon tension, përçarje dhe konflikt mes nxënësve. Personi që është ofenduar ndihet keq dhe pretendon se i është cenuar dinjiteti.


Ndahuni në tri grupe:
Grupi 1 – Prokurorët
Analizoni:
• A ka prova të mjaftueshme (screenshots, mesazhe)?
• A përbën komenti shkelje të rregullave të shkollës apo ligjit (fyerje, bullizëm online)?
• Çfarë hapash duhet të ndiqen për të “hetuar” situatën në mënyrë të drejtë?
Grupi 2 – Policia gjyqësore
Diskutoni:
• Si do t’i mblidhni provat online (mesazhe, postime, data/ora)?
• Kë do të pyesni (nxënës të tjerë, dëshmitarë, administratorët e grupit)?
• Si do të siguroheni që askush të mos i fshijë provat derisa të sqarohet ngjarja?
Grupi 3 – Avokatët
Reflektoni:
• Si do t’i mbroni të drejtat e nxënësit që akuzohet?
• A e ka bërë ai ofendimin me qëllim? A ka prova lehtësuese (keqkuptim, ironi, mungesë konteksti)?
• Si do të siguroheni që procesi të jetë i drejtë dhe që nxënësi të mos paragjykohet?

Gjeni alternativën e saktë

Kush ka të drejtë ta udhëheqë hetimin penal?
a) Gjykata
b) Policia e Shtetit
c) Prokuroria
ç) Avokati


Çfarë ndodh nëse nuk ka prova ose dyshime të arsyeshme për një vepër penale?
a) Hetimi vazhdon pa kufizim.
b) Çështja shkon drejtpërdrejt në gjykatë.
c) Hetimi nuk fillon ose çështja mbyllet.
ç) Personi shpallet automatikisht fajtor.


Policia gjyqësore:
a) vepron e pavarur nga prokuroria;
b) vendos nëse një person është fajtor;
c) vepron nën urdhrat e prokurorit dhe mbledh prova;
ç) zbaton ligjin dhe merr vendime për dënimin e personave.


Cili është roli kryesor i avokatit?
a) Të dënojë personat që shkelin ligjin.
b) Të mbrojë të drejtat dhe interesat e klientit.
c) Të hartojë ligje.
ç) Të drejtojë policinë.

ÇËSHTJE PËR DISKUTIM

  1. Pse mendoni se çdo person, edhe ai që akuzohet për një krim të rëndë, duhet të ketë avokat?
  2. Pse mendoni se policia gjyqësore duhet të punojë nën urdhrat e prokurorit dhe jo e kundërta?
  3. A do të ishte i drejtë një proces gjyqësor pa avokat? Pse?