Nxënësi/ja:
- përshkruan rolin dhe rëndësinë e Kodit të Punës të Shqipërisë si rregullator kryesor i marrëdhënieve të punës;
- dallon punën e lejuar nga puna e paligjshme dhe e dëmshme për fëmijët;
- nxit dhe mbron praktika etike të punësimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për të rinjtë.
Fjalë kyçe:
Kodi i Punës,
punëdhënës,
punëmarrës,
kontratë.
Çfarë është puna?
Në jetën e përditshme fjala punë përdoret gjerësisht. Ajo lidhet me çdo angazhim që kërkon kohë, energji dhe përkushtim, si p.sh.: punët e shtëpisë, ndihma në familje, kujdesi për të tjerët, deri te studimi apo angazhimi vullnetar. Këto veprimtari janë thelbësore për jetën shoqërore, por zakonisht nuk shoqërohen me pagesë dhe nuk krijojnë marrëdhënie ligjore mes palëve.
Ndryshe paraqitet puna me kontratë, e cila është e përcaktuar qartë nga ligji. Kjo formë pune realizohet në bazë të një marrëveshjeje ndërmjet punëmarrësit dhe punëdhënësit, ku përcaktohen detyrat, orari, paga dhe kushtet e punës. Punëmarrësi përfiton jo vetëm pagë, por edhe të drejta si, sigurimet shoqërore, pushimet, mbrojtje nga largimi i padrejtë nga puna.
Sipas Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë, me punë kuptohet aktiviteti që një person (punëmarrësi) kryen për një punëdhënës kundrejt një pagese dhe në bazë të një marrëdhënieje pune të rregulluar me kontratë.

Punë të përditshme.
Kodi i Punës dhe parimet themelore
Punësimi është një pjesë e rëndësishme e jetës së çdo individi dhe ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien ekonomike, sociale dhe personale. Për këtë arsye, në një shtet demokratik marrëdhëniet e punës nuk lihen në vullnetin e lirë të palëve, por rregullohen me ligj. Në Shqipëri, akti kryesor që i rregullon këto marrëdhënie është Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë, i cili synon të mbrojë dinjitetin e punëmarrësit, të garantojë kushte të drejta pune dhe të sigurojë barazi ndërmjet palëve në marrëdhënien e punës.
Një nga parimet e para të Kodit të Punës është ndalimi i punës së detyruar, detyrim i parashikuar edhe në kushtetutë. Puna e detyruar kuptohet si çdo punë ose shërbim që i kërkohet individit kundër vullnetit të tij nën kërcënimin e një dënimi të çfarëdoshëm. Puna e detyruar ndalohet sepse bie ndesh me parimet e të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut Gjithashtu, Kodi i Punës siguron barazinë e individëve në procesin e rekrutimit dhe të kryerjes së punës. Kodi i mbron ata nga diskriminimi në fazën e rekrutimit dhe gjatë kryerjes së punës, pavarësisht nga karakteristikat e gjithsecilit, siç janë: raca, orientimi seksual, feja, bindjet politike, origjina apo mosha. Ndonëse në dukje jemi të ndryshëm nga njëri-tjetri, të gjithë kemi të drejtë të kemi mundësi të barabarta për punë dhe shpërblim të barabartë për kryerjen e së njëjtës punë. Parimi i mosdiskriminimit vlen edhe për pushimet nga puna.

Punë me kontratë.
Mosha minimale ligjore për punësim
Kodi i Punës përcakton se mosha minimale për punësim është 18 vjeç. Kjo do të thotë se fëmijët nën këtë moshë nuk mund të punësohen ligjërisht dhe me rregulla të plota pune.
Megjithatë, ligji bën përjashtime dhe lejon punësimin e të rinjve të moshës 16–18 vjeç, por ai vendos kufizime specifike mbrojtëse, të cilat dallojnë punësimin e të miturve nga ai i të rriturve. Këto kufizime lidhen kryesisht me:
• llojin e punës. Të miturit nuk lejohen të punojnë në punë të rënda, të rrezikshme ose të dëmshme për shëndetin, si: puna në miniera, në ndërtim, me lëndë helmuese ose me makineri të rënda.
• orarin e punës. Orari i punës për të miturit është më i kufizuar sesa për të rriturit, në mënyrë që ata të kenë kohë të mjaftueshme për shkollë, pushim dhe zhvillim personal.
• punën e natës. Ligji ndalon që të miturit të punojnë natën, zakonisht në intervalin 22:00–06:00, pasi puna e natës konsiderohet e dëmshme për shëndetin dhe zhvillimin e tyre.
Këto masa synojnë të parandalojnë shfrytëzimin e të rinjve dhe të mbrojnë mirëqenien e tyre afatgjatë.
Ligji, gjithashtu, parashikon përjashtime të kufizuara për fëmijët e moshës 14–16 vjeç, të cilët mund të kryejnë vetëm punë të lehta, zakonisht gjatë pushimeve shkollore dhe vetëm nëse këto punë nuk dëmtojnë shëndetin e tyre, nuk pengojnë shkollimin, nuk ndikojnë negativisht në zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe moral. Këto rregulla ekzistojnë për të garantuar që arsimimi dhe zhvillimi i fëmijës të mbeten përparësi.
Pse fëmijët janë një grup i cenueshëm në punë?
Fëmijët dhe adoleshentët konsiderohen një grup i cenueshëm në botën e punës, sepse ata janë ende në proces zhvillimi fizik, mendor dhe emocional. Puna e rëndë, oraret e gjata ose kushtet e pasigurta mund të dëmtojnë shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
Shpesh fëmijët nuk i njohin të drejtat e tyre dhe nuk janë në gjendje të mbrohen nga abuzimi apo shfrytëzimi. Në disa raste ata detyrohen të punojnë për shkak të varfërisë, presionit familjar ose mungesës së mundësive për arsim.
Për këtë arsye, fëmijët kanë nevojë për mbrojtje të veçantë ligjore. Kjo mbrojtje sigurohet nga ligjet kombëtare dhe nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës, e cila garanton të drejtën për arsim, shëndet, pushim dhe zhvillim të plotë. Mbrojtja e fëmijëve nga shfrytëzimi në punë është jo vetëm një detyrim ligjor, por edhe një përgjegjësi e rëndësishme e shoqërisë.

Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës është dokumenti ndërkombëtar më i rëndësishëm që garanton dhe mbron të drejtat e fëmijëve në mbarë botën.
Rëndësia e pëlqimit të prindërve dhe e kontrolleve mjekësore
Një element thelbësor në punësimin e të miturve është pëlqimi i prindërve ose i kujdestarëve ligjorë. Ky pëlqim siguron që familja është e informuar dhe ka rënë dakord për punësimin e fëmijës dhe që interesat e tij po merren parasysh. Po aq i rëndësishëm është edhe kontrolli mjekësor, i cili:
• verifikon nëse i mituri është i aftë fizikisht dhe mendërisht për punën që do të kryejë;
• ndihmon në parandalimin e rreziqeve për shëndetin;
• siguron që puna nuk dëmton zhvillimin normal të të miturit.
Kontrollet mjekësore nuk janë formalitet, por një mekanizëm mbrojtës që synon sigurinë dhe mirëqenien e të rinjve në punë.
Pasojat e punës në jetën e fëmijës
• Zhvillimi fizik
Puna e rëndë ose puna për një kohë të gjatë mund të dëmtojë shëndetin dhe zhvillimin fizik të fëmijës. Aksidentet, materialet e dëmshme dhe kushtet e papërshtatshme të punës mund të shkaktojnë sëmundje ose dëmtime serioze.
• Zhvillimi mendor
Shfrytëzimi ekonomik mund të shkaktojë trauma dhe probleme të shëndetit mendor, duke penguar zhvillimin normal psikologjik të fëmijës.
• Zhvillimi shpirtëror dhe moral
Kur fëmijët detyrohen të punojnë, ata humbasin kohën dhe mundësitë për të zhvilluar aftësitë kulturore, shpirtërore dhe vlerat morale.
• Zhvillimi shoqëror
Fëmijët që punojnë shpesh nuk kanë mundësi të luajnë dhe të ndërveprojnë me bashkëmoshatarët, duke humbur përvoja të rëndësishme për zhvillimin e tyre social.
SITUATË RASTI
“Mosha minimale e punës së fëmijëve”
Ardi është 15 vjeç dhe jeton në një zonë rurale. Gjatë sezonit veror fillon të punojë çdo ditë në një agroturizëm lokal si ndihmëskamerier. Ai u shërben njerëzve në tavolina, pastron ambientet dhe ndihmon në kuzhinë. Orari i punës është nga ora 08:00 deri në 16:00, pa kontratë pune dhe pa sigurime shoqërore. Prindërit e Ardit janë në dijeni dhe e kanë lejuar, sepse i kanë të ardhurat të kufizuara dhe puna shihet si një mundësi për ta ndihmuar ekonomikisht familjen.
Me fillimin e vitit të ri shkollor, Ardi vazhdon të punojë pasditeve, por shpesh është i lodhur, mungon në shkollë dhe rezultatet e tij në mësime bien ndjeshëm. Një mësues i shkollës e vëren situatën dhe njofton strukturat përkatëse.
Pyetje për diskutim
– A lejohet ligjërisht punësimi i Ardit në këtë moshë?
– A konsiderohet puna e tij si “punë e lehtë” sipas Kodit të Punës?
– Çfarë shkeljesh ligjore mund të ketë kryer punëdhënësi?
– Çfarë roli kanë prindërit dhe institucionet shtetërore në këtë rast?
– Çfarë masash duhet të merren për të mbrojtur të drejtat e fëmijës?
ÇËSHTJE PËR DISKUTIM
- Pse puna konsiderohet si thelbësore për jetën e njeriut?
- Cili është ndikimi i punës në jetën e fëmijës?
- Cili është qëllimi kryesor i Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë?


